Trajneri Memushi: Flamurtari të shfaqet si në stërvitje, me Kastriotin të dënuar për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 11:07

Trajneri Memushi: Flamurtari të shfaqet si në stërvitje, me Kastriotin të dënuar për fitore

Eqerem Memushi kërkon që Flamurtari ta harrojë humbjen me Burrelin dhe nga transferta e Krujës kërkon vetëm fitoren. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Memushi theksoi se skuadra është “e dënuar” për tri pikët.

memushi

“Luajmë në transfertë ndaj Kastriotit dhe çdo ndeshje ka specifikën e saj. Ekipi është i dënuar për të fituar. Në çdo fushë luajmë për maksimumin, si në Vlorë dhe jashtë. Uroj që skuadra të jetë me këmbë në tokë. Të mos ndodh më ajo që na ndodhi me Burrelin. Dihet se çfarë ndodhi në atë ndeshje, humbëm qetësinë. Skuadra duhet që të jetë e karikuar për sfidën e radhës. Duhet ta harrojmë dhe ta kalojmë pa dhimbje. Po punojmë edhe me anën psikologjikë të skuadrës. Flamurtari është stërvitur shumë mirë. Situata? Vazhdon problemi i disa mungesave. Janë lojtarë të rëndësishëm, por kemi edhe lojtarë të tjerë të cilët i kemi cilësorë dhe që do të bëjnë mirë në këtë ndeshje. Ne nuk duhet të kemi frikë nga asnjë kundërshtar. Ata duhet që të kenë frikë nga ne”, tha fillimisht trajneri Memushi.

KËRKESA PËR EKIPIN – Në fund trajneri tregoi edhe çfarë pret nga Flamurtari: “Skuadra duhet të ketë mentalitet fituesi dhe vazhdimësi për të arritur objektivin. Më vjen keq se grupi stërvitet shumë mirë dhe seriozisht. Si staf nuk kërkojmë më shumë nga ajo që lojtarët japin në stërvitje. Duhet të jemi të kujdesshëm kur jemi në zotërim të topit dhe të mos humbasim asnjë pasim. Duhet të dirigjojmë ne lojën se kur ke zotërimin e topit ke edhe zotërimin e lojës. Një këshillë kam për ekipin: Të jetë më i përqendruar, më i mbledhur dhe kur humbet topin të krijohet alarmi i rrezikut. Rreziku fillon nga sulmi dhe zbret poshtë, atje ku e pëson. Rreziku më i madh është porta. I bëj thirrje gjithë skuadrës të jetë e përqendruar dhe e harmonizuar”, përfundoi trajneri i Flamurtarit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"