Valdet Rama rrëfen Kinën: Komunikimi është shumë i vështirë, kombëtaren nuk e kam ndjekur

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 28, 2017 | 17:38

Valdet Rama rrëfen Kinën: Komunikimi është shumë i vështirë, kombëtaren nuk e kam ndjekur

Nga Europa janë larguar shumë futbollistë cilësorë të joshur nga pagesat stratosferike. Një prej tyre, që ka bërë këtë transferim drejt kontinentit të largët, është edhe Valdet Rama, mesfushori i Kombëtares shqiptare. Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti rrëfen vështirësitë në Kinë, raportin me fenë si dhe shanset për një ftesë të mundshme për të riveshur edhe një herë fanellën e kuqezinjve.

valdet rama

Valdet, pse zgjodhët të largoheni nga Europa në Kinën e largët kur shohim që një zgjedhje e tillë bëhet vetëm për paga marramendëse. Kjo ishte arsyeja edhe për ju?

Në periudhën kur isha në kërkim të një skuadre, agjenti im më shprehu dëshirën që të luaja në Azi. Në atë periudhë, kemi qenë në kontakt me disa skuadra në këtë kontinent dhe bëmë një zgjedhje. Të them të drejtën, mendoj se jam në moshën që më duhet ta bëja këtë hap.

Kur bëhet fjalë për të zgjedhur, normalisht mund të them që ishin disa faktorë që më bënë t’i thosha po kësaj lëvizjeje. Mes tyre, edhe kontrata ime në këtë ekip. Pa harruar edhe faktin që kisha dëshirë të provoja të luaja në një kontinent tjetër.

Si është të jetosh në Kinë, në një kontinent të largët?

Normalisht, diferenca e parë është në kulturë. Janë ndryshe nga mentaliteti në Europë dhe që në këtë moment hasen vështirësitë e para. Mirëpo, duke qenë se kam ardhur në Kinë për të luajtur futboll, fokusohem në këtë gjë që ta bëj sa më mirë të jetë e mundur detyrën time dhe kjo më bën që të përshtatem më lehtë.

Çfarë vështirësie keni hasur më konkretisht?

Fillimi ishte shumë i vështirë. Për mua ishte hera e parë që erdha në Kinë dhe në ditët e para që nuk e kisha as familjen me vete, më dukej sikur nuk do të përshtatesha kurrë. Mirëpo, falë ndihmës së shokëve dhe stafit të ekipit, gjithçka bëhej më e lehtë. Jo më kot thuhet që futbolli i bashkon njerëzit.

Si kuptoheni me trajnerin, lojtarët dhe stafin? Në cilën gjuhë?

Meqenëse edhe më sipër më pyetët për vështirësitë, komunikimi është një prej tyre. Është shumë i vështirë. Kjo për faktin se lojtarët vendas të skuadrës nuk flasin anglisht. Komunikimi në këtë gjuhë mund të bëhet vetëm me ata nga jashtë, si unë. Për fat, trajneri flet anglisht.

Në cilin qytet jetoni dhe me kë jeni atje?

Jam në qytetin Jen. Në krahasim me të tjerët, është më i vogël, mirëpo mua më pëlqen si është këtu. Në të vërtetë, tani që jam ambientuar më duket që i kam të gjitha dhe ndihem mirë dhe i lumtur për këtë aventurë. Siç e thashë, në fillim e kisha shumë të vështirë, por pas një muaji kam marrë edhe familjen me vete.

Keni luajtur në disa nivele në Europë, po në Kinë si është?

Kur flasim për nivel futbolli, në Europë luhet më shpejt. Mirëpo, të jem i sinqertë, Kina më ka befasuar pasi pjesa më e madhe e futbollistëve janë teknikisht shumë të mirë. Jo vetëm kaq, por edhe fakti që lojtarët e ardhur nga Europa janë “top lojtarë”, ndaj mund të them se ka një kampionat të mirë që është në zhvillim e sipër.

Kombëtarja, pas Europianit patët një mundësi për të kaluar te Kosova…

Nuk dua të flas shumë për këtë temë, ju lutem më mirëkuptoni.

Çfarë ndodhi?

Mund të them vetëm që unë kam luajtur edhe për Kosovën, edhe për Shqipërinë dhe e kam ndier veten shumë mirë. Vetëm kaq.

A keni komunikuar me stafin apo trajnerin Panuçi së fundmi?

Jo, nuk kemi pasur komunikim.

Si e keni parë Kombëtaren në ndeshjet e para të trajnerit të ri?

Nuk kam mundur t’i ndjek për shkak se kam qenë në udhëtim.

Shqipëria është në emergjencë për shkak se ka disa lojtarë të dëmtuar dhe disa të pezulluar, mes tyre edhe Roshi dhe në rolin tuaj ka nevojë për afrime në këtë grumbullim. E prisni një ftesë?

Në radhë të parë, dua që të uroj lojtarët e dëmtuar që t’i kalojnë sa më shpejt dëmtimet. Sa i përket ftesës, e kam thënë dhe e them gjithmonë se jam i gatshëm në çdo moment që të kthehem në Kombëtare për të dhënë maksimumin tim në ndihmë të ekipit.

OLSI TUJANI






www.minuta90.com