75 vjet më parë, shqiptari i parë në Serinë A të Italisë: Riza Lushta!
Kanë kaluar 75 vjet, por asnjë shqiptar nuk e ka mbërritur famën e Riza Lushtës në Kampionatin e Italisë, e pashlyeshmja Seria A. Dhe, për përkim “fatal”, i bie të jetë po janar. Ka qenë pra 7 janar 1940, kur 75 vjet më vonë, janar 2014, Seria A rifilloi vazhdimësinë e aventurës së saj dimërore të Shekullit XXI. Ky 75-vjetor është një rast kuptimplotë për të kujtuar ngjarjen lushtjane, e cila, edhe pse ka një protagonist të vetëm, i përket krejt sportit shqiptar.
7 janari 1940 në të vërtetë është afirmimi i parë i talenteve shqiptare të futbollit në Europën Perëndimore. Kësisoj, në një vështrim, nuk është thjesht “punë Riza Lushte”, edhe pse e këtillë është. Është punë Shqipërie sportive. Kujtoj se deri më sot ato çka kam shkruar për Riza Lushtën (e po ashtu edhe për Naim Kryeziun) 60 e ma vjet mbas dukjes së tij të parë në Kampionatin e Shqipërisë e deri sot, po të mblidhen përbëjnë një libër me rreth nja 500 faqe të mira. Dhe sa më shumë që jam marrë me te, aq shumë kam gjetë. Nuk është vendi këtu për të folë me gjuhën e statistikës së futbollit e për të përsëritur ndeshjet, golat, fitimet e bujshme të Rizas, siç shkruante shpesh Anton Mazreku. Dihet. Askush, asnjë shqiptar, pra edhe djemtë tanë që luajtën e luajnë në Serinë A mbas vitit 1990, nuk i kanë mbërritur rekordet e tij (e, madje as edhe ato të Naim Kryeziut). Për këte mjafton të kundrosh librin e kolegut Salvatore Lo Presti kushtuar episodeve statistikore të Juventusit, për të pa se si nga faqja në faqe të shfaqet emri i Rizas me interpretimet e tij të pangjashme. Ajo që ka rëndësi, dhe që e mundon fort gazetarin e Shqipërisë së sotme, është kjo tjetra: si ka mundësi që mbrenda vetëm 7 vjetëve kampionat kombëtar krejt modest dhe në kushte gati fillestare, Shqipëria të arrijë të nxjerrë futbollistë të rangut europian të markës së ndritshme “Lushta”. Kjo është ajo që ende nuk ka marrë përgjigje të plotë, se të pjesshme e ka marrë prej kohësh: Shqipëria e vogël mund të nxjerrë talente të mëdha. Po e përkujtojmë këte 75- vjetor, jo përmes pendës sonë, por të atij që ne e quajmë themeluesi i gazetarisë sportive shqiptare: Anton Mazreku (1908- 1969). Dhe ndodhemi përpara një befasie gazetarie tejet të çmueshme. Reporterët, anglosaksonët i kishin gati prej nja dy a tre shekujsh. Shqipëria e vogël kishte gazetarë, madje të shquar, por thuajse nuk kishte reporterë. E kemi fjalën për ata që sot iu thonë “i dërguar i posaçëm”. Kësisoj, Anton Mazreku sa është një pionier i gazetarisë moderne shqiptare në tanësi, pra jo vetëm asaj sportive, është i tillë edhe në zhanrin e “të dërguarit të posaçëm”, të reporterit. Se si kronist dhe radiokronist, ai është i pari për krejt gazetarinë shqiptare. Në këto reportazhe që po botojmë, kjo del qartë në pah.
Pohoj se në kompozicionin dhe mënyrën edhe pse disi poetike, këto shkrime janë pasuri gazetarie për ne. Stili mazrekjan dihet, njihet. Kompetenca sportive e tij, e përjetuar drejtpërdrejt edhe si futbollist i Skënderbeut të Korçës, po e po. Kultura sa e Europës Qendrore (Austri), po aq e asaj perëndimore (Itali), për Mazrekun nuk nënkuptonin një kopjim. Nënkuptonin një shkollë, të cilën ai ia përshtaste Shqipërisë së tij, karakteristikave të popullit të tij, “etnografisë” kombëtare të tij, krenarisë së mirë atdhetare të tij, shpirtit sportiv disi të nxehtë shqiptar, sado që përmasat mund të ishin diçka tjetër. Të gjitha këto mendoj se do t’i gjejmë edhe në këto shkrime të tij të një stili udhëpërshkrues të “të dërguarit të posaçëm”. I kushtohen dukjes së parë të një shqiptari në kampionatin e futbollit të një shteti, i cili vetëm dy vjet më parë qe shpallë për herë të dytë rresht Kampion i Botës. E kjo nuk mund të harrohet assesi, sepse, vetëm përmes kësaj vlere mbarëbotërore të Apeninëve, do të kuptojmë forcën shpërthyese të një Riza Lushte. Këtu mbyllen “10 radhët e mia” të para, që shoqërojnë këte shkrim historik. Po botojmë pra, shkrimin e parë të Mazrekut, fjalë për fjalë, germë për germë, pikë për pikë, presje për presje, pa lëvizur as dhe kryeradhët e Mazrekut që sot mund të na duken të disi të çuditshme në shpeshtësinë e tyre. Dhe pa guxuar ndërkaq, për të prekë asgjë prej gegnishtes së tij të një origjinaliteti e të një kulture gjuhësore të rrallë. Që në fund të fundit pasqyron një epokë tjetër nga e jona e sotme edhe në brerorën dialektale të gjuhës shqipe. E tash, përpiquni të njihni sa Anton Mazrekun, po aq edhe Riza Lushtën.
