“Të ruhet 40% e skuadrës dhe të privatizohet klubi”, Abilaliaj: Gati të bashkëpunoj për Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2020 | 16:30

“Të ruhet 40% e skuadrës dhe të privatizohet klubi”, Abilaliaj: Gati të bashkëpunoj për Flamurtarin

Arbër Abilaliaj apelon që Flamurtari të privatizohet një orë e më parë. Vetëm me rregulla të qarta loje, klubi do të ndërtojë një të ardhme të sigurt, sipas vlonjatit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i Flamurtarit thotë se klubi nuk ka sukses nëse do të vijojë në menaxhimin e bashkisë. Abilaliaj deklaron se për Kategorinë e Parë, klubi duhet të ruajë 40% të grupit aktual.
Abilaliaj
Ish-sulmuesi, së fundmi, është parë shumë pranë administratorit Sinan Idrizi, teksa deklaron se është gati për të bashkëpunuar në një të ardhme me të, porse kur dhe si, mbetet pasi të vendoset rinovimi i kontratës mes kompanive turke dhe bashkisë.

Arbër, çfarë vlerësimi i jepni sezonit të Flamurtarit?
E rëndësishme është që ekipi nuk ka hezituar për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Në disa ndeshje ka bërë mirë, pavarësisht se nuk ka arritur rezultatin, e sidomos në ndeshjet që ka zhvilluar edhe në fushën e vet. Ka paraqitur futboll të bukur, agresiv, pra ka qenë një ekip atraktiv. Do të ishte mirë që të mendonin për sezonin e ri që ekipi do të luajë në Kategorinë e Parë. Të ruajnë një pjesë të grupit, por sigurisht duke bashkëngjitur edhe disa gjëra të tjera që i nevojiten një ekipi për të ecur përpara.

Çfarë duhet të bëjnë konkretisht drejtuesit?
Për mua duhet që në radhë të parë klubi të mbajë 30-40% të lojtarëve. Duhet të investojë në infrastrukturë, në mënyrë absolute. Të rrisin nivelin e kualitetit të kësaj akademie që kanë. Por, kjo vjen me infrastrukturë dhe vetëm në momentin kur plotësohet nga ana juridike, ligjore dhe administrative.

Çfarë doni të thoni me këtë?
Duhet të ndahet si do të jetë ecuria e Flamurtarit në të ardhmen. Do të jetë një ecuri siç ka qenë deri më tani me bashkinë, që nuk ka pasur sukses, apo do të lihet një administrim për një afat të gjatë. Për mendimin tim, duhet që të ndryshojë struktura ligjore. Me ndryshimet ligjore ajo kompani që do të jetë e interesuar për ta bërë të sajin klubin, do të jetë “Air Albania” dhe turqit apo ndonjë kompani tjetër, është vështirë të flasësh kur akoma nuk është vendosur struktura ligjore se si do të ecet.

Do të ecet me privatizim apo me sponsorizime?
Kjo e fundit ka treguar që nuk është aspak e frytshme për të gjitha klubet që menaxhohen nga bashkitë. Nëse do të vijohet me sponsorizime dhe klubin ta mbajë bashkia, asgjë nuk ka për të ndryshuar, por do të shkojë edhe më keq. Nëse do t’u besohet personave të tjerë që ta privatizojnë klubin dhe ta fusin në rregulla të qarta, do të ketë një të ardhme të mirë.
FLAMURTARI
Ju vjen keq që e shikoni ekipin në këtë situatë, të rënë nga Superiorja?
Më shumë se keq është një ndjesi të cilën nuk mendoja se do ta provoja. Një ndjesi e cila të lë një shije të hidhur, por jemi në kohëra shumë të vështira dhe të rëndësishme. Jemi në limitet e menaxhimit të futbollit në të tilla formate të bashkisë. Bashkitë kanë një mijë e një halle dhe asnjë nuk ka mundësinë që të sponsorizojë edhe për futbollin. Pa sens është edhe ajo që një njeri të marrë futbollin e të investojë për të dhe të mos figurojë asgjëkund. Nëse futbolli do të mendohet si mjet për të marrë pesë vota, atëherë është problem i madh. Rezultatet i shikojmë. Nuk kemi asnjë rezultat sportiv, kemi shumë probleme që nuk po zgjidhen. Futbolli kërkon zgjidhje të menjëhershme, kërkon pagesa muaj për muaj dhe çdo 15 ditë. Kjo është e vështirë që të bëhet edhe nga një sponsorizues që në fund të vitit nuk e di se ku do të shkojë, vetëm të hedhë lekë. Është moment kritik dhe ku duhet të merren vendime të rëndësishme dhe definitive. Të heqim dorë nga pronësia e bashkive dhe të futemi në rregulla loje të imponuara nga futbolli europian dhe të futemi në një ekonomi tregu që të ndiqet për të bërë më të mirën për futbollin, pasi kështu nuk ecet më.

Cila do të ishte zgjidhja që do të propozonit?
Bashkia dhe qeveria duhet që të bëjnë gati dokumentacionin për privatizimin e klubit në afat trevjeçar apo pesëvjeçar. Kam përshtypjen se atëherë do të ketë individë që do të jenë të interesuar që të investojnë. Është momenti për një zgjidhje pasi në këtë mënyrë futbolli vetëm po lëngon dhe po humbet. Sot Flamurtari, dje ka qenë Vllaznia, Tirana etj.
Sinan-Idrizi
Ju kemi parë së fundmi pranë administratorit Idrizi, do të nisni ndonjë bashkëpunim?
Unë një periudhë të mirë kohe kam qenë tani në qytetin e Vlorës. Sa herë kam pasur mundësi, kam shfaqur interes për të ndjekur Flamurtarin. Por, të ardhmes asnjëherë nuk i dihet. Për momentin unë punoj si agjent në një agjenci të njohur dhe është detyra ime të shikoj futboll, përpos detyrës që kam, të shikoj edhe të gjitha ndeshjet, të gjitha skuadrat, për të zgjedhur profilet e duhura që mund t’i shërbejnë agjencisë për jashtë shtetit. Nëse do të ketë zgjatje përtej kontratës aktuale të Flamurtarit, mund të kem bashkëpunim edhe me Sinan Idrizin. Unë bashkëpunoj me të gjithë njerëzit e futbollit shqiptar, pse jo, do të ishte kënaqësi të bashkëpunoja edhe me Flamurtarin.

Keni ndonjë ofertë konkrete nga Idrizi?
Jo. Kemi qenë bashkë shumë miqësisht sesa për oferta konkrete. Për momentin problemet në klub janë shumë më të mëdha. Duhet të zgjidhet formati se si do të funksionojë klubi, pastaj se kush do të punojë dhe çfarë mund të bëhet në klub, ato janë gjëra të tjera. Nga ky moment duhet të nisë çdo gjë nga zeroja dhe kjo fillon për klubet nga ana strukturore dhe ligjore

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"