Trajneri i Tomorit “shpërthen” pas humbjes në Shijak: E bënë futbollin si… shahu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2022 | 11:42


Trajneri i Tomorit “shpërthen” pas humbjes në Shijak: E bënë futbollin si… shahu

Ndryshimi i rregullores për zonën “play off” e ka ndezur garën. Nuk është vetëm vendi i tretë ai që ka shanse për të kapur elitën, por edhe i 4- ti, i 5-ti dhe i 6-ti. Kur kanë mbetur edhe 6 javë dhe diferencat janë minimale, pretendime kanë shfaqur edhe ekipet që ende nuk kanë siguruar mbijetesën.

KLODIAN ARBERI

E gjithë kjo situatë po ia komplikon misionin edhe Tomorit. Edhe pse janë të gjashtët momentalisht, ndihen në presion. Humbja e fundit në Shijak i ka pezmatuar disi.

Ata ankohen për gjykimin në “Tofik Jashari” dhe sidomos për atë penallti që iu dha Erzenit dhe vendosi ndeshjen. E megjithatë, për të karikuar ekipin dhe dhënë një mesazh të qartë rivalëve mendon vetë Klodian Arbëri.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri garanton se do të mbrojnë me fanatizëm pozicionin që kanë në renditje dhe kujton se kanë një bonus nga të tjerët: historinë.

“Humbja e fundit në Shijak na ka pezmatuar të gjithëve. Jo vetëm mua dhe stafin, por edhe futbollistët. E them këtë, pasi rezultati nuk pasqyron lojën. Kush e ka pa ndeshjen, mund ta ketë kuptuar qartazi se kush diktoi në fushë gjatë atij 90-minutëshi. Tomori meritonte që të mos dilte pa pikë nga kjo transfertë dhe këtë e them me bindje.

Pa dashur që të gjej asnjë lloj justifikimi për humbjen, unë si trajner di të them se gjithçka po i ngjason një loje shahu. Gjithsesi, ne nuk dorëzohemi. Pavarësisht ‘detyrimit me përcaktim’, sigurojmë se Tomori nuk do të zbresë nga vendi i gjashtë në po kaq javë të mbetura të këtij kampionati.

Ngjitjen në Kategorinë Superiore do ta kërkojmë nëpërmjet ndeshjeve kualifikuese. Përballë rivalëve të tjerë dhe atyre që kanë pretendime, kemi në favor eksperiencën dhe mbi të gjitha historinë”, përfundoi numri një i pankinës beratase.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL