VIDEO/ Teuta nuk “vdes” kurrë, barazon me 10 lojtarë në Shkodër dhe i tregon Vllaznisë pse janë kampionë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 0:09

VIDEO/ Teuta nuk “vdes” kurrë, barazon me 10 lojtarë në Shkodër dhe i tregon Vllaznisë pse janë kampionë

Vllaznia ka barazuar në shtëpi në shifrat 1-1 në përballjen ndaj kampionëve të fuqi të Teutës. Dy gola të shënuar në pjesën e dytë, nga Da Silva në minutën e 58-të dhe Koubemba për miqtë të 73-ën, kanë vendosur fatet e këtij takimi. Vllaznia, që për afro 55 minuta luajti me një lojtar më shumë, nuk arriti te fitorja, pavarësisht epërsisë në lojë e në raste ndaj kampionëve. Nga ana tjetër, sistemi VAR ndikoi jo pak në ecurinë e këtij takimi.

bandicam 2021-09-18 21-53-10-812

Një karton i kuq për miqtë, një penallti dhe një gol i mohuar për Vllazninë ishin vendimet e sistemit VAR. Përpos asaj që ndodhi, Teuta meriton përgëzime, pasi u tregoi sërish kuqebluve forcën dhe “stofin” e kampionit në fuqi. Sjellja si kampionë bëri që durrsakët të mos dilnin pa pikë nga Shkodra.

TAKIMI – Problemet për Teutën ishin pa filluar ndeshja, ku në nxehje humbën mbrojtësin Ivanoviç, ndaj trajneri Martini ktheu Aleksin në qendër. Pjesa e parë ka qenë thuajse e barabartë, ku dy ekipet më shumë menduan të mos pësonin sesa të shënonin. Janë vendësit ata që e hedhin më shumë shikimin nga sulmi, por Da Silva dhe Aralica nuk arrijnë të finalizojnë. Miqtë provojnë në minutat 24 dhe 28 me Dajën dhe Todorovskin me gjuajtje nga larg, por pa rrezik për portierin Zogoviç. Në të 34- ën miqtë kanë një mundësi me Plakun, por shpëton porta shkodrane.

Vllaznia Teuta

Deri në fund të pjesës së parë nuk mungojnë rastet sporadike në të dyja portat, por pa rezultat. Në minutën e 41-të Daja dëmtohet dhe në vend të tij hyn Koubemba, që rezultoi fatsjellës për Teutën. Në fund të 45 minutave Teuta mbetet me 10 vetë, ku Todorovski del me karton të kuq, vendim i cili u mor me VAR, për ndërhyrjen e mbrojtësit ndaj Heriçit. Trajneri Martini e nis me një zëvendësim pjesën e dytë, ku për të plotësuar boshllëkun që la Todorovski, në fushë hyri Idrizaj duke sakrifikuar Gjiorgievin në sulm.

Duke pasur një lojtar më shumë, Vllaznia hidhet në sulm në kërkim të golit. Në minutën e 49-të akordohet penallti për shkodranët, por pas verifikimit të rastit nga sistemi VAR, 11-metërshi anulohet për pozicion jashtë loje. Në minutën e 58-të, Latifi harkon bukur nga e majta dhe aty Da Silva me kokë dërgon topin në rrjetë, 1-0 për Vllazninë. Në minutën e 63-të nis seria e freskimeve të ekipeve, ku Da Silva i lë vendin Gjurgjeviçit te Vllaznia. Ndërsa dy minuta më pas Martini bën tri zëvendësime. Goli u dha shumë siguri shkodranëve të cilët e menduan të fituar takimin para kohe, por si kampionë në fuqi durrsakët nuk dorëzohen dhe në minutën e 73-të barazojnë rezultatin. Pas një harkimi nga ana e Selmanit nga e djathta e sulmit, Koubemba me kokë shënon dhe barazon shifrat, 1- 1.

vllaznia teuta

Pas golit trajneri Brdariç bën edhe disa zëvendësime, ku Çoba edhe kësaj radhe tregoi se meriton më shumë, pasi arriti të shënonte në limitet e kohës shtesë, por goli u anulua me VAR për një pozicion jashtë loje milimetrik. Përpos presionit dhe rasteve të krijuara në fundin e ndeshjes, Vllaznia nuk arriti të merrte më shumë se një pikë ndaj Teutës, e cila vijon të rezultojë një “maze e zezë” për ekipin e trajnerit Brdariç.

FT| VLLAZNIA-TEUTA 1-1

Da Silva 58′ / Kuembemba 73′ 

KOMENTI 

101′ Mbyllet sfida! Nuk ka hakmarrje për Vllazninë, Teuta i merr pikë dhe me 10 lojtarë. 

99′ Pas dy minutash pritje, gjyqtari Bajramaj vendos për pozicion jashtë loje duke i prishur festën Vllaznisë.

97′ Shënon Vllaznia me Medi Çobën, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Gjyqtari Bajramaj konsultohet me VAR-in.

96′ Insiston Vllaznia, Gurishta kroson bukur në zonë, por Albano Aleksi i vëmendshëm largon sferën nga zona.

95′ Minuta tensionuese, Vllaznia tenton gjithçka për golin e epërsisë duke u munduar të shfrytëzojë dhe epërsinë numerike.

91′ Akordohen 8 minuta shtesë!

87′ Zëvendësim në radhët e Vllaznisë, largohet Jonuzi në vend të tij Muistedanagiç, dhe largohet Kruja për ti lënë vendin Medi Çobës.

