Turi çiklistik, Stojanoviç bën “bis”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2014 | 20:26

Turi çiklistik, Stojanoviç bën “bis”

CiklizemU zhvillua dje etapa e dytë e Turit të 71- të çiklistik të Shqipërisë me start nga Shkodra dhe finish në Burrel, 98.3 km. Vendin e parë e zuri serbi i Novi Pazar, Marko Stojanoviç, me kohën 3 orë 05 minuta e 08 sekonda. I dyti u klasifikua Hyrmet Kastrati i Teutës së Durrësit me kohën 3 orë 6 minuta e 45 sekonda dhe në vendin e tretë Demir Muliç (Mali i Zi) në kohën 3 orë 6 minuta e 46 sekonda. Burreli u vlerësua në këtë etapë si ekipi më luftarak. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, gara po zhvillohet e pastër dhe pa asnjë problem. “Ishte një etapë shumë e bukur, një përgatitje mjaft e mirë e ekipit serb. Falënderoj në mënyrë të veçantë pritjen që na ka bërë Bashkia Burrel, klubin shumësportësh, policinë dhe qytetarët. Apolonia në këtë tur ka bërë një figurë mjaft të mirë, ku njëri prej çiklistëve arriti të mbajë fanellën e verdhë në prologun e Tiranës dhe në etapën e parë për t’ia dorëzuar sot serbit Stojanoviç. Mendoj se me këta profesionistë që po dallohen në këtë tur çiklistik, në vitin 2016, Federata do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike për t’i bërë vendit tonë një përfaqësim dinjitoz. Duhet theksuar se gjatë këtyre dy etapave nuk ka pasur incidente”, tha për “Panorama Sport” presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku. Stojanoviç tha se kjo është hera e parë që merr pjesë në një tur çiklistik në Shqipëri. “Është një garë shumë e fortë. Unë përdora një taktikë që më dha rezultatin e fitores. Megjithëse turi ka konkurrencë të fortë, them se do të ruajë kryesimin e etapave. Me ndihmën e trajnerit do ta fitoj këtë tur”, u shpreh Stankoviç. Ndërsa për vendin e dytë Kastrati, ky është rezultati më i lartë në një tur çiklstik. “Ndihem shumë i lumtur për rezultatin e arritur. Gara ishte shumë e fortë, pasi çiklistët tentuan të zënë pozicionet e para, por unë gjeta korridorin e duhur dhe arrita të prek finishin i dyti. Aktualisht jam i kënaqur me veten, por në etapat e ardhme do të kërkoj vendin e parë, pasi me pak sforco mund ta arrij”. Edhe për vendin e tretë të etapës së djeshme, malazezin Muliç kjo është hera e parë në një tur çiklistik, pasi deri tani ka garuar në “mountain bike”. “Është medalja e parë që unë arrij në një garë kaq të fortë. Normalisht që për këtë ndihem shumë i lumtur. Ishte një garë shumë e fortë, me shumë kilometra, por që ia dolëm. Na është dashur shumë sforco dhe stërvitje me trajnerin, pasi nuk e njihnim terrenin në të cilin do të zhvillohej ky tur çiklistik”, tha Muliç. Deri tani kryeson Apolonia si ekip, ndërsa si kryesues i turit është Marko Stojanoviç.
DRITAN KURTI

Etapa e 2-të, Shkodër- Burrel 98.3 km
ÇIKLISTI KOHA
1. Stojanoviç 03h05’08”
2. Kastrati 03h06’45”
3. Muliç 03h06’46”
4. Braka 03h06’47”
5. Shqau 03h06’47”
6. Djukiç 03h07’30”
7. Hoxha 03h07’48”
8. Velia 03h08’08”
9. Sota 03h08’08”
10. Alsami 03h08’10”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"