“Uroj të shitem edhe unë si Olainka apo Ristevski”, talenti i Bylisit shton “marshin” pas Shpresave: Do ta rimarrim kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2022 | 22:58

“Uroj të shitem edhe unë si Olainka apo Ristevski”, talenti i Bylisit shton “marshin” pas Shpresave: Do ta rimarrim kreun

Pas grumbullimit me Shpresat, Flamur Ruçi shton “marshin” për Bylisin. Kur kampionati po shkon drejt fundit, sulmuesi i talentuar garanton se do të rimarrin kreun dhe shpallen kampionë. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, 20-vjeçari thotë:

Flamur Ruci

“E veçantë është ndjesia sa herë vjen thirrja për të veshur fanellën kuqezi, pasi të gjithë ata që luajnë futboll, duan të përfaqësojnë kombin. Unë kam qenë pjesë e pandarë e kombëtareve të moshave që nga U-15 e deri tek U-21. Jam i vlerësuar që trajneri më grumbulloi në një sfidë prestigjioze, si ajo ndaj Anglisë. Ishte ditë e veçantë dhe në të ardhmen shpresoj të jem sërish dhe, pse jo, edhe të luaj.

Tani dua të ul kokën e të punoj me skuadrën. Dihet që Bylisi është trampolinë për ne të rinjtë vendës, por nga këtu kanë dalë edhe shumë lojtarë të huaj, që sot luajnë edhe me kombëtaret e shteteve të tyre. Personalisht i jam mirënjohës klubit dhe synoj që të ngjitemi në Superiore si kampionë.

Pastaj duke qenë në elitë, bën të tjera llogari për karrierën. Uroj që në një të ardhme të afërt të shitem edhe unë si Ristevski apo Olainka e shumë lojtarë të tjerë që kanë dalë nga Ballshi.

Këtë fundjavë luajmë me Shkumbinin dhe është shansi më i mirë për të harruar Fierin. Kanë mbetur edhe 6 javë dhe të gjitha janë shumë të rëndësishme e shumë të vështira, por duhet të marrim maksimumin e pikëve. Kështu që, do të bëjmë realitet rikthimin në elitë si dhe fitimin e titullit kampion”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"