Tetë javë të mbetura nga përfundimi, Juri Merlim: Tani vjen pjesa delikate, ndeshje kyçe me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 17:08

Tetë javë të mbetura nga përfundimi, Juri Merlim: Tani vjen pjesa delikate, ndeshje kyçe me Dinamon

Tetë javët e mbetura kërkojnë angazhim maksimal për të arritur “Final 4” nga Skënderbeu. I këtij mendimi është mesfushori brazilian, Juri Merlim, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” tregon për sezonin e mirë që korçarët po zhvillojnë, por edhe për pritshmëritë për të ardhmen. Për Jurin, Skënderbeu është një ekip i ndërtuar me shumë kujdes dhe i mbështetur tek elementët e rinj me shumë perspektivë, çka e ndesh pak në futbollin shqiptar.

juri merlim

Ai është i bindur se ky grup do të rritet gradualisht për të kapur objektivat sezonin e ardhshëm.

“Jemi tetë javë nga fundi i kampionatit dhe për ne tani vjen pjesa më delikate. Pjesa që kërkon impenjim maksimal dhe mbi të gjitha përqendrim në çdo moment dhe në çdo ndeshje. Kemi arritur të bëjmë një sezon pozitiv, me gjithë luhatjet në ndonjë moment, por në tërësi kemi treguar se jemi një ekip që duhet të merremi në konsideratë. Po e bëjmë mjaft mirë punën tonë. Nga ana tjetër, është një garanci për të ardhmen, pasi kjo skuadër është e ndërtuar mbi lojtarë të rinj dhe që nuk kishin eksperiencën e duhur në elitën e futbollit shqiptar. Skënderbeu ka ditur të menaxhojë mirë gjithçka, ndaj mbetet një ekip që gjithnjë vjen në rritje. Nuk ndodh shpesh që t’i besohet një ekipi të ndërtuar kështu, por kjo tregon faktin që te Skënderbeu e njohin mirë mentalitetin dhe drejtimin. Për këtë jemi ndjerë mjaft mirë që në fillim, kur kemi ardhur në Korçë”, theksoi fillimisht mesfushori brazilian.

DINAMO – I ndalur më pas te ndeshja e radhës në kampionat ndaj Dinamos, Juri u shpreh se ajo duhet të interpretohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Sipas tij, Skënderbeu po i kushton shumë rëndësi këtij takimi dhe do të hyjë në fushë me të njëjtin qëllim për të marrë maksimumin.

“Kundër Dinamos na pret një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar që është pranë nesh në renditje. Për këtë i kemi kushtuar rëndësi. Normalisht është një takim si të gjithë të tjerët dhe do të shkojmë atje për të bërë lojën tonë dhe për të kërkuar maksimumin. Me Dinamon, për vetë faktin se jemi pranë në renditje, mund të konsiderohet një ndeshje kyçe për sezonin. Duhet të jemi të përqendruar për të marrë më të mirën”, u shpreh futbollisti i korçarëve, Juri Merlim.

LLAZI SARO

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"