Xhakarta 1963, kur Manush Myftiu kërcënonte pjesëmarrësit me burg. Shqipëria ngjitej në podium, por sportistët ishin të stresuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2023 | 19:40

Xhakarta 1963, kur Manush Myftiu kërcënonte pjesëmarrësit me burg. Shqipëria ngjitej në podium, por sportistët ishin të stresuar

Nga UVIL ZAJMI
Lojërat botërore të GANE FO-s, përveç përfaqësimit, patën disa momente historike, siç janë edhe medaljet e fituara nga sportistët shqiptarë. Kjo, diçka e veçantë, e rrallë, kur në podiumet e atletikës, qitjes dhe të boksit do të ngjiten kampionët Ismail Rama, Ramazan Driza, Martin Çeta dhe Rami Sadushi. “Panorama Sport” ka mundur të bisedojë me medalistët, atletin Ramazan Driza, boksierin Rahmi Sadushi dhe basketbollistin Vaso Shaka, protagonistë absolutë të asaj veprimtarie botërore, pasi një pjesë tjetër janë ndarë nga jeta.

Vaso Shaka, para një takimi

Vaso Shaka, para një takimi

VASO SHAKA: SHËNUESI MË I MIRË, NJË ZBULIM I ARMILOTËS
Nga ajo GANEFO, legjenda e basketbollit, Vaso Shaka, ruan disa momente tejet të veçanta. “Kujtoj se nga Shqipëria jemi larguar në muajin korrik dhe jemi kthyer në fund të nëntorit. Me Partizanin morëm pjesë në një turne të gjatë në RP të Kinës, në kampionatin e ushtrive mike të vendeve socialiste dhe më pas në RPD të Koresë. Më pas në Xhakarta. Për ceremoninë e hapjes më caktuan mua të mbaja flamurin kombëtar. Nuk isha më shumë se 20 vjeç. Ne do të parakalonim të dytët, pas Afganistanit. Ishin rreth 2700 sportistë në total.

Ceremonia zgjati më shumë se tri orë. Ajo u shoqërua me 21 të shtëna artilerie. U lexua zotimi i sportistëve, u ngrit flamuri i GANEFO-s dhe më pas u lëshuan pëllumba, topa, tullumbace shumëngjyrëshe. Ndërkohë, turneu i basketbollit u zhvillua me rivalitet. U renditëm Xhakarta. Për ceremoninë e hapjes më caktuan mua të mbaja flamurin kombëtar. Nuk isha më shumë se 20 vjeç. Ne do të parakalonim të dytët, pas Afganistanit. Ishin rreth 2700 sportistë në total. Ceremonia zgjati më shumë se tri orë. Ajo u shoqërua me 21 të shtëna artilerie. U lexua zotimi i sportistëve, u ngrit flamuri i GANEFO-s dhe më pas u lëshuan pëllumba, topa, tullumbace shumëngjyrëshe.

Ndërkohë, turneu i basketbollit u zhvillua me rivalitet. U renditëm në vendin e pestë më katër fitore dhe tri humbje. Nuk kisha asnjë informacion rreth pikëve të shënuara. Surprizën ma ka bërë pak kohë më parë gazetari italian, njohës i mirë i sportit shqiptar, Xhovani Armilota, kur pas një hulumtimi të tij për ndeshjet tona në Xhakarta, ka mundur të zbulojë se atje kam shënuar 193 pikë. Madje, duke përcaktuar edhe pikët e realizuara në çdo ndeshje, jo vetëm për mua, por edhe për basketbollistët e tjerë. Sinqerisht jam befasuar”.

BOKSIERI/ Rahmi Sadushi: Medalja më me vlerë që kam në jetë

Ndonëse mosha dhe vitet kalojnë, kur e takon në një kafe në Kombinat ku banon prej kohësh, e kupton se sa pak ka ndryshuar, pavarësisht se te të 80-at i ka lënë pas. “Si ish-ushtarak, kam bërë dhe vazhdoj të bëj një jetë të rregullt”, – thotë. Korrekt, i qetë, pasi sheh fotot, atë me medaljen në podiumin e Xhakartës, e kupton se ke pranë një kampion, një legjendë të gjallë për të cilin pak është shkruar. Me një kujtesë brilante, për “Panorama Sport”, ai thotë: “Nga GANEF ruaj fotot, dorezat dhe medaljen e argjendtë, të cilën ia kam dhuruar djalit”.

