TOMORI/ Rritet me 60 milionë lekë buxheti, Bashkia Berat kërkon ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2021 | 9:44

TOMORI/ Rritet me 60 milionë lekë buxheti, Bashkia Berat kërkon ngjitjen

Është zhvilluar ditën e martë mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku u miratua buxheti për 2022-shin. U zbulua edhe shifra që do të akordohet për klubin e futbollit dhe duhet thënë që ka pësuar rritje krahasuar me një vit më parë.

bashkia berat

“Panorama Sport” ka ndjekur në sallë të gjithë procesin, derisa erdhi momenti ku u diskutua për Tomorin. Bashkia Berat ka rritur me 60 milionë lekë (të vjetër) fondin, duke e çuar atë nga 270 në 330 milionë lekë (të vjetër). Të gjithë këshilltarët kanë qenë “pro”, pasi viti i ardhshëm përkon edhe 100-vjetorn e klubit.

Pas përfundimit të mbledhjes dhe miratimit të buxhetit të vitit 2022, për gazetën ka folur nënkryetari i bashkisë, Luçiano Bojaxhiu, i cili ka drejtuar këtë mbledhje në mungesë të Ervin Demos.

“Të gjithë jemi të kënaqur me shifrën e sapomiratuar prej 330 milionë lekësh (të vjetër) për skuadrën e Tomorit. Më duhet të them se ka qenë interesimi i veçantë i kryebashkiakut Ervin Demo, që është edhe president i skuadrës së Tomorit.

Kjo rritje do të shërbejë për objektivin madhor të Bashkisë Berat, që synon që në 100-vjetorin e themelimit të Tomorit, skuadra të ngjitet në Superiore.

Këtë do ta realizojmë medoemos, jo vetëm si një dëshirë e madhe e tifozërisë beratase, por më së shumti, si një obligim që kemi si bashki ndaj historisë dhe vlerave që përfaqëson Tomori. Më duhet të evidentoj edhe një tjetër aspekt, që kryebashkiaku së bashku me donatorët e skuadrës dhe ndihmën që do të japin biznesmenët beratas, brenda dhe jashtë Beratit.

Me sigurinë absolute që kemi, premtojmë si institucion që për 100-vjetorin Tomori do të festojë ngjitjen në Superiore dhe këtë premtim mund ta ‘skanoni’ të gjithë në memorie”, përfundoi numri dy i bashkisë.

EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"