“U ndëshkuam nga terreni në shtesë, gara po ashpërsohet”, Kashami: Finalizimi, gabimi i vetëm me Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2021 | 21:18

“U ndëshkuam nga terreni në shtesë, gara po ashpërsohet”, Kashami: Finalizimi, gabimi i vetëm me Korabin

I mërzitur, por i qetë. Tani që kanë kaluar ditë dhe ka analizuar me detaje barazimin dramatik në shtesë, Ndriçim Kashami nuk e quan tragjedi atë rezultat. Verdhezinjve nuk u mjaftoi dominimi dhe as rastet e pastra, për të dalë me pikët e plota përballë Korabit. Këtë ngërç e pohon edhe trajneri i Besës gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”.

Kashami Besa

“Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë, duke iu përshtatur taktikisht edhe fushës, edhe kundërshtarit. Nuk e mohoj se barazimi na tronditi pak, pasi deri në minutën e 91-të kundërshtari nuk arriti qoftë një herë të vetme të dilte në rast goli, kjo falë edhe presingut tonë. Ajo që bëmë keq ishte finalizimi i rasteve, që patëm në pjesën e parë dhe qoftë në të dytën. Këtu besoj kemi për të korrigjuar pasi në të tria sfidat kemi hasur një fenomen të tillë. Tani që jemi më të qetë, kuptojmë se barazimi nuk duhet marrë si tragjedi, pasi futbolli jo gjithmonë të jep atë që meriton dhe nuk është Besa as e para e as e fundit që i ndodh diçka e illë”, tha fillimisht kavajasi.

GOLI I PËSUAR

Tekniku nuk ngurron që të nxjerrë në pah edhe dy faktorët që sollën atë gol në fund: “E kam parë e riparë atë gol që pësuam dhe kam dalë në konkluzionin që shpërqendrimi erdhi nga devijimi i topit për shkak të terrenit”. Qartazi trajneri e thotë që fusha e Luzit i ka penalizuar, megjithatë kjo zgjedhje është bërë nga halli. Në mungesë të një stadiumi, po luajnë aty. Nuk përjashtohet mundësia që të spostohen në vazhdim, sikundër ka ndodhur edhe vjet. Nuk ka ndodhur rrallë që të gjejnë tjetër fushë, kur terreni rëndohej prej shirave.

ASHPËRSIA E KAMPIONATIT

Kampionati po bëhet gjithnjë e më i ashpër, aq sa tekniku mendon se skuadrat duhet t’i gëzohen evitimit të humbjeve. “Mjaftojnë rezultatet e javëve të para, për t’u bindur se ky kampionat do të jetë më i fortë dhe se çdo ekip luan të paktën të mos humbasë. Sigurisht se një ekip si Besa është i detyruar të synojë vetëm fitoren, kudo ku luan… Po siç citova më lart, themelore mbetet të shmangësh disfatën. Fati jo gjithmonë do të na dënojë. Nëse luajmë ashtu si luajtëm me Korabin, do festojmë siç duam ne”, përfundoi numri një i pankinës kavajase.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"