Zaneti: Koha erdhi që unë t’i “var këpucët”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2014 | 9:06

Zaneti: Koha erdhi që unë t’i “var këpucët”

Morati dhe ZanetiHavier Zaneti ka zgjedhur të përditshmen argjentinase “La Nasion” për t’u komunikuar tifozëve dhe Interit vendimin e tij mbi të ardhmen. Përballë gazetarit Kristian Groso, kapiteni legjendar zikaltër bëri me dije se ky do të ishte sezoni i fundit i karrierës së lavdishme që e nisi në 1992 te skuadra e Tajeres.
Përse keni zgjedhur të tërhiqeni pikërisht tani?
Sepse e ndjej se erdhi momenti i duhur për të bërë diçka të tillë. Sepse futbolli më ka dhënë shumë dhe unë kam gëzuar në çdo moment që kam zbritur në fushë. Sepse prillin e kaluar, pas dëmtimit në tendinën e “Akilit”, dëshiroja që t’i tregoja të gjithëve se mund t’ia dilja e të rikthehesha sërish kompetitiv. Tani ndihem i kompletuar dhe i realizuar. Të lësh futbollin në moshën 41- vjeçare të jep një ndjesi që nuk ka çmim. Është diçka që nuk përshkruhet.
Keni frikë nga dita që do të pasojë lamtumirën tuaj?
Jo, frikë nuk kam. Sigurisht do të më mungojnë disa gjëra. Do të më mungojë jeta e një futbollisti. Do të më mungojnë dhomat e zhveshjes dhe ndeshjet. Por frikë besoj se duhen të kenë ata persona që nuk dinë se si të kalojnë kohën e lirë. Për fat të mirë këtë çështje unë e kam zgjidhur. Është e qartë se asgjë nuk do të jetë si më parë, por unë jam gati pasi do të vazhdoj të jem pjesë e botës së futbollit. Kjo do të më mbajë të gjallë.
Pra, do të vishni xhaketë dhe kravatë?
Shpresoj të mos jetë e nevojshme. Ëndërroja ta mbyllja karrierën tek Interi, në shtëpinë time dhe ia dola. Ishte një zgjedhje jete kur vendosa që të mbyllja karrierën në Itali. Ndërsa tani me kompetencat e një menaxheri sportiv, do të mundohem t’i vij në ndihmë skuadrës edhe jashtë fushës.
A mendoni se do t’ju rrëmbejnë emocionet?
Të shtunën do të luajmë ndaj Lacios dhe mendoj se do të më kenë përgatitur diçka edhe tifozët, edhe pse anësorja e jugut të impiantit do të jetë e mbyllur. Në fund të takimit me Kievon, jam i sigurt se pas vërshëllimës së arbitrit e tëra karriera do të më kalojë para syve. Do të shikoj babanë, nënën, gruan, tre fëmijë e mi. Do të shikoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Nuk e di sesi do të reagoj…
Cilat ndeshje të karrierës tuaj do të luanit për së dyti?
Dy. Njërën me qëllim që të gëzoj edhe njëherë atë moment dhe tjetrën sepse do të doja të ndryshoja fundin. Do të luaja përsëri finalen e Ligës së Kampioneve të 2010-ës. Do të doja të përjetoja sërish momentet magjike në “Bernabeu”. Ndërsa do të jepja gjithçka për të luajtur sërish ndeshjen ndaj Suedisë, ajo që na nxori nga Botërori i vitit 2002.
Çfarë ju habit nga karriera juaj?
Numrat dhe statistikat. Unë kam luajtur 1112 ndeshje. Jam krenar pasi jam lojtari i katërt në historinë e futbollit për nga numri i ndeshjeve të zhvilluara. Jam krenar pasi jam argjentinasi i vetëm në këtë renditje dhe prej katërshes së parë jam i vetmi që nuk luaj në portë. Unë jam lojtari i huaj me më shumë ndeshje në Serinë A. Vetëm Paolo Maldini ka luajtur më shumë se unë në atë kampionat. Shpeshherë pyes veten: ‘Me të vërtetë kam bërë të gjitha këto?!’, pastaj krenohem.
Po në Argjentinë ndiheni i vlerësuar?
Edhe në Argjentinë më kanë vlerësuar për atë që kam bërë, edhe pse më është dashur pak më shumë kohë. Nga vendlindja ime kam marrë shumë përkëdhelje, ashtu siç kam marrë kritika nga mediat. Unë kam nderuar ngjyrat e Argjentinës kudo. Ndër të tjera, gjithmonë kam dashur të vesh këtë fanellë edhe në momentet kur Argjentina nuk kalonte kohë të mira.
Mund të na thoni tre shokët e ekipit më të fortë të të gjitha kohërave?
Ronaldo, Mesi dhe Baxhio.
Po tre kundërshtarët më të fortë të të gjitha kohërave?
Gigs, Kaka dhe Zidan.
Mendoni se jeni shembull?
Shpresoj, por nuk e di nëse mund ta konsideroj veten një shembull, pasi mund të dukem si fodull. Shpresoj që djemtë e rinj të mësojnë gjëra të mira nga karriera ime. Dua që të shikojnë me kujdes mënyrën si e kam ndërtuar karrierën si futbollist.
Ju ndodh të nevrikoseni?
Po, shumë herë më shumë nga çmendojnë njerëzit. Ju them se edhe në momentet e papërshtatshme mund të shihen gjerat e mira.