84′ Vllaznia pranë golit, Aralica nuk e shfrytëzon saktësisht një pasim të Esin Hakajt nga krahu i majtë i fushës. Mbeten dhe 6 minuta lojë.

78′ Stafi mjekësor sërish në fushë. Akuah i shtrirë përtokë pas një dueli të ashpër në mesfushë.

73′ GOOOOOOL Teuta 1-1/ Durrsakët i përgjigjen Vllaznisë. Kuembemba realizon një supergol me kokë, duke goditur në një pozicion të vështirë. Pllakos heshtja në Loro Boriçi. 

65′ Zëvendësim në radhët e Teutës, del nga fusha e lojës Sebino Plaku, në vend të tij Ildi Gruda, jashtë Xhekson, hyn Kotobelli dhe jashtë Kallaku në lojë Beqja.

62′ Vllaznia tenton të dalë sërish para me Liridon Latifin, por Adolf Selmani bën gjithçka mirë duke ndalur pa faull sulmuesin e shkodranëve.

58′ GOOOOOOOL Vllaznia 1-0/ Viktor Da Silva fluturon bukur në zonë duke shënuar me kokë pas një krosimi nga e majta e Liridon Latifit. Shpërthen festa në Loro Boriçi. 

52′ Pas 3 minutash rishikimi në VAR, gjyqtari Bajramaj ndryshon vendimin e tij duke akorduar pozicion jashtë lojë në dëm të Liridon Latifit. Nuk vlen vendimi i parë i gjyqtarit, rinis loja.

49′ Penallti për Vllazninë.  Gjyqtari akordon një 11-metërsh pas një ndërhyrje të ashpër në zonë të Albano Aleksit në dëm të sulmuesit kroat Aralica.

47′ Probleme për portierin e Teutës, Pano Qirko. Gardiani dëmtohet pas një neutralizimi të sferës në zonën e tij, stafi mjekësore në fushën e lojës.

46′ Starton pjesa e dytë. Vllaznia në kërkim të golit të avantazhit, duke shfrytëzuar dhe epërsinë numerike në fushën e lojës.

Mbyllet pjesa e parë! 45 minutat e para mbyllen në barazim pa gola. Nga një shans i artë për të dyja skuadrat, por që nuk arritën të shënonin. Gjithashtu durrsakët kanë mbetur me 10 lojtarë pas dalje me karton të kuq të Todorovskit. Gjyqtari Bajramaj akordoi karton të verdhë, por pasi u konsultua me VAR-in, ngjyra e kartonit u bë e kuqe. 

45′ Pas një faulli të ashpër, Todorovski del me karton të kuq nga loja. Gjyqtari Bajramaj konsultohet dhe me VAR-in për këtë vendim, ka tension në fushë.

44′ E pabesueshme çfarë humbet Aralica. Sulmuesi kroat bën gjithpka mirë duke u shkëputur 3 mbrojtësve të Teutës, por gjuajtja e kroatit përfundon shumë pranë kuadratit të portës. Shkodranët s’u besojnë syve.

39′ Pepi Gjorgiev ndëshkohet me karton të verdhë pas një faulli në mesfushë.

35′ Një top i mbajtur gabim nga Mevlan Adili përfundon në këmbët e Sherif Kallakut që asiston bukur për Sebino Plakut, por ky i fundit humbet një rast të artë duke goditur shtyllën.

32′ Provojnë rrezikshëm shkodranët, Latifi dërgon një top të bukur në zonë, por Elvedin Heriç godet keq me kokë, me sferën që përfundon sipër portës të mbrojtur nga Pano Qirko.

31′ Protestojnë futbollistët e Teutës, pasi gjyqtari akordon një faull afër zonës pas një ndërhyje të ashpër të Todorovskit në dëm të Esin Hakajt.

28′ Dalje e mirë e shkodranëve në krahun e djathtë, por  Da Silva nuk kuptohet me Fjoart Jonuzin, me topin që përfundon në rivënie anësore.

27′ Zëvendësim i hershëm në radhët e Teutës, jashtë fushës së lojës Asion Daja në vend të tij Kevin Kuembemba.

26′ Irritohen tifozët e Vllaznisë pas një ndërhyrje të ashpër të Selmanit në dëm të Aralicës.

22′ Karton i verdhë ndaj Erdenis Gurishtës pas një faulli në mesfushë.

16′ Aralica shtrihet në fushë pas një dëmtimi gjatë një dueli në portën e Teutës. Asgjë serioze për kroatin që ngrihet në këmbë dhe hyn sërish në lojë.

13′ Sebino Plaku provon të marrë krahun, por e mbyll mirë kapiteni i shkodranëve, Erdenis Gurishta.

9′ Pas disa minutave intensive, loja qetësohet dhe skuadra fokusohen tek pasimet në mesfushë.

6′ Asion Daja bën heroin, bllokon një goditje të rrezikshme në zonë, pas një aksioni të rrezikshëm të Da Silvës në krah.

5′ Këmbëngulëse Vllaznia në minutat e para, Aleksi mbulon mjaft mirë mesfushën e durrsakëve duke mbyllur disa aksione të rrezikshme.

3′ Provon Vllaznia të dalë shpejt në kundërsulm me Latifin, por ndërhyrja e Qirkos shpëton durrsakët nga rreziku.

1′ Starton sfida, skuadrat në fushë për fitore.

FORMACIONET ZYRTARE

VLLAZNIA                                                                                       TEUTA

241430978_788108765250348_8874952316839099471_n 241400438_386744953036097_3456314795459835707_n

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"