“Tifozat Kuq e Zi”, ja si lindi grupimi i famshëm i Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2015 | 14:40

“Tifozat Kuq e Zi”, ja si lindi grupimi i famshëm i Kombëtares

KUQEZIDebatik Curri vetëm sa i dha zjarr atmosferës në tribunat e stadiumit të Amsterdamit. Shqipëria po humbiste nga Holanda 2-1, por një gol i Currit i dha shpresë grupit të tifozëve të Kombëtares se gjërat mund të ndryshonin deri në fund të 90-minutëshit. Për fat të keq, rezultati nuk ndryshoi, por kjo ndeshje ndihmoi që të ndryshonte imazhi i grupit “Tifozat Kuq e Zi”. Të nesërmen pas ndeshjes, gazeta më e madhe sportive në Holandë, shpalli “Tifozat Kuq e Zi” si “lojtarin e ndeshjes”. U dha notën dhjetë – maksimale. Dhe, kishte të drejtë. Një grup që kishte pak vite që ishte formuar, mori anën në stadiumin me 53 mijë ulëse. Rreth 3.800 tifozë shqiptarë po dëgjoheshin shumë më shumë se rreth 50 mijë holandezë në tetorin e vitit 2006. Sukses si ky, grupi që i qëndron Kombëtares pas në çdo ndeshje, ka plot. Por, ky është më i ëmbli për njërin nga pesë themeluesit e “Tifozave Kuq e Zi”, Valentin Muhaxheri.

Muhaxheri nga Peja, së bashku me Anton Berishajn nga Tuzi, Artor Behlulin e Burim Hanën nga Prishtina dhe Faruk Halimin nga Shkupi janë ideatorët dhe themeluesit e këtij grupi që përfshin tifozë nga të gjitha trevat shqiptare, pa më të voglin dallim. “Njëri prej sukseseve më të mëdha është ai në Holandë, ku pas ndeshjes e kemi marrë notën dhjetë. Ishim rreth 3.800 persona dhe plotësisht kemi dominuar në stadiumin e Amsterdamit, madje përballë tifozëve holandezë, që janë të njohur për atmosferë të zjarrtë”, rrëfen Muhaxheri për “Kohën Ditore”. Muhaxheri tregon se TKZ-ja ka pasur shumë udhëtime, i është gjetur Kombëtares kudo ku ka luajtur, por veçon ato në Slloveni dhe Budapest. Në këto dy vende, TKZ-ja ishte e rrezikuar nga grupet radikale serbe që ishin atje, por ai thotë se çdo situatë është kaluar me qetësinë më të madhe. Në fakt, ky grup është i njohur sa për atmosfer- ën, aq edhe për kulturën sportive, meqë ende nuk i është ngarkuar asnjë incident. Gjë e rrallë për tifozët. “Asnjë incident nuk ka bërë TKZ-ja për 12 vjet. Kemi pa sur situata të ndryshme, por i kemi kaluar më së miri. Ne vazhdimisht kemi qenë në kontakte me policinë e atij vendi ku kemi shkuar, – shprehet Muhaxheri. – Ne të gjithëve, u kemi dëshmuar se nuk jemi huliganë siç na përshkruanin para ndeshjeve. Nuk kemi qenë rrugaçë, por tifozë të vërtetë që e përkrahin ekipin, ashtu siç u ka hije”. Në të vërtetë, në fund të këtij viti, TKZ-ja do të festojë ditëlindjen e 12- të. Gjithçka nisi në fund të muajit dhjetor të vitit 2003, kur pesë djem nisën misionin e tyre, i cili nuk ishte aspak i lehtë.

Grup tifozësh që mendon për imazhin e shqiptarëve

Ideja për këtë tifogrup ishte më e hershme. Burimi ka jetuar për dhjetë vite në Angli dhe si lojtar e fans i madh i futbollit kishte shkuar për ta përcjellë ndeshjen eliminatore ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë për “Euro 96”. Në Angli, Burimi kishte një grup të tillë të organizuar dhe për të parë nëse ka grupe të tjera, kishin publikuar një shkrim në një gazetë kosovare. “Ne u paraqitëm se ishim një grup i organizuar nga Anglia dhe donim të shihnim nëse kishte edhe grupe të tjera. Pas këtij shkrimi u paraqit edhe një grup nga Gjermania dhe një nga Shkupi. Pas kontakteve dhe bisedave arritëm në përfundimin që të formonim grupin e tifozëve të Kombëtares së Shqipërisë, – kujton Burim Hana. – Unë dhe Artori ishim në Londër, Antoni dhe Faruku në Gjermani, ndërsa Valentini në Kosovë e Austri. Pas kësaj nisëm edhe bisedat në forumin që e krijuam”. Ishte uebfaqja “Tifozat.com”, ku të gjithë diskutonin dhe flisnin për interesin e përbashkët. Valentini ishte administrator i faqes dhe njëkohësisht zëdhënës i tifogrupit “Shqiponjat” nga Peja, kurse Burimi thotë se ideja ishte që të kishte tifozë prej të gjitha trojeve shqiptare. Në atë kohë ekzistonte grupi “Dardanët” që ishte union i grupeve lokale, por kishte probleme me organizim për shkak të inateve ndërmjet grupeve të ndryshme. “Strategjia jonë ishte që ne t’i përfshinim të gjithë individualisht, pa logo lokale, por vetëm nën ngjyrat kuqezi. Kështu që iu futëm punës ta jetësonim këtë ide”, shprehet Burimi.

