Teuta përforcohet me boshnjakun Cmajcanin, largohet Nijaz Lena

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2016 | 12:55

Teuta përforcohet me boshnjakun Cmajcanin, largohet Nijaz Lena

Teuta ka rifilluar stërvitjet pas një dite pushim, por në stol ka qenë trajneri i ri Gentian Begeja. Skuadra po merr formë dhe me grupin është bashkuar edhe portieri Shpëtim Moçka, i cili pritet të jetë pjesë e ekipit, edhe pse një gjë e tillë nuk është zyrtare.

Po dje, nën urdhrat e trajnerit durrsak që mori detyrën dy ditë më parë, është vënë edhe mesfushori serbo-boshnjak Tarik Cmajcanin, i cili u testua me skuadrën gjatë fazës përgatitore që skuadra zhvilloi në Austri. Ai do të jetë pjesë e ekipit në kampionatin e ri, ndërsa më parë ka luajtur me ekipe si Nish në Serbi, apo Balestier Khalsa apo dhe FC Mika në kampionatin armen.

cmajcanin

Serbo-boshnjaku ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e Teutës, ndërsa për “Panorama Sport” shkurtimisht shprehet se është i lumtur për aventurën me durrsakët. “Për mua është një nder të jem pjesë e kësaj skuadre. Sapo kam ardhur këtu dhe ambienti është mikpritës dhe shpresoj të justifikoj besimin që po më japin”, ka thënë shkurtimisht mesfushori.

Largimi

Por, afrimi i Tarik ka sjellë edhe një largim. Nijaz Lena nuk do të jetë më pjesë e Teutës. Shqiptaro-maqedonasi ishte dje në Durrës për të biseduar me drejtuesit, por nuk ka arritur të gjejë akordin. “Dua të bëj me dije se nuk jam më pjesë e Teutës. Udhëtova për të biseduar me drejtuesit, por nuk kemi gjetur gjuhën e përbashkët për të vazhduar më tej, i falënderoj të gjithë dhe djemve u uroj suksese dhe, pse jo, të përsërisim atë që bëmë vjet dhe më shumë.

lena

Po largohem me përshtypje të mira, kaq ishte aventura ime te Teuta. Tani do të vlerësoj ofertat që kam dhe janë disa, por që nuk mund të bëj emra pa pasur diçka më konkrete”, ka thënë Lena. Ende nuk dihet nëse lojtari do të vazhdojë të jetë në Superiore apo do të luajë jashtë vendit. Lena e njeh mjaft mirë Kategorinë Superiore, pasi është aktivizuar me ekipe të ndryshme për shumë vite.

Jeton Rrexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"