Rahmi Sadushi në podium Rahmi Sadushi duke folur për gazetën

Rahmi Sadushi në podium (m); Rahmi Sadushi duke folur për gazetën (d)

Z. Sadushi, nis përgatitja për GANEFO-n, boksierët janë në linjën e parë, apo jo?
U grumbulluam në hotel “Internacional” në Tiranë, ishim 28-29 boksierë të kampionatit kombëtar që sapo kishte përfunduar, sigurisht kampionët e çdo peshe. Me tre trajnerë, paradite stërviteshim për përgatitje fizike tek ish-fusha e futbollit “Partizani”, pranë ish-Shkollës së Partisë. Ndërsa në mesditë në Pallatin e Sportit.

Ka ndryshim, reduktim në grupin e boksierëve. Pse?
Ai ishte një aktivitet i madh për kohën. Ndonëse u përgatitëm të shkonim një grup jo i vogël, gjithçka ndryshoi pak ditë para nisjes. U reduktuam, pasi erdhën atletë. Dhe, në Tiranë, pikërisht ato ditë, do të vinte një ekip boksierësh koreanë. Vetë tre, unë, Martin Çeta dhe Hysen Sharra u nisëm. Shoqërues ishte Alush Abdihoxha, shef i sporteve të rënda, boksit, ngritjes së peshave. Trajner ishte Ali Kastrati.

Cila ishte atmosfera në prag të udhëtimit për në Indonezi?
Te boksierët, mjedisi ishte një atmosferë jopozitive. Para se të shkonim për në Lojërat e GANEFO-s, nën zë flitej se boksi do të hiqej.

Jemi në Xhakarta, një tjetër klimë ju pret. A u përshtatët?
U nisëm nga këtu të veshur me pallto të mëdha, por aty gjetëm temperaturën 40 gradë. U detyruam të ndërronim veshjen. Bukarno ishte një qytet sportiv, me një stadium, sallat e boksit, mundjes, sporteve të rënda të vendosura në periferi. Aty ishte kampingu ku flinin, ushqimi, stërvitja. Dy ditë përgatitje për të rënë nga pesha duke bërë kros. Kam takuar edhe atleten koreane, Kin Sim Dan. Edhe ajo ishte e kujdesshme, bënte vrap të ruante peshën.

Startojnë ndeshjet dhe garat që hapen me sportet e rënda…
Sportet e rënda, si boksi dhe mundja, ishin të parat që nisën veprimtarinë. Pallati i sportit ishte i mbushur me spektatorë. Aty u zhvillua turneu i boksit në kushte jo të lehta nga vapa e madhe. Ndeshjet zhvilloheshin në mesditë, sallat gjysmë të mbuluara, gjysmë të hapura.

Z. Rahmi, flasim pak për sfidat tuaja. Çfarë mbani mend?
Unë isha në pesha pupël 57-60 kg, por 180 m i gjatë, në kontrast të dukshëm me boksierët e kësaj peshe që në përgjithësi janë shtatshkurtër. Me duart e gjata tërhiqja vëmendjen. E para, me boksierin Omar Muhamed nga Arabia e Bashkuar, që nuk zgjati as 36 sekonda, kundërshtari ra nokaut. Sfida e dytë, përballë kamboxhianit Nu Pen, e fitova me pikë. Sfida e tretë, në ring me një boksier nga Algjeria, i cili nuk u paraqit.

Në ring Rahmi Sadushi, çaste nga takimi i parë

Në ring Rahmi Sadushi, çaste nga takimi i parë

Jeni në finale, një medalje edhe për qeveritarët shqiptarë, apo jo?
Një ditë para finales, i them Ali Kastratit: “Nëse do të marrim medaljen e artë do t’i dalim përballë qeverisë që do të heqë boksin…” Një medalje e fituar do të ishte një argument, dëshmi më shumë, për të mbrojtur boksin, duke u treguar qeveritarëve se ai sport ishte jo vetëm popullor, por triumfonte edhe me medalje në turne të mëdhenj ndërkombëtarë.

