“Të vjen ndot ta shohësh atë futboll”, shpërthen Ilir Gjyla: Janë të gjithë mbushës topi …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2019 | 13:25

“Të vjen ndot ta shohësh atë futboll”, shpërthen Ilir Gjyla: Janë të gjithë mbushës topi …

Javën e fundit të fazës së parë, Lushnja zbriti nga froni i kryesuesit të Grupit B, duke ia lënë vendin Pogradecit. Trajneri Ilir Gjyla, në një prononcim për “Panorama Sport”, thekson se të tijtë ishin në një ditë të errët në Fushë-Krujë, ku luajtën një futboll, siç deklaron ai, që të vinte ndot ta shihje.

gjyla

“Ishim në ditën tonë më të errët, kemi pësuar dhe humbje të tjera, por jo kështu. Kemi bërë një pjesë të parë të mirë, humbëm shumë raste flagrante, madje edhe nga Canka, i cili është njeriu-gol i skuadrës. Ndaj Ilirisë nuk i eci dhe dihet që futbolli është edhe fat. Pastaj një pjesë e dytë për t’u harruar. Kemi luajtur futboll apatik, futboll që të vjen ndot ta përmendësh, të vjen zor të jesh në stol e aq më shumë kur ke një skuadër pretendente. Megjithatë, kështu e ka futbolli dhe ky nuk është justifikim. Ndoshta skuadra ka një moment të keq, ka një rënie që më duket psikologjike. Do të mundohemi ta kalojmë sa më parë”, ka deklaruar Gjyla fillimisht.

MUNGESAT – Më pas ai u rikthehet deklaratave të mëparshme për të evidentuar çështjen e mungesave. “Do t’u rikthehem intervistave që kam dhënë për ‘Panorama Sport’. Kam thënë se vitin e kaluar kishim 10-11 lojtarë dhe se këtë sezon nuk na dhemb koka, sepse kemi ndryshuar. Mirëpo, vjen një moment që përsëri të dhemb koka. Po të shikosh javët e fundit, kemi pasur shumë mungesa. Mungon Sefa, i domosdoshëm për skuadrën. Me mungesën e tij, Canka nuk luan në pozicionin natyral. Javë pas jave kemi pasur mungesa nga kartonët.

Mungoi Ibrahimllari me Pogradecin dhe u ndëshkuam, në Fushë-Krujë nuk kishim Dervishin, ndërsa Mone dhe Alushi luajtën të dëmtuar. Kur përfundoi pjesa e parë kërkuan zëvendësim, kështu që vjen momenti që luan ajo pjesë e 15-16 futbollistëve, që kanë shumë disnivel. Ti e aktivizon sulmues, ai e kthen topin te 16-shja jote. E kemi thënë këtë pjesën e disnivelit, janë të gjithë mbushës topi. Vazhdoj ta them dhe u provua të shtunën. Pjesa e dytë ra vetëm nga ky ndryshim. Bëmë ndryshime të detyruara dhe loja u zbeh”, ka vazhduar Gjyla.

LIDERI I MUNGUAR – Trajneri i Lushnjës përmend edhe faktin se skuadra nuk ka një lider që pas dëmtimit të Sefës. “Me mungesën e gjatë të Sefës, skuadra nuk ka lider në fushë. Flasim ne trajnerët, por skuadra do një lider brenda. Jemi munduar të gjejmë ndonjë lider prapa. Më duken pak djem naivë.

Megjithatë, ka ndeshje përpara, rivalët ishin 7 pikë prapa dhe na kapën. Edhe ne mund t’i kalojmë, por duhen vënë pikat mbi ‘i’. Nëse nuk merr pikë, shkon në fund. Siç je përpara, ‘thyen hundë e buzë’. Nuk duhet të lejojmë të biem në greminë, do të mundohemi t’i mbledhim çunat pa alarm. Me pikë jemi të shëndoshë, jemi -1 nga vendi i parë. Kjo gjendje s’duhet të na marrë për poshtë”, ka përfunduar trajneri Gjyla.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"