VOLEJ MESHKUJ/ Derbi për infarkt, Tirana mposht Farkën në frymën e fundit. Fitojnë Partizani dhe Erzeni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2019 | 17:18

VOLEJ MESHKUJ/ Derbi për infarkt, Tirana mposht Farkën në frymën e fundit. Fitojnë Partizani dhe Erzeni

Java e tretë e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj dhuroi sfida emocionuese dhe me shumë rivalitet.

tirana farka volej meshkuj

Takimi më spektakolar i ditës së djeshme ishte derbi i kryeqytetit, i zhvilluar në “Farie Hoti”, që vendosi përballë Tiranën dhe Farkën. Një sfidë me përmbysje dhe ripërmbysje që u vendos vetëm në frymën e fundit në favor të Tiranës.

Që do të kishim një përballje me shumë rivalitet, u kuptua që në fillim, ku lojtarët e rinj të Farkës e vendosën në vështirësi serioze Tiranën. Megjithatë, bardheblutë e Ilia Kojës e fitojnë setin e parë 25-22. Në setin e dytë Tirana luan më mirë dhe fiton pa shumë probleme 25-17, duke marrë epërsinë e dyfishtë të seteve. Por ekipi i talentuar i Farkës nuk e ka aspak ndërmend të dorëzohet dhe me një lojë spektakolare arrit të marrë me meritë dy setet radhazi 21-25 dhe 25-23.

dd

Gjithçka do të vendoset në setin final. Edhe këtu ekipet luftojnë pikë për pikë, por vetëm në frymën e fundit, Tirana ia del të triumfojë 15-13 në një sfidë drithëruese që zgjati 2 orë e gjysmë. Megjithatë, ekipi i Dritan Bardhit del me kokën lart dhe merr një pikë të merituar nga derbi.

Pas dy humbjeve, Partizani merr fitoren e parë në kampionat. Kampionët e Shqipërisë përmbysin Vllazninë në “Asllan Rusi” me rezultatin 3-1.

hh

Miqtë e nisin mirë duke fituar setin e parë 21-25, por më pas të kuqtë e Ylli Tomorit reagojnë fuqishëm, duke kthyer gjithçka në favor. 25-23 fitojnë në setin e dytë dhe më pas shpërthejnë në dy setet e tjera 25-12 dhe 25-14, duke e fituar të gjithë ndeshjen 3-1.

Erzeni vazhdon të mos lërë asnjë pikë rrugës dhe dje mori fitoren e radhës në kryeqytet, duke mundur Studentin në shifrat 1-3 (17-25, 12-25, 25-22, 19- 25). Një ndeshje e kontrolluar nga skuadra e Sakos që vazhdon të kryesojë kampionatin me 3 fitore në po kaq javë.

hga

Gjithashtu, fitoren e tretë e mori edhe Skënderbeu, që mposhti në transfertë Elbasanin me rezultatin e pastër 0-3 (20-25, 20- 25, 20-25).

jg

Të tria setet u luajtën nën diktatin e korçarëve që vazhdojnë të njohin vetëm triumfe.

cca

V.Mema/ A.Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"