Trajner karateje dhe piktor, ja artisti i tablove nudo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2014 | 12:38

Trajner karateje dhe piktor, ja artisti i tablove nudo

Parid DuleAi është i lidhur fort me karatenë, por edhe pikturën. Siç i konsideron Parid Dule, njëra i shkarkon energjitë negative, ndërsa tjetra i mbush shpirtin. Në fillim të janarit, trajnerin e Kombëtares së karatesë e gjejmë jo në palestër, por te “Tirana Express”, aty ku ka hapur ekspozitën e tij, “Nimfat”. Subjekti kryesor sublimohet nëpërmjet ngjyrave, motivit dhe brishtësisë së femrës, duke e paraqitur një aspekt tjetër. Për Paridin, këto janë piktura ndër vite, por erdhën në muajin e parë të vitit, i shtyrë nga Nurjona Pinguri, e cila ishte edhe kuratore e ekspozitës. Flet me pasion për pikturën, ngaqë rrjedh edhe nga një familje artistësh, por nuk lë pas edhe karatenë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri i Kombëtares së karatesë, Parid Dule, rrëfehet se si i është futur karatesë, pikturës, pse zgjodhi të vijë në këtë ekspozitë me femrën të paraqitur nudo dhe kush e frymëzon…
Karate-pikturë, çfarë i lidh këto të dyja?
Karateja është një art më vete. Arti, pra pikturën dhe sportin i lidh një urë. Nëpërmjet sportit, por edhe pikturës kam lëvizur në vende të ndryshme dhe i kam përjetuar kryeveprat botërore.
Si i jeni futur rrugës së karatesë?
Në fakt, sporti ka qenë prezent tek unë që i vogël. Pëlqeja shumë futbollin, por mbaj mend që im atë nuk e donte këtë profesion. Kësisoj nuk më la që të merresha me futboll. Por, duke parë që nuk isha shumë i gjatë, iu futa arteve marciale pas viteve ’90. Asokohe bashkë me shokët e mi blemë një libër shumë të shtrenjtë takëindo. Që kur isha 16- 17 vjeç bënim doreza të ndryshme. Dhe kështu e zgjodha karatenë, për të kuptuar më mirë vetveten. Po pikturën? Që kur isha 4-5 vjeç nisa të vizatoj. Ky është një profesion i trashëguar nga im atë. Nuk është asgjë e imponuar, përkundrazi piktura është në brendësinë time. Ajo ka lindur bashkë me mua dhe besoj se e kam shprehur në mënyrën më të mirë.
Si e menaxhoni kohën, duke qenë se jeni trajner i ekipit kombëtar të karatesë dhe, nga ana tjetër, ju duhet edhe të pikturoni?
Pikaso ka thënë: “Ai që nuk do ta bëjë diçka, gjen arsye për të mos e bërë”. Kështu që, kur unë nuk dua të pikturoj them se nuk kam kohë. Por gjithsesi e gjej kohën për të dyja, madje ia dal me sukses. Ai që do, e gjen kohën edhe në kontekstin e sportit, që çliron atë energjinë negative, apo të pikturës që të jep kënaqësinë shpirtërore.
Sa orë mund t’ju duhet për të pikturuar?
Për të pikturuar? Ka r a s t e edhe mbi 16 orë, kuptohet për të realizuar diçka të bukur. Nga im atë kam huazuar lirizmin dhe ngjyrat. E kujt ishte ideja e çeljes së ekspozitës me pikturat nudo? Realizimi i ekspozitës ishte një ide e Nurjona Pingurit. Pra, ishte dëshira e saj për të thyer tabunë. Dhe vendosëm që të hapnim ekspozitën.
Ndërhyn Nurjona: “I kisha parë pikturat e Paridit dhe duke qenë se mbizotëron nudoja, i thashë pse të mos e hapte një ekspozitë të tillë. Ishte një punë ndër vite, që nuk duhej të rrinte fshehur. Kështu, vendosëm që të çelnim këtë ekspozitë ‘Nimfat’, në qendrën kulturore Tirana Express”.