Zaneti nisi të luajë futboll kur…
Zaneti nisi të luajë futbolli në 1992-in… atëherë kur ekipi i Njuells Bojs i “Loco” Bielsës humbi finalen e Kupës Libertadores përballë ekipit legjendar St.Paul Tele Santana. Në atë vit, Najxhëll Mansell u shpall kampion botë në Formulën 1. Ndërsa në Europë Danimarka e vëllezërve Laudrup festoi titullin kampion Europe, edhe pse nuk ia kishin dalë të kualifikohej në fazën finale. Në tenis Xhim Kurier triumfoi në “grand slam”-in e Australisë dhe Stefan Edberg bëri të njëjtën gjë në atë të SHBA-ve (U.S. Open). Në 1992-in Xhonsoni “magjik” dhe Majkëll Xhordan udhëhoqën SHBA-të drejt medaljes së artë në Olimpiadën e Barcelonës. Në atë kohë, “Dream Team” i Çak Dalit u paraqit për herë të parë në një olimpiadë me lojtarë të NBA-it. Po në 1992-in, një djalë me emrin Lionel Mesi ishte vetëm 5-vjeç dhe në krahët e së ëmës, Selia, po shkonte në kolegjin “Las Heras”, në Rozario.

Karriera e Zanetit, mes 10-të rekordesh
Mbase edhe mënyra e thjeshtë se si i dha lamtumirën futbollit të luajtur është një rekord më vetë për Havier Zanetin. Mbrojtësi i palodhur i Interit i ka dhënë fund ditën e djeshme aventurës brenda katërkëndëshit të blertë… aty ku vendosi një sërë rekordesh.
613 – “Pupi” është lojtari jo italian që ka regjistruar numrin më të lartë të paraqitjeve në Serinë A. Me 613 takime të zhvilluara, 41- vjeçari mban këtë rekord të veçantë në një kampionat të fortë si Seria A. Zaneti është i dytë në renditjen e lojtarëve me më shumë prezenca në këtë ligë. Vetëm Paolo Maldini me 647 takime e lë prapa. Ndërkohë që në vendin e tretë ndodhet edhe Xhianluka Paljuka me 592 prezenca.
40 – Zaneti është lojtari i huaj më i vjetër që ka luajtur në Serinë A. Në Inter-Napoli të 26 prillit të kaluar ai ishte 40-vjeç e 259 ditësh. Nëse luan në ndeshjet e fundit mund të përmirësojë gjithçka.
856 – “Pupi” është lojtari me më shumë prezenca tek Interi. Ai mban rekordin në këtë klub, pasi është lojtari që ka veshur ngjyrat zikaltër më shumë se kushdo tjetër në Serinë A, në Kupën e Italisë, Kompeticionet UEFA dhe Ligën e Kampioneve.
162 – Argjentinasi është lojtari i vetëm që ka luajtur 162 ndeshje me radhë për Interin. Nga 28 tetori i 2006-ës deri në 13 dhjetor të 2009-ës. Ai është edhe lojtari me më shumë ndeshje të njëpasnjëshme në Serinë A. Nisi në 28 tetori i 2006-ës dhe e përfundoi më 28 mars të 2010-ës kur luajti edhe takimin e 137-të radhazi për ngjyrat zikaltër.
47 – Havier Zaneti është lojtari që ka luajtur më shumë derbi të “Madoninës” për Interin. Ai ka luajtur 27 herë këtë takim, tre herë më shumë se Bepe Bergomi dhe 7 herë më shumë se Xhaçinto Faketi.
15 – Mbrojtësi i krahut të djathtë është lojtari më fitues i Interit si kapiten. Me këtë “detyrë” ai fitoi 15 trofe (5 “scudetto”, 4 Kupa Italie, 4 Superkupa Italie, 1 Ligë Kampionesh dhe 1 Kupë Bote për Klube).
82 – Zaneti është lojtari i vetëm në historinë e Ligës së Kampioneve që ka luajtur 82 takime si kapiten.
7 – Është lojtari i vetëm që ka marrë pjesë në 7 Superkupa Italie.
37 – Zaneti është lojtari më i vjetër që ka shënuar në Kupën e Botës për Klube. Në Seongnam-Inter (0-3) ai shënoi kur ishte 37- vjeç e 127 ditësh.
145 – Ai është lojtari më me shumë prezenca tek Argjentina. Luajti ndeshjen e 145-të me këtë përfaqësuese më 16 korrik të 2011-ën në Uruguai-Argjentinë (e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Amerikës).
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"