Tirana do menaxhohet nga aksionerë. Jepet në përdorim për 18 vite, ndahen borxhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2014 | 9:06

Tirana do menaxhohet nga aksionerë. Jepet në përdorim për 18 vite, ndahen borxhet

Moment nga mbledhja e djeshme e Këshillit BashkiakPas shumë shtyrjeve dhe orvatjeve, dje u mor vendimi i shumëpritur për klubin e futbollit “Tirana”. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak u miratua me 33 vota pro kalimi i aseteve të Tiranës në përdorim. Për 18 vite me radhë Tirana do të bashkëmenaxhohet nga bashkia dhe aksionerët. Relacioni, i dorëzuar prej kohësh nga klubi bardheblu, pas shumë diskutimeve mes të djathtëve dhe të majtëve mori votat e nevojshme. Skuadra e futbollit të kryeqytetit do të menaxhohet bashkë me ata që kanë kontribuuar ndër vite, pra me sponsorë e donatorë, duke mos përfshirë vetëm ata aktualët. Do të jepen në përdorim vetëm asetet. Pra, nuk është privatizim, por zbritje e aksioneve nga Bashkia e Tiranës. Borxhi, që shkon në afro 1.4 milionë euro, do të ndahet në gjysmë prej donatorëve dhe vetë bashkisë. Pra gjithkush nga ata që kanë hedhur parà në llogari të ekipit të futbollit, veç aksioneve, do të ndajnë përgjysmë me bashkinë edhe faturat financiare. Mbi 75 për qind e këtyre borxheve duhet që të shlyhen deri më 31 dhjetor 2014.
Vendimi Pas debateve dhe kontestimeve të shumta, kryesisht prej të majtëve, që ishin pro dhe kundër për disa pika të këtij relacioni, vullneti i këshilltarëve u bashkua në një pikë, që kriza e Tiranës të marrë zgjidhje dhe historia e një viti më parë të mos përsëritet. Në 18 vite që klubi do të jetë në duart e aksionerëve, por me mundësi ripërtëritje të marrëveshjes, aksionerët e ardhshëm do të ndërtojnë një shkollë futbolli dhe fusha. Megjithatë, vlen të theksohet se nuk do të jetë pa kushte, pasi bashkia do të jetë mbikëqyrëse në çdo vendimmarrje për të ardhmen e këtij klubi. Aksionerët, të cilët do të përcaktohen vetëm pasi grupi hetimor (do të ngrihet nga bashkia) të nxjerrë konkluzionet e duhura për investimet e bëra, do të kenë mundësi që çdo parà e hedhur t’u konvertohet në përqindje aksionesh. Dhe, në momentet kur këta sponsorë ndër vite do kenë kaluar vlerën e investimit, pas verifikimeve që do të kryhen, do u njihet gjithçka. Ata që e kanë pritur me ankth për mbi katër orë këtë vendim ishin tifozët, të cilët nuk lëvizën për asnjë çast nga ambientet para bashkisë, duke kërkuar me ngulm miratimin. Por fundi për ta ishte i lumtur dhe më pas festuan.
Relacioni Vlera kapitale e shoqërisë aktualisht është mbi 6 miliardë, të ndarë afërisht në po kaq aksione, të cilat do të kenë vlerën nominale 1 mijë lekë. Vlera e kapitalit përbëhet nga pasuritë e paluajtshme, si “Selman Stërmasi”, “Skënder Halili”, “Fusha e Kombinatit”, por jo vetëm, do të mbeten në llogari të bashkisë, megjithatë me miratimin e kësaj të fundit i kalojnë në përdorim shoqërisë aksionere. Si kusht, kjo shoqëri në një vit kalendarik duhet që të shpenzojë 1 milionë dollarë, duke qenë se vetë bashkia nuk mund ta subvencionojë këtë shumë.

