Zhongo i preferuari, ja lojtarët që bindin më tepër Stavri Nicën te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2023 | 14:10

Zhongo i preferuari, ja lojtarët që bindin më tepër Stavri Nicën te Kukësi

Kukësi do të vijojë që të paktën deri në muajin janar të jetë një ekip që do të bëhen herë pas here edhe lëvizje në formacion, për aq kohë sa gabimet nga ana individuale e lojtarëve nuk do të mbyllen. kukesi stavri nica

Thuajse çdo ndeshje vihen re këto gabime, duke bërë që Nica të ketë dyshimet e tij për aftësitë apo cilësitë. Të paktë janë ata që në njëfarë mënyre kanë bindur plotësisht Nicën dhe që mund të cilësohen si titullarë të padiskutueshëm. Dhe, në këtë listë, i vetmi që i ka nisur të teta takimet si titullar është mbrojtësi Vasil Zhongo. Ashtu si me Rraman Hallaçin në dy takimet e para, edhe në gjashtë sfidat e radhës me Nicën në krye, 24-vjeçari është i vetmi që ka hyrë nga minuta e parë në fushë. Të gjithë të tjerët më pas janë detyruar të bëjnë të paktën nga një javë stop, edhe për shkak të dëmtimeve, siç është rasti i portierit Anxhelo Tafas.

TË PREFERUARIT – Sakaq, janë vetëm pesë lojtarë që janë aktivizuar në të gjitha ndeshjet deri më tani, duke përfshirë sigurisht edhe Zhongon. Bëhet fjalë për Lamçen, Salamin, Mbarak dhe Fejzajn, që në njëfarë mënyre vijojnë të jetë shtyllat e skuadrës së Kukësit nën drejtimin e Stavri Nicës. Duhet thënë se me uljen e durrsakut në pankinë, lojtarët më herët kaluan një provë fizike dhe ata që ishin më lart në këtë aspekt, rritën shanset e tyre për të pasur mundësi aktivizimi në skuadër. Gjithsesi, Nica nuk ka ndërmend të tolerojë askënd nëse nuk është në formën e vet më të mirë dhe të gjithë këta që deri më tani shihen si ndër më të preferuarit, nuk është çudi që të përfundojnë në stol në ndeshjet e ardhshme.

AKTIVIZIMET – Edhe pse janë luajtur vetëm tetë javë kampionat, Kukësi dhe Nica thuajse i kanë provuar të gjitha kartat që kanë në dispozicion. Thuhet kështu, pasi janë aktivizuar deri më tani plot 26 lojtarë. Tre prej tyre, Mehmetllari, Domi dhe Sula numërojnë vetëm nga pesë minuta apo Hilaj vetëm disa sekonda në ndeshjen me Dinamo Sitin në Elbasan, ku u aktivizua në minutën e 96-të. Më shumë minuta në këmbët e tij ka Franko Lamçe, pikërisht me 691 të tilla deri më tani. Vihet re se asnjë nuk i ka në këmbët e tij 720 minuta, aq sa janë luajtur deri më tani në këto tetë javë kampionat.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"