“Zemra do të jetë zjarr”, Ilir Daja: Më shqetëson cilësia e fushës, i kënaqur edhe me gjysëm me zero në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 23:37

“Zemra do të jetë zjarr”, Ilir Daja: Më shqetëson cilësia e fushës, i kënaqur edhe me gjysëm me zero në derbi

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp në prag të derbit ndaj Tiranës që do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania”.

Ilir Daja

Në prononcimin e tij para gazetarëve, tekniku i të kuqve, veç të tjerave u shpreh se koka do të jetë e ftohtë në këtë sfidë dhe zemra do të jetë zjarr. Daja gjithashtu u pyet nëse ka frikë nga “nxënësi” Nevil Dede, teksa u shpreh:

Derbi i parë si trajner i Partizanit, si ndiheni për këtë gjë?

Në fakt derbi, më shumë se për trajnerët, është për tifozët. Është një ndeshje që duhet fituar. Sigurisht që ne e kemi të qartë që përveçse ka 3 pikë si çdo ndeshje, ka një bonus psikologjik për vazhdimësinë. E kemi përgatitur me qetësi derbin, sepse vijmë nga një gjendje psikologjike goxha e mirë. Natyrshëm që nuk presim kundërshtarë si në ndeshjet e tjera, por lartë koka do të jetë e ftohtë dhe zemra do të jetë zjarr.

Mendoni se jeni më lartë se sa rivali?

Ne jemi me këmbë në tokë. Sipas historive të derbit, edhe kur ekipet kanë pasur diferenca, që në këto moment nuk ka diferenca, madje Tirana vjen pas një suksesi të vjetshëm, edhe atëherë nuk thuhet që ka favoritë në derbi, jo më tani që ekipet janë aty-aty. Partizani në raport me Partizanin, ka një gjendje psikologjike mjaft të mirë. Kemi konsoliduar goxha mirë edhe manovrën, kemi gjendje të mirë fizike dhe ajo që është mbi të gjitha, kemi një shpirt skuadre që do të duhet ta tregojmë me patjetër nesër sepse siç dihet është një përballje mjaft e vështirë.

Keni deklaruar se Dede është futbollisti më i mirë që keni trajnuar. A keni frikë nesër që nxënësi mund të jetë më i mirë se mësuesi?

E them edhe sot që ka qenë një nga futbollistët më të mirë që kam drejtuar, me një mentalitet fituesi, jo i vështirë për t’u menaxhuar. Nëse di t’i menaxhosh lojtarët që kanë mentalitet fituesi, gjërat bëhen jo të vështira. Besoj që ka një eksperiencë jo të mjaftueshme në trajnim. Në këtë rast nuk besoj se do të kem unë frikë Nevilin, Nevili duhet të ketë respekt për mua. Kjo është e vërteta.

Keni pasur ndonjë ngacmim gjatë kësaj periudhe me Deden, duke qenë se jeni shumë pranë me shtëpi nga njëri-tjetri?

Jo, kam kohë, që kur ka marrë drejtimin e Tiranës nuk e kam takuar. Kjo për shkak të impenjimeve që të dy kemi pasur.

Sa do t’i mungojë tifozëria derbit të kryeqytetit?

Kur hapa konferencën për shtyp thashë që kjo ndeshje qështë për tifozët. Flasim për dy tifozeritë më të mëdha në Shqipëri. Shpesh herë opinionistët kanë cituar që derbi luhet në tribuna. Është mungesë e madhe dhe në këtë situatë që jetojmë, e ndiejmë akoma më shumë, pavarësisht se ne kemi pasur marrëdhënie të mirë në këto 4-5 ndeshje, dhe na kanë ndjekur edhe pse nuk lejohet. Nuk i kemi në stadium, por do na ndjekin në televizion dhe e dimë se janë të përqendruar në këtë derbi. I kemi mangët prezent në fushë, por e dimë që nuk i kemi mangët për suportin.

Rikuperimi i Asanit, a do të shoqërohet edhe me një lëvizje në formacion?

Asani, Melo e Llanaj që i janë bashkuar grupit, janë lojtarë me cilësi individuale, por do luajnë ata që kanë gjendjen më të mirë fizike do të. Ata kanë një javë që stërviten, Melo pak më shumë, por nuk riskojmë për të bërë ndërrime të parakohshme, pasi na duhen në vazhdimësi, jo vetëm në  në derbi. Duam t’u marrim maksimumin lojtarëve.

Si e shikon Tiranën në këto momente?

Të jemi koshient, Tirana ka larguar ata që kanë menduar se nuk i shërbenin për vazhdimësinë. Ka afruar shumë lojtarë nga viti i kaluar kur ka qenë në krye. E respektojmë dhe  vlerësojmë për cilësitë që kanë, por edhe ne kemi një grup që deri tani kemi bërë goxha mirë. Më vjen mirë që shtypi na ka nxjerrë neve si favoritë, gjithsesi Tirana është ekip shumë i fortë për t’u mundur.

Do të ishit të kënaqur me një fitore minimale në derbi, apo do të donit të shikonit një Partizani dominues si ai kundër Skënderbeut?

Nëse janë të dyja bashkë edhe fitorja edhe dominimi në lojë do të thotë se ke më shumë garanci edhe për vazhdimësinë. Ke një bonus moral ekstra. Edhe sikur gjysëm me zero ta fitojmë derbin, e rëndësishme është që marrim 3 pikët, na shërben edhe për momentin që jemi, por ndoshta edhe për vazhdimësinë.

Presioni ku është më i madh tek ju apo te Nevil Dede?

Mund të përgjigjem për veten time. Kam drejtuar 4 derbe Partizani-Tirana. Por kam qenë edhe nën drejtimin e Dinamos. Kam qenë edhe nën drejtimin e Skënderbeut kur janë krijuar “derbet” dhe nuk e kam problem këtë pjesë. Nesë ndonjë herë në fushë më shikoni jashtë konturit tim etik duke kontestuar ndonjëherë edhe gjyqtarit. Kjo bëhet për një filozofi që presioni të mos i shkojë lojtarëve, por ta drejtoj drejt vetes.  Ka emocione, por emocionet janë të kontrollueshme. Ankthi përpara garës është në nivelin optimal, jo duke kaluar në stres.

Jeni i kënaqur që derbi do të luhet në “Air Albania?

Stadiumi i ri është më i miri në Shqipëri dhe duhet përshëndetur ndërtimi i tij, por ne na intereson fusha më shumë, pasi tifozët na mungojnë. Na shqetëson fusha, për shkak se luajmë me qarkullim topi. Nuk jam ndjerë mirë kur pashë gjendjen e fushës, pasi klubi e kishte filmuar. Mund të ishte luajtur diku tjetër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"