“Zbarkon” portieri nga Kosova, Mehmeti: Hedhim themele të forta tek Besa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2024 | 15:45

“Zbarkon” portieri nga Kosova, Mehmeti: Hedhim themele të forta tek Besa

Pas humbjes më Bylisin, Besa gjeti fitoren në miqësore. Mundi 1-2 Vorën në transfertë, duke dhënë sinjale pozitive për pjesën e dytë të sezonit. Në formacion debutoi edhe portieri kosovar, i ardhur vetëm disa orë para ndeshjes.

5

Dorant Ahmetaj i vitlindjes 2001, luajti në pjesën e dytë dhe do të vazhdojë të jetë në provë. Gjithashtu, debutoi edhe mesfushori Endrit Emini. Por ai e që bëri diferencë, ishte Donat Mehmeti, Talenti llapjan shënoi dy gola, duke përmbushur vorakët. I lindur në qershor 2006, ai iu bashkua skuadrës në korrik, sapo kishte mbushur 17 vjeç. Ai ka pasur besimin e mbështetjen e Lorenc Pashjes dhe që në ditët e para është aktivizuar disa herë si zëvendësues. Vetë i riu është i lumtur për formën që po kalon dhe këtë e thotë për “Panorama Sport”. Ai mendon se aleati i tij më i mirë në këtë aventurë është koha.

“Është fat i madh për mua që të jem pjesë e Besës. Kur erdha në verë, më pritën ngrohtë, veçanërisht trajneri. Sot që kanë kaluar gati 5 muaj, ndihem si në shtëpi. Pashja në çdo seancë stërvitore apo ndeshje më këshillon e flet si trajner dhe si prind. Këtu praktikohet futboll teknik, gjë që të mëson realisht se si të luash. Jam me fat që të gjithë më duan për më tepër tani që kanë ardhur edhe shumë kosovarë ndihem edhe më mirë. Ajo që më kënaq është harmonia në ekip. Këtu askush nuk rrudh buzët për suksesin, por të mbështesin e urojnë. Një atmosferë e tillë vërtet vëllazërore të ndihmon të stërvitesh me qejf. Shumica jemi të rinj dhe jetojmë suksesin së bashku dhe ndihemi të barabartë pa komandantë e ‘gjeneral’. Grupi i krijuar do të dëshmojë shpejt, se nuk ka asgjë të përbashkët me Besën e 2023-shit. Ne do jemi themeli i ekipit të së nesërmes, atij në Superiore. Është ëndërr për këdo në moshën time, të luajë me Besës. Unë jam fare i ri dhe kam shumë e shumë për të mësuar. Konkurrenca në anën tjetër vetëm më motivon për të fituar përvojë. Aktualisht Hyseni është konkurrenti në sulm edhe ai 19 vjeçar. Ku ka më bukur se ta kesh “rivalin”, shok. Ne i gëzohemi arritjeve të njëri-tjetrit”, përfundoi Mehmeti.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"