Dy gola të anuluar, Meksika thyen Kamerunin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2014 | 20:40

Dy gola të anuluar, Meksika thyen Kamerunin

MeksikaNdeshja e dytë e Botërorit 2014 është fituar minimalisht nga meksikanët, me gol të Peralta, në 61’. Kujtojmë se Meksika merr pjesë për herë të 15-të në një Kampionat Botëror. Skuadra amerikano-latine në historinë e saj ka fituar 1 Kupë Konfederatash, në vitin 1999. Rezultatet më të mira të Meksikës janë të viteve 1970 dhe 1986, kur Kupa e Botës është zhvilluar në Amerikën Latine. Tekniku i saj është Miguel Herrera. Ajo bën pjesë në grupin A, së bashku me Brazilin, Kamerunin dhe Kroacinë.
Kameruni është një nga skuadrat më të suksesshme afrikane. Ajo përgjatë historisë së saj është shpallur 4 herë kampione e Kupës së Afrikës. Ky Botëror merr një rëndësi të veçantë, pasi mund të jetë i fundit për sulmuesin afrikan Samule Eto, i cili pritet të jetë dhe asi nën mëngë i panterave afrikane. Megjithatë, finalet e “Brazil 2014”, “luanët e Afrikës” i kanë nisur me një humbje.

Botërori 2014
Grupi A, stadiumi “Arena das Dunas”
MEKSIKE   1:0   KAMERUN
Golat: Peralta 61′

Goli i Peraltës që vulosi fatin e ndeshjes, hoqi Blaterin nga të tjera telashe. Kjo, sepse anësori kolumbian Humberto Klavio anuloi dy gola të rregullt të meksikanëve në pjesën e parë. Gafa e parë ishte milimetrike, deri diku edhe mund të falej, pasi nuk kanë telekamer në vendin e syve. Por, goli i dytë ishte një gafë tepër e madhe, aq më tepër që fanella e verdhë dhe gjatësia fizike e kamerunasve bie në sy shumë lehtë. Ishte detyrë që mund të kryhej pa shumë probleme për anësorin, i cili duhet të kishte parë që topin nga goditja e këndit devijoi me kokë Çupo Moting dhe jo Peralta. Një tjetër gol avantazhi i anuluar në mënyrë absurde dhe të padrejtë.
Drejtësia – Duke provuar me çdo mënyrë, çerek ore pasi kishte filluar pjesa e dytë, meksikanët krijuan aksionin fitues: një vertikalizim për Dos Santosin, i cili godet dhe topi i devijuar nga portieri u shty saktësisht drejt rrjetës prej Peraltës. Sa u përket kamerunasve, është për t’u theksuar që Eto flirtoi me golin në pjesën e parë, ndërsa në minutat e fundit të ndeshjes mendoi gardiani Oçoa për t’u evituar shansin që të barazonin takimin, me pritje të jashtëzakonshme. Çikarito, i futur në fushë si zëvendësues, nuk e bëri dot rolin e tij prej finalizuesi vrastar, sepse pesë metra larg portës devijoi keq topin, duke e nxjerrë atë jashtë kuadrati. Një ndeshje e dominuar nga skuadra e Herrerës, të cilët zotëruan qarkullimin e topit dhe neutralizuan me sukses tentativat e rivalit për kundërsulme të rrufeshme. Djemtë e Finkes patën probleme në orientimin në fushë, sidomos në mbrojtje, ku shkonin në mënyrë të çoroditur drejt futbollistit që kishte topin në këmbë. Një fitore e merituar e Meksikës, pavarësisht se meritonin edhe dy gola më tepër…
Stuhia – Një shi i dendur para dhe në fillim të takimit i lejoi futbollistët që të mos vuanin nga temperaturat e larta. Gjithsesi, pjesa jashtë stadiumit dukej si në filmat me tragjedi natyrore. Me mijëra njerëz që vraponin drejt stadiumit në këmbë, pasi taksitë nuk punonin prej përmbytjeve të rrugëve. Një kaos që nuk i shkon për shtat një kompeticioni si Kupa e Botës, gjithsesi nuk e zbehu të paktën mundësinë që stadiumi të tejmbushej…