Teuta e kujdesshme në merkato, një tjetër futbollist drejt largimit. Piketohen 2 talentet e Kombëtares së moshave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 7, 2020 | 14:23

Teuta e kujdesshme në merkato, një tjetër futbollist drejt largimit. Piketohen 2 talentet e Kombëtares së moshave

Teuta po tregohet shumë e kujdesshme në këtë merkato dimri. Zyrtarisht janë bërë dy largime, por me afrimet ende s’e kanë bërë sefte. Në ikje është edhe Orian Xhemalaj.

teuta

Tek Erzeni e quajnë të mbyllur rikthimin e mesfushorit, e megjithatë të paktën deri dje ai është stërvitur me “djemtë e detit”. Divorci duket në prag, kur sheh edhe minutat e pakta (vetëm 90′ në Kupën e Shqipërisë) që ka pasur 30- vjeçari.

Megjithatë, klubi është i përqendruar i gjithi për të pasuruar grupin. Kërkohen kualitete dhe ky është kusht i penegociueshëm. Vëmendja është e përqendruar te sulmi, repart që është treguar tejet “i kursyer” në 17 javët e para të këtij kampionati. Vetëm 13 gola të shënuar janë dëshmia më e mirë.

Teuta festa e golit (1)

Me malazezin Darko Nikaç që ka ikur në fundin e dhjetorit dhe me afrikanin Abdul Khalid që nuk po bind, përgjegjësit e merkatos dhe vetë trajneri Edi Martini po bëjnë çmos që të gjejnë një “bomber”. Dihet që janari nuk ofron shumë alternativa, por durrsakët nuk kanë në plan që të dorëzohen.

E megjithatë, jashtë fokusit nuk po lihen as të rinjtë premtues. Gazeta “Panorama Sport” mëson se në planet e klubit janë vënë Ildi Gruda dhe Shefit Shefiti. I pari është vetëm 20 vjeç dhe është aktivizuar për Shënkollin në Kategorinë e Parë.

Gruda

Sulmuesi ka të dhëna mjaft të mira dhe është dalluar për 6 golat e tij në pjesën e parë të sezonit. Duke qenë se është nga Shkodra dhe një produkt i Vllaznisë, Edi Martini duhet ta njohë mirë dhe nga momenti në moment lojtarin mund ta shohim në Durrës.

shefit-shefiti

I dyti është 21-vjeçar dhe rishtas ka qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut. Luan edhe ai në sulm, por në 304 minuta (nga 8 ndeshje) që është aktivizuar me ekipin e drejtuar prej Ernest Gjokës nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"