Thuhet se u ankuat për padrejtësi nga arbitri, pasi nuk e ndëshkoi kundërshtarin… Është e vërtetë?
Në përgjithësi, para ndeshjeve nuk haja asgjë nga frika se mos më rëndonte. Kam konsumuar vetëm një çokollatë, por më bëri reaksion, më krijoi shqetësim. Më pa Aliu dhe më pyeti: “Çfarë ke, nuk të shoh mirë?” Gjithsesi, ashtu u futa në ndeshje, tri raunde me shumë rivalitet. Me pikë fitoi boksieri korean Han Jong Ho. Ndonëse më çau në dy vetulla, gjyqtari nuk reagoi për lojë jokorrekte. Ai duhet ta skualifikonte, por nuk ndodhi.

Një turne, fitohet eksperiencë, por ka edhe njohje…
Atje u njohëm me disa boksierë meksikanë. I kishte ftuar federata indoneziane për të demonstruar boksin profesionist. U afruan dhe u miqësuan me mua. Ata ndikuan, më mbështetën edhe në ndeshjet e mia, përpara dhe kur dilja në ring. Më dhuruan një palë doreza boksi. Në Xhakarta kam takuar disa herë nënkampionin olimpik të boksit, rusin Vladimir Engibaraiand.

Riktheheni në Tiranë, një situatë e zymtë ju pret…
Në Shqipëri erdha si nënkampion, medalje e argjendtë në një olimpiadë botërore me 51 shtete pjesëmarrëse. Isha 21 vjeç, i brengosur, me pak shpresë, pasi nuk do të boksoja më. Unë dhe shokët e mi. Vitet 1958- 1963. Periudha kur vërshoi një plejadë me boksierë të rinj me perspektivë, që i dhanë jetë këtij sporti. Pati ngritje të lartë në aspektin teknik. Nga Xhakarta dua të kujtoj boksierët Hysen Sharra, Martin Çeta. Të dy janë ndarë nga jeta.

Cili ishte vlerësimi, çfarë shpërblimi morët?
Nuk na dhanë asnjë shpërblim. Ndërkohë, medalja peshonte rreth 400 gramë argjend. E kam ruajtur si të shenjtë, bashkë me një palë doreza prodhim shqiptar me qime derri për të amortizuar goditjet. I kam në gjendje të mirë edhe për faktin se pas Xhakartës nuk boksova më. Indonezia ishte fundi i karrierës për mua dhe të gjithë boksierët. Të paktën e mbylla në podium, vendi i dytë në një olimpiadë. Jam i vetmi boksier në historinë e boksit shqiptar që kam medalje argjendi. Pastaj një jetë si pedagog në Shkollën e Bashkuar “Skënderbej”.

ATLETI / E bënë lëmsh me gjyle dhe disk, Driza: Manush Myftiu tha “je për burg”

Një ndër protagonistët absolutë të asaj veprimtarie, zhvilluar në Indonezinë e largët, fitues i dy medaljeve, rrëfen për “Panorama Sport”: “Bashkë me peripecitë në prag të nisjes deri te debati i podiumit. Një histori që nuk e harroj edhe sot”.

Ramazan Driza duke folur për gazetën Ramazan Driza në podium

Ramazan Driza duke folur për gazetën (m); Ramazan Driza në podium (d)

Z. Driza, është e vërtetë që nisët përgatitjet pa e ditur që ju pret GANEFO?
Ishte fundi i shtatorit, fillimtetori. Më thonë të mos filloj përgatitjen fizike dimërore që të mos humb formën për arsye se ka një aktivitet. Por, askush nuk u dinte se kur dhe ku. Trajner kam pasur Dilaver Toptanin. Në një garë kontrolli isha i sëmurë. Nuk arrita nivelet normale të miat. Gjatë një analize me drejtues të sportit, Vasil Konomi, kryetar i Sportit, më drejtohet me këto fjalë: “Driza, nuk do të vish në Xhakartë!” Aty u zbulua ku do të shkohej. Unë reagova, debatova, u krijua një atmosferë e tensionuar dhe u përgatita moralisht që nuk do të udhëtoja.

