Ventura: Ndjej keqardhje, por nuk i kam unë të gjitha fajet për dështimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2017 | 12:19

Ventura: Ndjej keqardhje, por nuk i kam unë të gjitha fajet për dështimin

Megjithëse nuk është më në stolin e Italisë, Xhan Piero Ventura, nëpërmjet një deklarate në agjencinë e lajmeve “Ansa”, ka kërkuar t’u thotë lamtumirë italianëve. Në fjalën e tij, ish-trajneri ka thënë:

ventura

“Kanë qenë ditë të vështira dhe ndiej keqardhje. Punova me të gjitha forcat i bindur për cilësinë e grupit që kisha. Jam munduar të arrij rezultate, por edhe t’i ndihmoj të rinjtë. Nuk ia dola mbanë në misionin tim, por sidoqoftë i falënderoj djemtë për mbështetjen”.

Ventura përfiton nga deklarata, për të ndarë fajin edhe me të tjerë, por pa përmendur emrat që lehtësisht kuptohen se kush mund të jenë: “Në futboll jemi mësuar që fitoret t’i shohim si produkt kolektiv, por dua të vë në dukje se edhe disfatat janë të tilla. Kur nuk arrin suksesin, u duhen dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve që lindin dhe ato përgjigje nuk gjenden vetëm te një version i fakteve”.

FEDERATA

Karlo Tavekio të hënën do të mbledhë Këshillin e Federatës me shpresën për të gjetur emrin e ri për stolin e Italisë. Me sa duket, alternativat janë reduktuar tek emri i Karlo Ançelotit, të cilit duket se do t’i plotësohet çdo kërkesë. Për të marrë miratimin e ish-trajnerit të Bajernit, Tavekio ka kërkuar edhe ndihmën e Adriano Galianit, të cilit, sipas “La Repubblica”, i ka telefonuar menjëherë pas disfatës së Italisë ndaj Suedisë.

Kreu aktual i Federatës dhe ish-aministratori i Milanit janë miq të vjetër, me Galianin që thuhet se i ka siguruar gjithashtu Tavekios se nuk do të ketë sulme politike. Pas eliminimit situata për numrin 1 të futbollit në Itali nuk është nga më të mirat, por gjithsesi ai po arrin të mbrojë një post nga i cili shumica e italianëve duan ta largojnë.

Duke shfrytëzuar edhe miqësinë mes Galianit dhe Karlo Ançelotit, Tavekio shpreson të marrë miratimin e trajnerit për tu ulur në stolin e kombëtares. Emri i teknikut 58 vjeçar mbetet një nga më të parapëlqyerit, si në nivelin institucional, ashtu edhe në atë popullor. Në fakt Karleto duket si njeriu më i duhur për të rikthyer futbollin italian në elitë, pas figurës më të keq historike në 60 vitet e fundit që mban firmën e Xhan Piero Venturës.

REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"