Triumfi kundër Maliqit, AF Luftëtari me premio për futbollistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2022 | 14:15

Triumfi kundër Maliqit, AF Luftëtari me premio për futbollistët

AF Luftëtari ka marrë fitoren e parë për këtë kampionat, teksa dje në Gjirokastër mposhti Maliqin me shifrat 3-0.

luftetari

Ka qenë një ndeshje e dominuar nga bluzinjtë e Arben Çonit, por që vuajtën jo pak për të zhbllokuar shifrat.

Në pjesën e parë, në minutat 6’, 13’, 16’, 25’ dhe 26’, gjirokastritët i afrohen golit me kolumbianin Rafael, Mërkurin, Kolonjën, Meçen dhe Çullin që goditi shtyllën.

Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërsa e dyta ishte me të njëjtën melodi, por me ndryshimin që Luftëtari nuk fali, duke shënuar tri herë. Daljet e shpejta të kapitenit Gaba, si dhe Mërkurit e Kolonjës, bëjnë që në minutën e 54-t të vijë goli i parë.

Mërkuri shënon pas goditjes me të majtën dhe më pas gjithçka bëhet më e thjeshtë. Kolonja dyfishon rezultatin në minutën e 64-t pas asistit të Gabës, ndërsa ai që vulos fitoren është sërish Mërkuri.

I vetmi rast i Maliqit ishte me Çaushllarin, që vuri në provë portierin Sinani.

“Panorama Sport” mëson se pas ndeshjes lojtarët bluzi morën secili nga një premio prej 50 mijë lekësh të vjetër.

Skuadra bëri një takim me kryebashkiakun Flamur Golemi para dhe pas sfidës, ndërsa ky i fundit premtoi mbështetje maksimale, me synimin e vetëm që Luftëtari të jetë sa më shpejt në elitë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"