VIDEO/ Triumf me përmbysje, Partizani fiton derbin dhe i rrezikon “Final Four” Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 23:59

VIDEO/ Triumf me përmbysje, Partizani fiton derbin dhe i rrezikon “Final Four” Tiranës

Derbi i kryeqytetit është përsëri i kuq. Partizani ka fituar me shifrat 2-1 me përmbysje sfidën e ethshme në “Air Albania”, duke siguruar një rezultat të rëndësishme që e ngjit në vendin e dytë ndërsa rrezikon vendin në katërshe të bardhebluve.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Sfida ka qenë mjaft interesante, e ndezur sidomos nga një gol i shpejtë i Tiranës që goditi me mundësinë e parë që iu dha me Latifin. Por me kalimin e minutave, Partizani kërkoi me ngulm golin, duke e gjetur atë falë një penalltie të shkaktuar nga portieri Abdullahu, i cili bëri një gabim në largimin e topit.

Një tjetër përgjumje në prapavijën e bardhebluve solli edhe golin e Carës para fundit të pjesës së parë për përmbysjen e Partizanit, i cili më pas e kishte shumë më të thjeshtë të administronte rezultatin.

Një shtyllë e goditur nga Lushkja në pjesën e dytë ishte shumë pak për skuadrën e Ahmatajt, e cila me mungesa të mëdha dhe thuajse vetëm me të rinj në stol, u mundua të rrezikonte, pa shumë sukses.

Kështu, në vërshëllimën përfundimtare, Partizani mori tre pikë të merituara që e shtyjnë në vendin e dytë në renditje. Ndërsa Tirana tani mund të arrihet nga Dinamo dhe rrezikon vendin mes katër skuadrave që do të luftojnë për titullin.

PARTIZANI-TIRANA 2-1
31′ (p) Skuka, 42′ Cara / 7′ Latifi

NGJARJET KRYESORE

90’+7’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Partizanit.

90’ Jepen 5 minuta shtesë.

90’ Taipi pason për Muratajn në zonë, por gjuajtja e mesfushorit nuk gjen portën e bardhebluve. (VIDEO)

87’ Përgjoni ndëshkohet me karton të verdhë për një faull në mesfushë.

86’ Zbritje e shpejtë e Mensah në të djathtën, gjuajtja e tij ndalet nga Abdullahu në pozicion. (VIDEO)

84’ Pas një goditje dënimi të harkuar në zonën e të kuqve, Hoxhallari nuk arrin të kthejë sferën drejt portës së Hoxhës. (VIDEO)

81’ Mehmeti dhe Preka hyjnë në fushë në vend të Rrapajt dhe Carës.

78’ Patrik me kokë ia del të gjuajë mes mbrojtësve por Hoxha kontrollon.

78’ Sula merr vendin e Metës në radhët e Tiranës.

76’ Partizani rrezikon me një top tjetër të fituar në gjysmëfushën kundërshtare pas një gabimi të Abdullahut, mbrojtja mbyll me vështirësi dhe bllokon gjuajtjen e Rrapajt.

75’ Predhë e Muratajt nga distanca, sfera kalon jo shumë lart mbi traversë. (VIDEO)

74’ Patrik merr topin para zonës dhe gjuan, duke mos gjetur katërkëndorin e Hoxhës. (VIDEO)

70’ Lushkja i lë vendin në fushë Jonuzit në minutat e mbetur të sfidës.

69’ Rrapaj merr topin në të majtën dhe gjuan drejt portës, sfera prek rrjetën e jashtme të katërkëndorit bardheblu.

68′ Sota ndëshkohet me karton të verdhë për faull gjatë aksionit.

68’ Kundërsulm i jashtëzakonshëm i Lushkjes, i cili shkon në zonën kundërshtare edhe gjuan, por sheh topin të ndalet në shtyllë. (VIDEO)

66’ Top i rrezikshëm në thellësi nga prapavija e Tiranës në anën tjetër të fushës ku Abazaj po nisej drejt portës, Hoxha del nga zona dhe me kokë largon sferën. (VIDEO)

64’ Mba e ka radhën të lërë fushën e lojës, për t’i bërë vend Mensah.

62’ Taipi hyn në fushë në vend të Skukës në radhët e Partizanit.

61’ Pas një goditje nga këndi të harkuar nga e djathta e sulmit të Tiranës, Hoxha kontrollon me vështirësi në dy kohë.

60’ Mici i lë vendin në fushë Patrik në radhët e Tiranës.

