Tirana e paditi në FIFA për “arratisje”, Moise humb edhe Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2017 | 17:50

Tirana e paditi në FIFA për “arratisje”, Moise humb edhe Kombëtaren

Fitoi Kupën e Shqipërisë me Tiranën, por më pas humbi gjurmët. Kjo është historia e çuditshme e Moise Nkounkout, i cili këtë sezon është zyrtarisht pa ekip. Fill pasi u mbyll finalja me Skënderbeun, ai la Shqipërinë dhe u “arratis” drejt Kenias dhe që prej asaj dite nuk ka komunikuar me asnjë nga klubi.

Moise

Edhe pse drejtuesit i prenë biletën për t’u kthyer dhe madje e përfshinë edhe në listën e ndeshjeve të Ligës së Europës, për Makabi Tel Aviv, ai refuzoi të kthehej. Fillimisht nxori justifikime, duke thënë se kishte mamanë sëmurë, por më pas nuk e pa të udhës që t’i bashkohej ekipit. Ai është nën kontratë me kryeqytetasit, ndaj edhe Tirana nxitoi që t’i drejtohej FIFA-s.

Për llogari të mesfushorit ekziston edhe një padi në “qeverinë” ndërkombëtare të futbollit. Bardheblutë janë ankuar për lojtarin dhe në kësi kushtesh ai e ka të pamundur që të federohet diku tjetër, pasi nuk është larguar me vullnet dypalësh. Nëse ai tenton që të regjistrohet dhe luajë me ndonjë tjetër ekip, atëherë do të jetë i detyruar që të dëmshpërblejë klubin me një shumë realisht të majme, që shkon në 100 mijë euro, sikundër është e parashikuar edhe në marrëveshje.

Mosie

Maksimumi që ai mund të bëjë, është që të luajë futboll në nivele amatore, aty ku nuk nevojitet as leja e kalimit. Por neglizhenca e lojtarit ka sjellë pasoja edhe më të rënda. Ai ka humbur përfundimisht edhe Kombëtaren, pasi përfaqësuesja keniane e ka lënë jashtë listës 21- vjeçarin edhe për dy ndeshjet e radhës.

Nëse Merveil Ndokyt realizoi transferimin e bujshëm nga Tirana te Getafe, patrioti i tij preferoi rrugën më të thjeshtë: ta mbyllte me futbollin profesionist. Mbetet ende e paqartë se përse Moise ka vepruar në këtë formë, pasi me vullnet të plotë i ka vënë shkelmin karrierës së tij.

Moise dhe Merveil

Edhe mediat afrikane i janë vënë kundër mesfushorit, ndërsa jo vetëm janë shfaqur të habitur, por e kanë cilësuar veprimin e tij, për të mos respektuar kontratën e firmosur në verën e 2016-ës, si mungesë profesionalizmi. Te Tirana nuk është dëgjuar kurrë një histori e ngjashme dhe për më tepër kur Moise ishte një ndër lojtarët që paguhej me korrektësi maksimale prej klubit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"