Trajneri Demiraj shpërthen në akuza: Bano goditi lojtarët e Albpetrolit, dhunë barbare në Peqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2018 | 9:49

Trajneri Demiraj shpërthen në akuza: Bano goditi lojtarët e Albpetrolit, dhunë barbare në Peqin

Skuadra e Albpetrolit, këtë fundjavë, ka marrë një barazim 0-0 ndaj Shkumbinit. Nga rrjedha e lojës e deri në përfundim të takimit, trajneri patosarak, Elidon Demiraj, thotë se para se të flasë për këtë takim, do t’u bëjë një thirrje të gjithë instancave që kanë bërë këtë rregullore që rendin dhe mbarëvajtjen e një takimi ta sigurojë policia private dhe jo ajo e shtetit.

Demiraj

AKUZAT – “Pa ndodhur akoma ndonjë ngjarje e madhe, duhet të kthejnë policinë në stadium. Nuk jemi as në Suedi e as në Norvegji këtu. Jemi në Shqipëri dhe nuk jemi ende gati për këtë rregull të vendosur. Gjatë ndeshjes nuk pati ndonjë shqetësim, gjëra të pranueshme, por pas saj kaluan në plan të dytë pikët dhe gjithçka tjetër.

Situata doli jashtë kontrollit dhe janë futur tifozët në fushë e kanë goditur kafshërisht lojtarët në  pankinë. Kjo ka ndodhur në sy të përfaqësuesve të FSHF-së. Falënderoj shefin e klubit të Shkumbinit, Astrit Isaj, i cili u mundua që situata të mos përshkallëzohej edhe më.

Albpetroli

Jam totalisht i zhgënjyer nga kolegu im, Artan Bano, i cili ka goditur lojtarët e mi dhe kapitenin e ekipit. Kam luajtur si futbollist, kam qenë trajner edhe më parë në Peqin, por nuk më ka ndodhur kurrë të shoh një situatë të tillë. E përsëris që nuk kemi bërë as më të voglin provokim. Policia ishte inekzistente.

Nuk e ndjemë veten të mbrojtur dhe kishim frikë për lojtarët. Aty mund të ndodhte çdo gjë. Unë si trajner i ekipit dhe klubi i Albpetrolit jemi të shokuar nga kjo që ndodhi. Kurrë nuk kemi bërë veprime të tilla. Jemi një ekip ‘Fair Play’. Gjithmonë kemi kërkuar t’i gjejmë gabimet te vetja. Kemi mirëpritur çdo ekip dhe e kemi përcjellë siç i ka hije”, akuzon fillimisht Demiraj në reagimin e tij.

THIRRJA- Trajneri i Albpetrolit ka folur edhe në lidhje me dhunën që kanë përjetuar në Këlcyrë. “Edhe në ndeshjen në Këlcyrë kemi pasur probleme të jashtëzakonshme. I kemi denoncuar në FSHF dhe kemi marrë si përgjigje heshtjen që vret më shumë se dhuna. Ne jemi Albpetroli, një ekip me histori.

48032086_2165522920203446_5717586865322721280_n

Jemi qytetarë dhe duam t’u themi këtyre elementëve që ne nuk na ndryshojnë dot. Jam krenar për ata dhe për punën që po bëjmë. I bëj thirrje FSHF-së të bëjë mirë punën e saj, arbitrat punën e tyre edhe pse në kushte të vështira dhe ekipet të bëjnë punën e tyre brenda në fushën e lojës, që duhet të jetë gjithmonë ‘Fair Play'”, përfundoi reagimin e tij, trajneri i Albpetrolit, Elidon Demiraj.

Amarildo Gropa

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"