Sërish garë kontrolli dhe ju regjistruat një rezultat surprizë në gjyle, apo jo?
Delegacioni me zyrtarët u nis për në Xhakarta dy javë para. Ndërkohë, nga specialistë të atletikës, u bisedua me trajnerin Zef Hila dhe në “Qemal Stafa” u organizua një garë kontrolli. Garova, por i demoralizuar, pasi më thanë që nuk do të shkoja në Xhakarta. Aty e hedh gjylen 16 metra. Hera e parë që arrija këtë largësi. Në atë kohë, Koçi Zengën që mbulonte sportin në Komitetin Qendror, e njoftuan për situatën e krijuar me atletikën, me mua. Ishte ai që urdhëroi të përsëritej gara e kontrollit. I pranishëm në stadium, duke qenë prezent te gjyqtaria në matjen e hedhjes sime 16 metra. Pastaj pasaporta, kaos, do të shkojmë, nuk do të shkojmë, pra shumë pasiguri. Ndërhyri Koçi, që siguroi vizat.

Në Xhakarta vjen befasia e parë, ju kujtohet çfarë ndodhi?
Kur zbritëm atje, kishte dalë për të na pritur edhe Vasil Konomi, që kur më pa, shtangu: “Kush të pruri ty këtu”, më tha. “Nuk e di, – iu përgjigja. Ata që të kanë sjellë ty, ata më kanë sjellë edhe mua”. Në aeroport, por edhe rrugët, ishin mbushur me banorë që na përshëndesnin duke brohoritur dhe krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme festive. U sistemuam në fshatin olimpik në periferi të qytetit. Lëviznim me dy vetura, një autobus. Tre shoferë kishim në dispozicion. Aty bënim stërvitje. Erdhën basketbollistë prej turneut në Kinë dhe Kore, u bashkuam të gjithë. Materialet sportive për stërvitje e gara i kishim nga prodhimet tona. Gjithçka të prodhuar në Shqipëri.

Kushtet klimaterike ishin një kundërshtar më shumë për sportistët, apo jo?
Ishim të paambientuar me ato kushte klimaterike. Temperatura të larta rreth 37-40 gradë, vapë e madhe, që ndikuan në rezultatet teknike, jo vetëm te ne, por edhe te mjaft sportistë të tjerë. Në përgjithësi në tërë atë veprimtari.

Fillimisht në disk fitohet medalje, por…
Isha përgatitur për gjylen, pastaj diskun që e kisha garë të dytë. Fillimisht në disk, ndonëse nuk pretendoja, e hodha 43.98 metra duke u renditur i treti pas dy kinezëve. Dhe, medalja e bronzit. Në përfundim të saj, drejtuesit shqiptarë donin të sillnin për gazetën “Sporti” fotografinë time me medaljen. Më lajmërojnë të dal në podium të nesërmen në orën 16:00, pikërisht në kohën kur niste gara e gjyles.

Edhe çfarë ndodhi më pas?
Për ta ishte më e rëndësishme fotoja ime në podium me medaljen, sesa gara e gjyles për të cilën isha përgatitur dhe në fakt qëllimi im ishte konkurrimi në këtë disiplinë, jo në disk. Më duhej të bëja nxehjen të paktën gjysmë ore para fillimit. Pra, ishte e pamundur që të dilja në podium dhe të garoja në të njëjtën kohë. “Shkoni flisni me gjyqtarinë se ata mund të shtyjnë podiumin edhe dy orë më vonë…”, reagoja unë. Por, “Në podium në orën 16:00 të jesh aty”, ishte qëndrimi i tyre pa e diskutuar farë garën e gjyles. Dhe kjo e shoqëruar me një sjellje të ashpër që edhe sot më ka mbetur në mëndje. Sami Kolaneci, më thoshte: “Dil me medalje”. Unë ndërsa flisja më shkonin lot. Isha 22 vjeç. Pra, duhet të braktisja garën e hedhjes së gjyles.

Në pedanë për hedhjen e gjyles, por mungon emri juaj. Pse?
Hipa në podium, mora medaljen dhe me vrap te pedana e gjyles. E gjej të prishur emrin tim, pasi kishin thirrur dy herë. Vazhdonin eliminatoret, ende nuk kishte përfunduar, sepse në të kundërtën nuk mund të konkurroja. Shoh regjistrin e garës, si tani më kujtohet, vietnamezi ishte i 6-ti. I fundit që do të garonte. I them sekretarit të tavolinës se jam unë ai që i ke hequr emrin, shkruaje edhe një herë se do të garoj, ndonëse isha krejt pa nxehje. Ai hapte sytë. Ashtu i papërgatitur siç isha, mora gjylen dhe e hodha 15.10 metra. U futa në finale.