56’ Abazaj rrëzohet në zonë pas një dueli ajror me Atanaskoskin dhe pretendon për faull në kufijtë e zonës, loja vazhdon rregullisht. (VIDEO)

55’ Skuka në krahun e djathtë shpërthen në zonë dhe gjuan pasi fiton një duel fizik me Hoxhallarin, sfera shkon jashtë. (VIDEO)

54’ Cara ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Abazajt.

52’ Partizani është më i qetë në qarkullimin e topit, teksa mundohet të administrojë avantazhin për të goditur Tiranën që  duhet të çbilancohet drejt sulmit.

49’ Pasiguri e prapavijës së Tiranës, sfera shkon te Rrapaj i cili i vetëm para portës fluturon sferën mbi traversë. (VIDEO)

46’ Pjesa e dytë nis pa ndryshime në radhët e dy ekipeve.

45’+5 Mbyllet pjesa e parë me avantazhin 2-1 të Partizanit.

45’+4’ Tirana e mbyll në sulm pjesën e parë me harkime në zonë nga goditjet standarte, por pa gjetur dot golin.

45’ Jepen 3 minuta shtesë.

42’ GOOOL PARTIZANI! Aksion si shkëlqyer në krahun e majtë të të kuqve, sfera shkon te Cara në zonë dhe ky i fundit nuk gabon duke përmbysur rezultatin. (VIDEO)

36’ Deliu ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli ndaj Maget.

35’ Në goditjen nga këndi, Lushkja gjuan dhe mbrojtësit bllokojnë sferën që po shkonte drejt portës. (VIDEO)

35’ Murataj rrezikon autogolin me një largim të topit në fundore pas një harkimi të Lushkjes. (VIDEO)

34’ Tjetër mundësi e mirë për të kuqtë për të shënuar me Skukën i cili niset drejt portës, por këtë herë ndalet saktësisht nga Abdullahu. (VIDEO)

31’ GOOOL PARTIZANI! Skuka shënon nga pika e bardhë e penalltisë. (VIDEO)

29’ Penallti për Partizanin. Abdullahu gabon në largimin e një topi në zonë dhe pastaj bën faull ndaj Skukës, me Feratajn i cili nuk ka dyshime. (VIDEO)

27’ Të kuqtë kërkojnë përsëri Skukën me një top të gjatë në të djathtën, sfera shkon në fundore.

24’ Cara nga e majta shmang një futbollist dhe pason në qendër të zonës për Rrpajan, por mbrojtësit ndalojnë sferën dhe spastrojnë.

23’ Haxhiu tenton të gjejë golin me një gjuajtje nga distanca në të majtën, sfera shkon larg katërkëndorit të Hoxhës.

22’ Një top interesant në thellësi për Skukën nuk arrihet nga sulmuesi dhe sfera ndalet në duart e portierit.

20’ Loja ndalet pak çaste pas një përplasje kokë më kokë mes Sembene dhe Latifit, për fat të mirë pa pasoja për dy lojtarët. (VIDEO)

16’ Abdullahu gabon në nisjen e lojës, por Skuka vonohet m4e topin në këmbë para zonës dhe mbrojtësit i heqin mundësinë për të rrezikuar.

14’ Rrapaj është futbollisti i radhës i të kuqve që tenton të depërtojë në qendër të zonës, Lulaj i largon sferën nga këmbët.

13’ Dy goditje këndi radhazi të Partizanit. Tek e dyta, topi mbetet në zonë dhe mbrojtja bardheblu largon me vështirësi rrezikun.

9’ Meta nis një top në thellësi për Haxhiun, ky i fundit nuk kontrollon siç duhet në krahun e majtë dhe sfera shkon në fundore.

7’ GOOOL TIRANA! Latifi finalizon një aksion të shpejtë të bardhebluve të Abazajt në krahun e djathtë. (VIDEO)

5’ Mba merr një pasim në pozicion ballor jashtë zonës dhe gjuan menjëherë por fluturon topin mbi traversë. (VIDEO)

1’ Nis derbi në “Air Albania”.

FORMACIONET ZYRTARE

PARTIZANI: Hoxha, Sota, Sembene, Hadroj ,Atanaskoski, Maget, Murataj, Rrapaj, Cara, Mba, Skuka.

Trajner: Orges Shehi

TIRANA: Abdullahu, Përgjoni, Lulaj, Hoxhallari, Mici, Haxhiu, Meta, Deliu, Lushkja, Abazaj, Latifi.

Trajner: Julian Ahmataj

WhatsApp Image 2024-02-16 at 6.11.15 PM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"