Tomori u del në krah trajnerit Sormani dhe mbrojtësit Atanda

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2016 | 23:55

Tomori u del në krah trajnerit Sormani dhe mbrojtësit Atanda

Partizani e ka pritur me qetësi shortin e raundit “play off” të Ligës së Europës, pasi, sipas drejtorit të përgjithshëm Genc Tomori, të gjithë kundërshtarët e përzgjedhur kanë qenë të një vështirësie të lartë. Përpos forcës dhe vlerave që ka Krasnodari, “demat e kuq” do të mundohen që të bëjnë një paraqitje pozitive dhe nuk i tremben skuadrës ruse.

tomori

Partizani ka të drejtë që deri më 8 gusht ta pasurojë listën e federimeve, por me shumë gjasa edhe ndaj rusëve do të luhet me lojtarët që janë në listën e deritanishme të UEFA-s. “Të gjashtë ekipet që ishin përcaktuar si kundërshtarë në vazon tonë ishin të fortë. Klube të mirë, të cilët kanë marrë pjesë rregullisht në fazën e grupeve në Europë në vitet e fundit. Nuk prisnim më shumë, pasi dihet se Partizani kishte një koeficient të ultë në këtë short. Nuk e njohim Krasnodarin, por në vijim do të mbledhim informacionin e duhur.

Dimë që është një klub i ri, i cili ka marrë pjesë rregullisht së fundmi në grupet e Ligës së Europës, duke arritur edhe rezultate shumë të mira. Nuk mund të them se është një rival i frikshëm, pasi futbolli pranon çdo rezultat. Është fusha ajo që vendos dhe ne jemi munduar ta tregojmë veten si të barabartë edhe ndaj rivalëve të tjerë në Europë. Kemi treguar se kemi vlerat tona dhe jemi mundur nga disa gabime, jo nga superioriteti i dukshëm i kundërshtarëve”, u shpreh fillimisht Tomori.

demi sormani starova tomori partizani

Kualifikimi

Partizani nuk do të shkojë në Rusi më 18 gusht për turizëm, apo për të luajtur thjesht një ndeshje futbolli. Tomori pohon se “demat” e mendojnë edhe kualifikimin. “Deri sa kemi arritur deri këtu, ne si Partizan i mendojmë të gjitha. Normal që e mendojmë edhe kualifikimin dhe, në dallim nga përballjet e tjera, kësaj radhe ndeshjen e parë e kemi jashtë fushës sonë.

Do të mundohemi që të kapim rezultate sa më të mira në Rusi, në mënyrë që në ‘Elbasan Arena’ të kemi shanset tona. Kemi edhe një armë plus në sfidën e kthimit, që janë tifozët tanë, të cilët kanë sakrifikuar duke na mbështetur edhe në transfertat e largëta. Transferta e radhës është shumë e largët dhe tifozët mbase mund ta kenë të pamundur”, vijoji drejtori i Partizanit.

Sormani dhe Atanda

Pas eliminimit ndaj Salzburgut janë shtuar zërat kundër trajnerit Sormani. Sipas tyre, italiani gaboi me pozicionimin e mbrojtësit Sodiq Atanda. Këtë gjë e ka shprehur dje edhe ish-drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, i cili mban të njëjtin post te Kukësi.

“Njerëzit janë të lirë të flasin, si Dervishi, apo ish-sulmuesi i Partizanit (Edmond Dosti). Secili mund të japë mendimin e tij, por Atanda është pjesë e ekipit. Në futboll nuk humb lojtari, por i gjithë ekipi. Kështu që edhe Atanda është pjesë e skuadrës si në fitore dhe në humbje. Partizanin e këtij viti më shumë e shikoj si kolektiv dhe jo nga individët”, shtoi më tej Genc Tomori.

sormani partizani

Drejtori ka komentuar disi edhe kapitenin, që pas ndeshjes përmendi emrin e nigerianit si përgjegjës për dy golat e pësuar ndaj Salzburgut. “Edhe kapiteni Hoxha që ka folur pas ndeshjes besoj se nuk e ka pasur me qëllim, por thjesht si mërzi e ardhur nga humbja. Te Partizani nuk humbet individi, por ekipi. Jemi grup dhe të gjithë janë të vlefshëm, pa asnjë dallim, qoftë Atanda apo dikush tjetër.

Gabimet individuale të lojtarëve i përkasin trajnerit, i cili duhet që t’i përmirësojë gjatë seancave stërvitore. Ndërsa fjalët që thonë, se u mundëm nga ky apo ai, nuk i quaj me vend. Partizani është i bashkuar dhe tani na del për detyrë që të mendojmë për dy ndeshjet me Krasnodarin”, u shpreh në fund për “Panorama Sport” drejtori i të kuqve të kryeqytetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"