Disk, gjyle… Do të konkurronit edhe në hedhjen e çekiçit?
Nuk kisha kohë për t’u përgatitur sepse gjashtë hedhësve u vinte shpejt radha. Kur isha në pedanë, kinooperatori i Kinostudios më rrinte para, më filmonte duke më penguar dhe shqetësuar. Më bëri nervoz. E duke debatuar me të, ashtu e kam hedhur gjylen. Rezultati më i mirë mbeti ai 15.10 metra. U rendita i treti, medalje e bronzit. Normalisht po të kisha bërë nxehjen, të isha më i qetë, do të kisha zënë vendin e dytë. Pastaj Zefi më thotë të merrja pjesë edhe në hedhjen e çekiçit. E pata të vështirë, pak e kisha praktikuar, sidoqoftë arrita 43.62 metra.

Z. Driza pas kthimit në Tiranë u zhvillua analiza me debate…
Analiza a GANEFO-s u bë në ministri ku ishte edhe Manush Myftiu. Vasil Konomi shpërtheu ndaj meje: “Na ke gënjyer, na ke thënë se e ke hedhur 16 metra, ndërsa atje e vetëm nuk shkoi më shumë se 15 metra”. “Po të ishte për ty, – i përgjigjem, – nuk duhet të garoja. Ti më urdhërove dil bëj foto në podiumin e diskut dhe në garën e gjyles u futa pa nxehje…” Më akuzuan deri në atë pikë sa filluan të thoshin se kam dashur të iki, të arratisem. Në atë debat të tensionuar, – “ky qenka për t’u futur në burg”, – tha Myftiu. Ishte Koci që ndërhyri: “Këtë djalë e njoh mirë. E di kush është. T’i kishim të gjithë sportistët e tjerë si ai, do kishim rezultate edhe më të mira”. Kur dolëm nga mbledhja, dikush më tha: “Xon, të mos kishte qenë Koci do të vinte gazi te shtëpia”. Viti 1969, e mbylla. Isha Mjeshtër i Merituar i Sportit, kur në stadiumin e Elbasanit, i sëmurë me temperaturë, pasi mbaroi gara, shkova në hotel. Më akuzuan pse nuk u ngjita në podium dhe më përjashtuan. Një sjellje që më detyroi të ndahem me atletikën, garat dhe spektatorin.

INTERVISTOI UVIL ZAJMI

LOJËRAT BOTËRORE / Çfarë ishte GANEFO?

Të njohura si Lojërat Botërore të organizuara kundër imperializmit, kolonializmit dhe racizmit dhe si kundërvënie e atyre Olimpike “Tokio 1964”. GANEFO, “The Games of the New Emerging Force”, ishte manifestim me sportistë kryesisht të shteteve socialiste, së bashku me disa vende të botës së tretë. Si turneu i parë, ato u zhvilluan në Xhakarta, kryeqyteti i Indonezisë nga 10 – 22 nëntor 1963.

Morën pjesë 51 vende dhe midis tyre edhe katër vende të NATO-s, Italia, Holanda, Belgjika, Franca, si dhe Bashkimi Sovjetik. Por konkurrues vetëm në disiplina joolimpike dhe me sportistë jo të kualifikuar për në Tokio. Në program janë 22 disiplina sportive: Atletikë e lehtë, badminton, futboll, çiklizëm, gjimnastikë, hokej në bar, mundje, not, basketboll, vaterpolo, boks, skermë, peshëngritje, tenis, etj.

GANEFO e parë u konsiderua një spektakël i madh mediatik, duke shpërndarë në të gjithë botën imazhe të atletëve aziatikë, rekordet botërore të vendosura nga koreania Sin Kim Dan në 400 metra (51.4) dhe në 800(1.59.10), si e para atlete femër nën 2 minuta. Ato nuk u njohën nga CIO, i cili nuk njohu gjithashtu Kinën si fituese të 68 medaljeve ari, 58 argjendi dhe 45 bronzi.

Gjithashtu disa federata ndërkombëtare, si ajo e atletikës, e notit, nuk i njohën rezultatet duke i përjashtuar, pezulluar sportistët nga garat e tyre. GANEFO e dytë u projektua në Kajro më 1967, por u pezullua dhe nuk u zhvillua. Ndërkohë që ajo vijuese u organizua në Pnom Pen më 1966, e njohur si “GANEFO aziatike”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"