Nëse do t’ju duhet të zgjidhnit midis karatesë dhe pikturës, kë do zgjidhnit?
Që të dyja këto profesione nuk mund t’i ndaj nga njëra-tjetra. Ashtu siç e thashë edhe më lart, piktura është pjesë e fëmijërisë sime. Bisedat në shtëpinë time rrotulloheshin gjithnjë rreth artit. Im atë, Bardhyl Dule, i ka dhënë tonin pikturës. Kështu që nuk i thonë kot asaj shprehjeje: “Dardha bie nën dardhë”. Edhe djali juaj është i talentuar, si në pikturë edhe në karate… Edhe ai e ka të trashëguar. Nuk ia kam imponuar aspak unë një gjë të tillë. Ai e ka vullnet, dëshirë, por edhe talent që të pikturojë. Djali po ndjek rrugën e gjyshit të tij, timen, ku mund të mbahet. Mirëpo, artin duhet ta bëjë për kënaqësinë e tij, ndërsa për jetën duhet të mendoj diçka tjetër, një profesion të dytë.
A ju është dashur ndonjëherë ta përdorni karatenë për vetëmbrojtje?
Karatenë e përdor gjithnjë në stërvitje. Ajo më heq energjitë negative që kam brenda vetes. Ndërsa në rrugë, fatmirësisht, nuk më është dashur ta vë në zbatim ndonjëherë.
Kush sjell më shumë të ardhura?
Deri në vitin 2005 piktura kishte shumë të ardhura. Kishte blerës dhe sigurisht që kishte fitime të mira. Ardhja e krizës gradualisht ka sjellë edhe një lloj ndrydhjeje dhe të ardhurat janë shumë të kushtëzuara. Ndërsa sporti është si dyqani, nuk të jep fitime marramendëse, por nuk të lë pa gjë. Gjithsesi, edhe ajo ka benefitet e veta.
Në ekspozitën tuaj bien në sy femrat nudo, pse keni zgjedhur pikërisht këtë?
Duke qenë një familje artistësh, piktura nudo nuk ka qenë një tabu. Domethënë, nuk ka pasur asnjë ide të mbrapshtë kur shikoja që të pikturonin nudo. Më pas, nudoja evoluoi në akademi, mandej në lice, në librat e artit, emisione etj. Gjithashtu, kjo ka ardhur edhe nga koha që u kam kushtuar muzeve të Luvrit, Romës, Londrës, aty ku arti merr vlera të tjera. Pse nudo? Sepse e paraqet femrën sensuale, fisnike (bukuria femërore), të pastër dhe të sinqertë. Pra, siç i thonë të vërtetën lakuriq. Artisti, veç përzgjedhjes së personazhit, duhet të japë edhe pjesën e brendshme, që gjithçka të dalë sa më origjinale. Gjithashtu, artisti ka për detyrë të nxjerrë në pah një trup ndryshe dhe të linjave të shëndetshme.
Kush ju frymëzon?
Kam një muzë timen… Sidomos këto katër vitet e fundit, gjithçka ia dedikoj asaj, emrin e së cilës dua ta mbaj top-sekret. Ajo më bën që të pikturoj mbi 16 orë dhe për këtë i falem asaj, për këtë punë të pashoqe.
A ju ka ndodhur ndonjëherë që kur stërvisni fëmijët t’ju vënë në siklet, duke iu bërë pyetje për pikturat?
Jo, nuk ka ndodhur asnjëherë. Grupmosha që unë stërvis janë të përqendruar te karateja, lëvizjet e tyre, si e si që të përvetësojnë sa më shumë. Ndërsa ata që janë pjesë e diskutimeve të pikturës janë moshë më e rritur, miq dhe kolegë të mitë.
Kush është idhulli juaj në pikturë dhe karate?
Në pikturë ka shumë, si Van Gogu, Veleska, Rembrandt etj. Si rrymë i përkas post-ekspresionizmit. Ndërsa në karate idhulli im është Enver Idrizi.
SUADA CENUKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"