Vizat në Beograd, merr fund ankthi për kosovarët e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2016 | 9:32

Vizat në Beograd, merr fund ankthi për kosovarët e Partizanit

Merr fund ankthi i pajisjes me viza hyrëse në Rusi për Labinot Ibrahimin dhe Ylber Ramadanin. Të dy lojtarët do të pajisen me vizë sot nga ambasada ruse në Beograd. Përfaqësia diplomatike e Rusisë në Shqipëri, për shkak të modaliteteve konsullore të operimit, e ka të pamundur që t’u japë vizë shtetasve me pasaportë kosovare.

ramadani ibrahimi

Në këto kushte, ambasada ruse në kryeqytetin shqiptar e ka orientuar klubin “Partizani” që t’i drejtohet Ambasadës së Rusisë në Beograd për të marrë vizat për Labinot Ibrahimin dhe Ylber Ramadanin. Fillimisht ky orientim i përfaqësisë ruse në Shqipëri u mor si provokim dhe çështja u ngjyros me nota gjeopolitike, për vetë faktin se Rusia nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Gjithsesi, zhurma e vizave ruse për dy lojtarët e Partizanit po shkon drejt fundit. Pak rëndësi ka për lojtarët dhe klubin se ku do ta marrin lejen hyrëse për në Rusi, në ambasadën ruse në Tiranë apo në Beograd. Aplikimi për vizë në ambasadën ruse në Serbi do të bëhet vetëm për Ramadanin dhe Ibrahimin, pasi pjesa tjetër e skuadrës dhe e delegacionit e ka kryer këtë procedurë në kryeqytetin shqiptar.

burba ranxhi

Gerald Burba dhe Olsi Ranxhi duke udhetuar drejt Beogradit

Gjatë ditës së djeshme, drejt Beogradit kanë udhëtuar dy zyrtarë të klubit të Partizanit, në mënyrë që sot ata të jenë të pranishëm në Ambasadën e Rusisë në kryeqytetin serb, për të marrë vizat e Labinot Ibrahimit dhe Ylber Ramadanit. Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport” edhe nga sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba.

“Kemi ardhur në Beograd për t’u paraqitur nesër (sot) në ambasadën ruse në Serbi për të marrë vizat për Ylber Ramadanin dhe Labinot Ibrahimin. Për shkak të procedurave diplomatike që kanë shtete të ndryshme për futbollistët me pasaportë kosovare ishte më e lehtë pajisja me vizë në ambasadën ruse në Beograd sesa në Tiranë.

Ndodhemi këtu me rekomandimin e përfaqësisë ruse në Shqipëri dhe na është premtuar që të hënën të dy lojtarët do të pajisen me vizë hyrëse për në Rusi për ndeshjen e 18 gushtit me Krasnodarin. Këto janë procedura burokratike që duhen ndjekur, por pak rëndësi ka për ne, pasi primare mbetet që grupi të jetë i plotë dhe asnjë lojtar i Partizanit të mos privohet nga ndeshja për shkak të pasaportës që posedon”, u shpreh sekretari i të kuqve të kryeqytetit, Gerald Burba, për “Panorama Sport”.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"