Transferimet/ Nga Kaningam te Bellingam, ja historia e anglezëve në Madrid

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2023 | 21:42

Transferimet/ Nga Kaningam te Bellingam, ja historia e anglezëve në Madrid

Bellingam, që nga dje, është zyrtarisht një lojtar i Realit të Madridit. Anglezi ka firmosur për 6 sezone në Madrid, duke u bërë në fakt dhe anglezi i gjashtë që do të përfaqësojë ngjyrat e bardha.

0_realmadridbellingham

Para tij kanë qenë 5 anglezë që kanë luajtur për Madridin, një histori që nis nga viti 1979 me Lori Kaningam.

KANINGAM – Reali i Madridit kishte kaluar rreth treçerek shekulli histori kur Lori Kaningam filloi karrierën e tij në Madrid. Ai luajti midis viteve 1979 dhe 1982 dhe u dallua më shumë për shfaqjen dhe shpejtësinë me topin.

Por dramat e tij familjare nuk e ndihmuan ta bënte atë yllin që synonte të ishte. U largua nga klubi i bardhë me një titull në La Liga dhe dy Kupa të Spanjës. Ai vdiq në një aksident në moshën 33-vjeçare në vitin 1989.

STIV MEKMANAMAN – Konsiderohet thuajse nga të gjithë si anglezi më i suksesshëm që ka luajtur në “Santiago Bernabeu”.

Në rastin e Mekmanaman, ai përkoi me Visente del Bosken në periudhën 1999-2003, gjë që e bën atë futbollistin anglez me rekordin më të mirë të atyre që kanë veshur fanellën e bardhë: dy Champions; dy tituj në La Liga; një Superkupë Europiane, një Kupë të Spanjës dhe një Kupë Ndërkontinentale.

DEVID BEKAM – Ylli anglez, i cili luajti me Realin në periudhën 2003-2007, ishte elementi i katërt në Madridin Galaktik të ndërtuar nga Florentino Perez, së bashku me Figon, Zidanin dhe Ronaldon. Por pa dyshim, ai nuk dha ndonjë kontribut të madh për ekipin, pavarësisht profesionalizmit të tij të paqortueshëm.

MAJKËLL OUEN – Edhe pse mori pjesë në shumicën dërrmuese të ndeshjeve në të vetmin sezon që ishte lojtar i bardhë (2004-2005), duke shënuar 13 gola dhe duke dhënë 3 asiste, ai u gjend në momentin e gabuar në Madrid. Një sezon më vonë ai u kthye në Premier, me Njukasëllin.

XHONATAN UDGEJT – Pak mund të thuhet për këtë lojtar për të cilin Madridi pagoi 22 milionë euro. Në vitin e tij të parë ai nuk luajti asnjë ndeshje për shkak të një dëmtimi muskulor.

Në debutimin e tij si madrilen ai shkaktoi një autogol dhe u përjashtua me karton të kuq. Nga atje, dhe me gjithë mbështetjen e shokëve të tij, veçanërisht Ronaldo Nazarios, u huazua te Midëllsbrou në vitin 2006, për të nënshkruar përfundimisht me të.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"