Vllaznia, skema e Josës mund të penalizojë Vulajn/ Klubi po kërkon një sulmues krahu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 23:31


Vllaznia, skema e Josës mund të penalizojë Vulajn/ Klubi po kërkon një sulmues krahu

Kristjan Vulaj mund të jetë i sakrifikuari i madh i skemës që përdor Mirel Josa te Vllaznia. Sinjalet e para u dhanë që në dy ndeshjet e Ligës së Konferencës kundër Universitatea Kraiovës, kur fantazisti nga Tuzi e nisi nga stoli dhe luajti vetëm në 20 minutat e fundit në takimin e kthimit në Rumani. Vulaj është një mesfushor me tipare sulmuese, një numër 10 tipik, që më së shumti përshtatet si një lojtar që qëndron pas sulmuesit kryesor.

KRISTJAN VULAJ

Mirëpo, me skemën 4-3-3 që preferon Josa, 24- vjeçari duket se do ta ketë shumë të vështirë të zërë një vend në formacion. Trajneri preferon tre mesfushorë me të tjera karakteristika dhe për moment Jonuzi, Boshnjaku dhe Marku shihen si më të përshtatshëm me këtë skemë, pa përjashtuar këtu boshnjakun Heriç. Ndryshon qëndron çështja kur skema e Vllaznisë mund të jetë 4-2-3-1 apo 4-4-1- 1, pasi kjo favorizon lojtarin nga Tuzi.

Megjithatë, Vulaj mund të përshtatet edhe në rolin e një sulmues krahu, kryesisht në të majtë, por në këtë pozicion shihet si titullar i padiskutueshëm Latifi, në një kohë që në mungesë të këtij të fundit, Josa përdori Çobën nga minuta e parë në dy ndeshjet me rumunët. Vetë trajneri, kur u pyet për mosaktivizimin e Vulajt në ndeshjen e parë në Shkodër ndaj Universitateas, bëri këtë deklaratë:

josa

“Nëse hidhja në fushë Vulajn, atëherë aktivizimi i tij do të na bënte të ndryshonim totalisht sistemin e lojës. Në ato momente, një trajner nuk shikon që të kthejë rezultatin, por ta ruajë atë. Pastaj, kartoni i verdhë që mori Vulaj duke bërë nxehje, më shty më shumë që të mos e aktivizojë”.

LATIFI – Pasi humbi një pjesë të mirë të fazës përgatitore dhe u aktivizua vetëm si zëvendësues në ndeshjet e Ligës së Konferencës, sulmuesi i krahut, Liridon Latifi, po e merr veten. Lojtari është stërvitur fort këtë periudhë, duke rritur parametrat fizikë. Deri më 20 gusht, kur nis dhe kampionati, pritet që kosovari të jetë 100 % gati për të luajtur nga minuta e parë. Ky është sezoni i dytë që Latifi është pjesë e Vllaznisë, teksa në të parin fitoi kupën.

vllaznia

MERKATO – Klubi i Vllaznisë ka afruar deri më tani lojtarë si Lorik Boshnjaku, Dajan Shehi, Kristjan Vulaj, Marko Juriç, Herald Marku dhe të rikthyerin nga huazimi Kaina Nunjesh. Burime në klub tregojnë se po shqyrtohen disa pista së fundmi për afrimin e një sulmues krahu. Vetë Josa preferon që lojtari, i cili pritet të afrohet, të jetë vendës ose të ketë luajtur në Kosovë apo Maqedoninë e Veriut. Trajneri kërkon futbollistë që përshtaten shpejt dhe mbi të gjitha njohin Superioren.

PANORAMASPORT.AL