Debatet në mbledhje
Çështja e klubit “Tirana” ka hapur debate në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak. Nënkryetari i bashkisë, Eno Bozdo, është shprehur kundër privatizimit të sport klub Tiranës. Ai theksoi se duhet të ulen aksionet e bashkisë, por jo të privatizohej ky sport klub. Bozdo propozoi menaxhim bashkë me kontribuuesit e Tiranës. Megjithatë, pas debateve u miratua me 33 vota ndarja e aseteve Futboll Klub Tirana. Këshilltarët e LSI-së dhe disa të PS-së votuan pro ndryshimeve.
Eno Bozdo: “Jam kundër privatizimit, por do të ishte më mirë që kishte bashkëmenaxhim mes bashkisë dhe kontribuuesve. Borxhi duhet që të ndahet në gjysmë, pra të japim në përdorim asetet. E thënë ndryshe, të zbresim aksionet nga bashkia, kjo është formula më e mirë për ekipin”.
Niazi Kosovrasti: “Kush ka kontribuuar në vite, duhet që të jetë aksioner. Kam bindjen se do të krijohen raportet e duhura për t’i dhënë zgjidhje. Unë besoj se kjo shoqëri do e çojë përpara klubin. Ata donatorë që kanë hedhur para deri më tani duhen falënderuar, pasi kanë dhënë, po japin dhe do të vazhdojnë të japin. Ndaj duhet që ta votojmë këtë relacion”.
Shezai Rrokaj: “Kjo mbledhje po tregon se ka gatishmëri për ta miratuar këtë vendim. Ky këshill nuk duhet të shmanget, por duket që t’i japë mundësi ekipit të ecë përpara. Koncepti i donacionit nuk mund të zgjasë pafundësisht, pasi edhe pasioni mbaron. Për mua kjo është rruga më e drejtë”.
Genti Gazheli: “Të gjithë e duam Tiranën dhe unë s’dua të dal kundër, por dua të tregohem realist. Ende nuk e kam lexuar relacionin për klubin. Nuk do të votoja kurrë kundër klubit, por më duhet kohë”.
Aldrin Dalipi: “Nuk tallem dot me asnjë qytetar, nuk fshihem pas fjalëve. Vendimi është shpërndarë me kohë, kjo nuk është arsye. Unë nuk dal dot jashtë dhe t’u them tifozëve që s’e kam një përgjigje, nuk e marr përsipër këtë gjë”.
Eno Bozdo: “Nuk është arsyetim me vend, jepni argumentet”. Niazi Kosovrasti: “Në ligj dhe në rregullore nuk ka detyrim që çështja të kalohet në komision. Materiali ka ardhur me kohë, madje dy herë, edhe firmat janë të gjitha aty. Tirana nuk ka më kohë, nëse e shtyjmë këtë vendim. Ta marrim sot (dje)”.
Murat Basha: “Tirana është në rrezik, koha nuk premton. Kanë mbetur pak ditë për shitblerjet e lojtarëve dhe për fillimin e një faze përgatitore. Edhe një ditë vonesë i bën dëm, vendimi është urgjent”.
Mehmet Hasalami: “Jemi të vetëdijshëm që çdo shtyrje dëmton Tiranën, por duhet pranuar se këto nene para se t’i hedhim në votë duhet që t’i studiojmë. Pastaj, fakti që klubi do të jepet për 18 vite në përdorim më duket realisht shumë. Besoj se kjo do të shoqërohet me dëme. Mendoj se 5 deri në 10 vite do të ishin mjaftueshëm, me mundësi rishikimi të kontratës”.
Shezai Rrokaj: “Mund të ketë rezerva edhe për ndonjë pikë mbi relacionin, por për këta tifozë duhet dhënë një vendim. Pastaj Tirana në vite ka pasur sponsorë, ata janë njerëz pasionat, por kanë nevojë edhe për një bazë ligjore”.
Niazi Kosovrasti: “Diskutimet e mëtejshme nuk nxjerrin gjë në dritë, në emër të PD-së dhe aleatëve tanë, ne jemi dakord që ky relacion të miratohet. Por ne votat nuk i kemi të mjaftueshme”.
Agim Kraja: “Të votojmë, s’mundet më që këta individë të hedhin lekët kot. Keni parë rastin e Kukësit, që nga Kategoria e Tretë u ngjit në elitë. Ndaj ne jemi pro”.
Aldrin Dalipi: “Duhet të votojmë, për miratim duhen 33 vota”.
Sulejman Mema: “Nëse nuk e votojmë, do të bëhej më keq. S’ka më kohë. Në të kundërt do të ndodhë si vjet, kur puna nisi në muajin gusht dhe rezultati u pa. Besoj se edhe ju do jeni më të lirshëm pas këtij vendimi”.
Viron Bezhani: “Ta hedhim me votë”.
Shezai Rrokaj: “Ta miratojmë në parim të paktën, kjo çështje duhet të merret me patjetër në konsideratë”.
Eno Bozdo: “Bëhet fjalë për 18 vite, por gjatë kësaj kohe këta aksionerë do të investojnë, do bëjnë shkollë futbolli. Dhe këta njerëz duan siguri, çka ua japin vetëm vitet. Ky projektvendim të çon në një marrëveshje, por mos mendoni se do të jetë pa kushte”.
Aldrin Dalipi: “Unë jam marrë shumë me këtë çështje, qëkur u dorëzua për herë të parë. Tani të ndahet mendja, ose ka problem akti, ose jo”.
Dhori Kule: “Unë e miratoj në parim, besoj te juristi që e ka hartuar këtë relacion”.
Abdyl Sarja: “18 vite janë shumë”.
Mehmet Hasalami: “Nëse ia jepni klubin në përdorim për 18 vite, ata njerëz nuk do të ketë burrë nëne që t’i largojë më pas”.
Niazi Kosovrasti: “Po jepet në përdorim, bashkia do mbetet po aty, do të jetë aksionere. Po ngatërroheni me këtë pjesë. Pastaj në ato fusha nuk do të ndërtohen gradaçela mos u frikësoni, do përdoren ende për futboll”.
Genti Gazheli: “Na jepni të paktën edhe një javë kohë”.
Aldrin Dalipi: “Të hidhet në votë, nuk ka më kohë. Me 33 vota pro, miratohet”.

KËSHILLI BASHKIAK VENDOSI
1. U miratua me 33 vota pro kalimi i aseteve të klubit në përdorim për 18 vitet e ardhshme nga shoqëria aksionere dhe bashkia.
2. Të miratohet bilanci dhe pasqyrat financiare të klubit për vitin 2012 dhe 2013, të cilat kanë dalë me humbje.
3. Të ndahen debitet financiare nga bashkia dhe shoqëria aksionere.
4.Zvogëlim i kapitalit themeltar për pasuritë e paluajtshme, të cilat do i kalojnë në përdorim pa kundërshpërblim klubit të futbollit Tirana sh.a për një periudhë 18-vjeçare, me të drejtë investimi.
5. Vlera e kapitalit do të jetë 104.000.000 lekë, ku 80.000.000 lekë do i japë bashkia dhe 30%, pra 24.000.000, shoqëria.
6. Ata që kanë investuar dhe kanë kaluar normën e sponsorizimit, kanë të drejtë të përfitojnë aksione në shoqërinë tregtare.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"