Trajneri i Luftëtarit: Gati të hapim një kapitull të ri, mbështes klubin për Filin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2019 | 15:33

Trajneri i Luftëtarit: Gati të hapim një kapitull të ri, mbështes klubin për Filin

Ditën e nesërme Luftëtari do të presë në shtëpi Teutën, në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të, në Kategorinë Superiore.jorgos marantas

Në prag të kësaj sfide, në konferencë për shtyp ka dalë trajneri i gjirokastritëve, Jorgos Marantas. Ky i fundit është shprehur se ndaj Partizanit kishin shumë raste dhe thotë se e njohin shumë mirë Teutën.

“Dushkaj ka luajtur me Partizanin dhe Tiranën si sulmues. Një koleg i juaji më tha që nuk patëm asnjë rast me Tiranën. Nuk është çështje vetëm e Dushkaj, është e gjithë ekipit. Ndeshja me Tiranën duhet harruar, nuk krijuam raste. Me Partizanin bëmë volum loje, ndeshje të mirë dhe krijuam raste. Ngaqë nuk morëm rezultat të mirë me Partizanin, nesër luajmë për pikë ndaj Teutës.

Kemi punuar që lojtarët të jenë të përqendruar për këtë ndeshje. Besoj se do japin maksimumin që të marrim rezultat. Presioni nuk është vetëm te kjo ndeshje, por tek të gjitha. Ne do luftojmë për të marrë rezultat pozitiv. Nga pozicioni që kemi duket që kemi presion për pikët, pasi na duhen. Do mundohemi nesër të marrim më të mirën.

Na mungojnë Demo dhe Rapo, janë lojtarë me eksperiencë. Siç e kam thënë edhe më parë, unë punoj me lojtarët që kam në dispozicion. Edhe tifozët duhet të mbështesin lojtarët që do të luajnë nesër. Vazhdimisht luajmë me mungesa, sidomos me Demon që nuk do të jetë në disa ndeshje prej dëmtimit.

Teutën e njohim shumë mirë. I pashë direkt me Tiranën. Kanë lojtar me eksperiencë dhe janë një ekip shumë i mirë. Ne shikojmë ekipin tonë. I kemi mundësitë, ua kam thënë edhe lojtarëve, që të marrim pikë. Do tentojmë me të gjitha mënyrat të marrim pikë në ndeshjen e nesërme.

E kam thënë mendimin tim për Filin edhe më parë. Jam pro vendimit që ka marrë presidenca, pasi një lojtar që bie në kundërshtim me tifozët nuk mund të luajë në asnjë ekip, jo vetëm në ekipin tonë. Sa i takon Cerezo (Helgen), ishte një vendim i imi që të stërvitej veçmas dhe të vijë në një formë të mirë fizike. I kam thënë të stërvitet dy herë në ditë. Ai kërkoi që të shkonte me ekipin U19, nuk e dërguam ne.”, përfundoi Marantas.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"