Trajneri Gvozdenoviç, 15 minuta fjalim për të motivuar ekipin. Skënderbeu, nën presionin e pikëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2023 | 20:26

Trajneri Gvozdenoviç, 15 minuta fjalim për të motivuar ekipin. Skënderbeu, nën presionin e pikëve

Skënderbeu ka lënë pas barazimin me Tiranën mes shumë pengjeve dhe pamundësinë për të arritur tri pikët në një ndeshje që korçarët pretendonin të merrnin më shumë. Përtej këtij barazimi duket se në kampin bardhekuq ajo që shqetëson më shumë është mungesa e pikëve. Pikë që janë vetëm dy të marra në fushën e vet në pesë javë të luajtura të kampionatit.

skenderbeu

 

Ndaj edhe për këtë ndeshja ndaj Teutës shihet si një takim ku Skënderbeu do të kërkojë rikthimin te fitorja e munguar. Domosdoshmëria e pikëve, por edhe frika se mos presioni i tepërt mund të shkaktojë bllokim te lojtarët ka bërë që trajneri Gvozdenoviç të kërkojë nga futbollistët e tij përqendrim maksimal dhe lojë të qetë pa pasur asnjë objektiv final për këtë ndeshje. Në seancën e djeshme stërvitore, trajneri bardhekuq ka komunikuar për më shumë se 15 minuta me futbollistët për të qetësuar emocionalisht lojtarët dhe për të rritur përqendrimin.

“Mungesa e pikëve na shqetëson të gjithëve dhe unë e di këtë, por nuk kemi pse të ngarkojmë veten me presion përpara një ndeshjeje të vështirë siç është ajo me Teutën. Është një ndeshje dhe duhet përqendrim maksimal. Le të lëmë pas atë që ndodhi me Tiranën dhe për një moment të harrojmë se çfarë kemi marrë në këto pesë javë kampionat, por të përqendrohemi vetëm te ndeshja. Unë jam i bindur se kemi për t’ia dalë. Kjo edhe për faktin se loja është garancia jonë në këtë moment.

Nuk po marrim pikë rastësisht, por përmes një loje të rrjedhshme dhe që ndoshta mund të meritonim më shumë. Ndaj të mbajmë këtë ritëm loje dhe të tregojmë se ne dimë të bëjmë shumëçka. Luajmë në fushën tonë dhe përballë tifozëve tanë. Do të kemi mbështetjen e tyre për të kaluar këtë moment. Ndaj duhet të jemi të qetë dhe të luajmë futboll ashtu siç kemi bërë në javët e fundit”, deklaroi para lojtarëve trajneri Ivan Gvozdenoviç veç porosive të tjera.

MUNGESAT – Sikur të mos mjaftonte mungesa e pikëve dhe mungesa e sulmuesit Uçe për shkak dëmtimi, Skënderbeu ka një tjetër dilemë para ndeshjes me Teutën. Klevis Shaqe ka dalë i dëmtuar nga ndeshja me Tiranën dhe për momentin vijon fazën e rikuperimit të kaviljes së dëmtuar. Kjo është një dilemë e fortë për Skënderbeun, pasi në rast mungese Shaqe do të hapte shumë punë në kampin bardhekuq. Për momentin trajneri është duke menduar që nëse Shaqe nuk ia del dot të zhvendosë Gërçon në krahun e majtë, pozicion, të cilin lojtari e ka luajtur edhe më herët në këtë kampionat. Por një tjerët ide “e çmendur” që nuk përjashtohet është edhe një rreshtim i ri 3-4-3 duke parë formën e mirë që po kalon reparti ofensiv. Gjithsesi, trajneri është duke provuar diçka të tillë dhe do të jetë seanca e fundit që do të vendosë për rreshtimin final të Skënderbeut në këtë ndeshje.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"