Ballina e shkrimit të parë të Anton Mazrekut
Riza Lushta, lojtari i ynë aq populluer, udhëheqësi i skuadrës s’onë kampjone drejt fitimeve t ndritshme, do të fillojë me luejtë, ket të djelë, me skuadrën e Barit në ma të naltin divizjon të kampionatit italjan të footballit. 7 Kallnori do të jetë nji ditë e madhe për sportin t’onë se nji lojtar shqiptar, për të parën herë ket të djelë, do të ketë nderin me marrë pjesë në tryezën e kampjonve të botës. E para gja, që ban mendja ndër ditt të mdha, asht me fluturue ndër kujtime të kohës së kalueme. Riza Lushta, a ma mirë me thanë Riza Lustra se nën ket emën ka nisë me tërhjek vrejtjen e parë të sportdashësve t’onë, na del parasysh ndër sa e sa poza e ndër sa e sa sheshe. E kam pas pa për të parën herë, 15 vjet ma përpara, në Tiranë. Mbrapa derës së “Sportklub Tiranës”. Tue mbledhë topat e gjuejtun prej Toptanve, prej Shundit, prej Stërmazit, Hajnalit, Kojës, Prosit, Mihës, Berishës, Lekës. Pes vjet ma përpara, Riza Lushta përfitonte nga minutat e pushimit midis njenës orë e tjetrës për me ardhë në shtypshkrojë të Teknikes e me këndue “Sportin Shqiptar”. Katër vjet përpara, me 29 Qershuer, Riza Lushta del si “Deus ex machina” dhe i jep kampjonatin “Sportklubit” në ndeshjen decizive kundër “Vllaznis” së Shkodrës. Me 7 Gusht 1937 jemi në Cetinë. “Sportklub Tirana” zhvillon nji lojë të mrekullueshme kundër “Crrnagoracit”. Shënon plot 7 SHTYLLA SPORTIVE gola brenda 35 minutash.
Nji turist gjerman, që asht në tribunë me mue, më thotë për Lushtën: “Sein Spiel ist mustergultig”, loja e tij meriton të merret si shëmbull. Të nesërmen, fletorja “Vreme” e Belgradit e quen Rizan “jedan dragulj”, nji djamant. Më 1 shtatuer 1938 “Sportklubi” sundon thellësisht mbi skuadrën e Kavallës. Fletorja greke “Athlitismos” e cilëson Lushtën: “Enas aristos podhosferistis” nji artist footballi. Me 11 Korrik 1939 Lushta lot me skuadrën e Montpellier kundër Toulouse-s: Fletorja “L’Auto” e Parisit i vën ket cilësuar shutit të Rizas “impitoyable”, i pa mëshirëshëm. Costantino, stërvitësi i skuadrës së Barit, që ka qenë krahu i djathtë ma i mirë i Italis e me shum giasë edhe i botës, thotë për Lushtën në fletoren “Il Littoriale” të 14 Dhjetorit 1939: “Atleta perfetto, stoccatore impareggiabile”, athlet i përsosun, gjuetar i pakrahasueshëm. * * * Po bahen dy muej, që Riza Lushta asht në Bari. Mbrenda këtyre dy muejve asht stërvitë me rregull me shokët e tij të Barit, nën përkujdesjen e synin mbikëqyrës të famëmadhit Costantino. Asht drejt për së drejti i enthuzjazmuem nga sjella bujare e shokve italjan, e admiron shum dashunin e zellin e tyne për lojën ma popullore në botë dhe e çmon si duhet zotësin e shqueme të stërvitësit dhe të lojtarve barez.
Pret me padurim ditën që të fillojë me luejtë në ndeshjet e kampjonatit, i sigurtë se me lojën e vet teknike e elegante, frytdhënëse e fisnike ka me e nderue emnin e Shqipnis në fushat e kampjonve të botës. * * * E njoh mirë Rizan, E kam shpresa të mdha se ka me shkue bukur larg. Nuk ka m’u llastue ndër ditt fitimesh të ndritshme prej duertrokitjeve të publikut e lavdeve të shtypit, as ka me e lëshue zemra atëherë kur nuk kanë me i ecë punët mbarë e ma se nji tifoz ka me e vishkullue e ma se nji gazetari nuk ka me i pëlqye loja e tij, jo në ditë a në formë të mirë. Riza Lushta e ka të pastër ndërgjegjen, të naltë idealin, të hekurt vullnetin, të lidhun e të fortë trupin, të patronditshëm guximin, të kulluet menden, e ka me dijtë me e përballue si duhet detyrën e randë, që ka marrë përsipër. E ne sportistave e sportdashësve të Shqipnis, që mallëngjehemi tue kujtue se e kemi larg fushave t’ona, Riza Lushta na përgjigjet me za të fuqishëm: “I jam ma afër se kurr sportit shqiptar”! * * * Sonte nji grup sportistash kryeqytetas do të nisen për në Bari për me i dhanë nji përshëndetje e nji urim të nxehtë n’emën të të gjithë sportistave shqiptarë lojtarit t’onë ma populluer në ndeshjen e së djelës, që skuadra e Barit do të zhvillojë kundër skuadrës së fortë, e prap në formë të shkëlqyeshme të Venezia-s. Kjo përshëndetje e ky urim edhe në mos e dërgoftë topin e Rizas në rrjetin e Bacigalipo-s, përcjelltë skuadrën aq simpatike e aq të dashtun të Barit te nji fitim, që të flasë fjalë të bukura mirënjohjeje edhe për Lushtën