Këtë grup e dallonte edhe një gjë tjetër, pasi shumica nga grupi koordinues ishin djem të rinj që kishin emigruar dhe kishin kryer fakultete në Perëndim. Dëshira e tyre ishte që imazhi i shqiptarëve të përmirësohet atje përmes paraqitjeve të organizuara mirë nëpër stadiumet e Europës, kudo që do të paraqitej Kombëtarja e Shqipërisë. “Të gjithë kemi qenë aktivë dhe kemi dhënë gjithçka nga vetja. Askush nuk ka kursyer asgjë dhe jam krenar që isha pjesë e atij grupi së bashku me Antonin, Farukun, Burimin e Artorin”, shton Valentini. U themelua për Krishtlindje, u paraqit për Bajram. Një muaj, ky grup zhvilloi aktivitetin pa emër. Kur morën vendimin për emërimin e grupit, u propozuan 7-8 emra. Pas votimit të parë, me vota të barabarta, përfunduan propozimet “Tifozat Kuq e Zi” dhe “Alabaholics”. “Ai që e propozoi vetë emrin ‘Albaholics’ në rivotim, votoi për ‘Tifozat Kuq e Zi’, sepse po të mos kishte ndodhur kjo me siguri që tani do të njiheshim me emrin ‘Albaholics'”, kujton Burimi. “Pas emrit, erdhi edhe logoja, e pastaj edhe uebfaqja”. Pagëzimi i grupit u bë më 25 dhjetor të vitit 2003 dhe asokohe ishte festa e Krishtlindjeve.

Zyrtarisht TKZ-ja ditëlindjen e feston më 25 dhjetor. Megjithatë, për herë të parë në publik, TKZ-ja doli më 2 shkurt të vitit 2004 dhe kjo ditë përkoi me një tjetër festë fetare – ishte Dita e Bajramit. “Pikërisht këto dy data dhe festat fetare e tregonin më së miri mesazhin e bashkimit të shqiptarëve pa dallim besimi”, thuhet në historikun e publikuar në uebfaqen “tifozatkuqezi.com”. Debutimin si grup në tribuna e realizoi më 18 shkurt të vitit 2004 në ndeshjen miqësore kundër Suedisë. Në këtë ndeshje, “Tifozat Kuq e Zi” ishin në numër prej 100 personave, ndërsa tani ky tifogrup numëron mijëra. “Në fillim të gjithë na shihnin si budallenj, por më pas kuptuan se çfarë rëndësie kemi. Atëherë, koreografitë i bënim në Prishtinë dhe i merrnim me vete, kurse më vonë në Tiranë me tifozët e tjerë që na u bashkuan. Me kalimin e kohës, rrjeti i shokëve tanë atje (në Tiranë v.j.) u rrit dhe ata tani kanë përgjegjësinë e organizimit dhe koreografive”, shprehet Burimi.

Valentini thotë se, me kalimin e kohës, TKZ-ja bëri përfaqësuesit e vet në çdo vend ku ka shqiptarë: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë. Si një organizatë pa hierarki, TKZ-ja ka moton “O sa mirë me qenë Shqiptar”, e cila tash është thënia më e preferuar ndër shqiptarët. Ky grup ka edhe shumë moto të tjera, të cilat u thirrën gjatë festës së organizuar në Tiranë për pritjen e Kombëtares shqiptare pas kualifikimit historik në “Euro 2016”. “Të gjithë sloganet tona tashmë brohoriten nga të gjithë dhe për këtë jo vetëm unë, por të gjithë ata që e nisëm këtë punë jemi krenarë”, shton Burimi. “Kemi besuar se do të bëjmë diçka, por jo kaq shumë. Jemi krenarë më të gjithë dhe mbi të gjitha kualifikimin e Shqipërisë dhe bashkimin shpirtëror të shqiptarëve. Ne jemi më shumë se tifozë, jemi familje e madhe dhe gati në çdo qytet kemi një derë të hapur”. TKZ-ja funksionon pa kryetar, por me përfaqësues në qytete të ndryshme të trojeve shqiptare dhe me grup koordinues, i pandikuar nga politika apo grupet e ndryshme të interesit. Kjo edhe vlerësohet arsyeja pse ka mbijetuar. Ky grup vetëfinancohet, pasi të gjithë ata që janë pjesëtarë paguajnë anëtarë- simin prej dhjetë eurosh për dy vjet. Ndihmohet edhe nga persona me zemër të madhe pa kërkuar ndonjë kompensim. “Arsyeja që kanë mbijetuar kaq gjatë është se nuk ka pasur hierarki”, thotë Valentini. Ndërsa, Burimi shton: “Strategjia prej fillimit ishte që të mos kemi sponsorë, në mënyrë që të mos përzihet askush nga jashtë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"