Të Rinjtë U-17: Vllaznia likuidon edhe Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2013 | 12:13

Të Rinjtë U-17: Vllaznia likuidon edhe Tiranën

Shkodranët, fitore me aromë titulli
TIRANA – VLLAZNIA 0-1

GOLI: Rrustemaj 68′
TIRANA: Hysalliu, Myrtaj, F.Llagami, Kopaçi, Kasneci, Lleshi, Doko, Haxhiaj, Jazaj, Halili, Peçi. (U aktivizuan: Mahmutaj, Ccema, Sala). Trajner: L.Sengla
VLLAZNIA: Harlicaj, Rrustemaj, Hakaj, Krymi, Tahiraga, Shkambi, Dyca, Hepaj, Ahmeti, Çinari, Rraboshta. (U aktivizuan: Vecaj, Balaj, Kopliku). Trajner: E.Çaku
GJYQTARË: R.Dobruna, A.Zalla, E.Karaj (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Hysalliu, Haxhiaj

Vllaznia, kampione në fuqi për paratërinj, ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Tiranës në transfertë. Ekipi shkodran ka treguar edhe një herë tjetër se është absolut për grupmoshën U-17, pasi bën diferencën nga të gjitha skuadrat. Edhe pse rezultati ishte minimal, fitorja duhet thënë se u meritua plotësisht nga kuqeblutë. Ka qenë një ndeshje e luftuar dhe me më shumë presion nga bardheblutë. Tirana kreu një volum të madh loje, por më kot, pasi pësoi gol në momentin më të mirë të saj. Heroi i ndeshjes ishte Rrustemaj, i cili finalizoi një kundërsulm të bukur të shkodranëve. Skuadra e trajnerit Çaku e administroi më së miri rezultatin, në një kohë që goli u shënua në minutën e 68-të. Loja ka qenë e ekuilibruar, teksa bardheblutë humbën disa raste për shënim. Madje arritën të gjenin edhe golin me anë të Jazajt, por që u cilësua i parregullt për shkak të pozicionit jashtë loje të sulmuesit. Vllaznia nga ana e saj goditi dy herë shtyllën gjatë ndeshjes. Ka qenë një lojë shumë e bukur, që ka kënaqur të pranishmit. Mbi të gjitha takimi ishte korrekt edhe për shkak të gjykimit të mirë të treshes nga Tirana me kryesor Redi Dobrunën. Pas 18 javësh kampionat, Vllaznia kryesuese shkëputet me 8 pikë nga ndjekësi më i afërt, që është Shkëndija e Tiranës. Edhe pse kampionati ka ende shumë javë, shkodranët po ecin të sigurt drejt titullit të tretë kampion radhazi.
Erjon Hamitaj

Shkëndija mund Teutën
TEUTA – SHKËNDIJA E TIRANËS 1-2
GOLAT: Taullaj 6’/ Myzyri 4′, K.Mema 30′
TEUTA: Vata, Mara, Myrtollari, Basha, R.Qehajaj (Prifti 75′), Përlleshi (Hajdini 73′), Taullaj, Myrtezai, Bardhi, T.Qehajaj, Hyka (Salillari 54′). Trajner: L.Sejdini
SHKËNDIJA E TIRANËS: Merdanaj, Ndreu, Biduli, V.Mema, Teqja, Kalaja, K.Mema, Myzyri, Kadriu (Agolli 58′), Trebicka (Brahimllari 71′), Lokaj (Ivani 49′). Trajner: L.Pinari
GJYQTARË: R.Zeneli, S.Met’hoxha, F.Greca (Lushnjë)
KARTON I VERSHË: Biduli

Shkëndija e Tiranës ka mposhtur Teutën në transfertë me rezultatin 2-1. Vetëm pas katër minutash lojë, miqtë kanë gjetur avantazhin me anë të Myzyrit. Ky gol u kontestua nga durrsakët me pretendimin se topi nuk e kishte kaluar vijën fatale. Pësimi i golit nuk i demoralizoi vendësit, pasi arritën të barazonin me Taullajn. Gjithsesi, në minutën e 30-të K.Mema vulosi fitoren.
Roland Gjini

Zhgënjejnë kavajasit
BESA – SHKËNDIJA E DURRËSIT 1-2
GOLAT: Rrogozhina 80’/ Shytermeja 25′, 75′
BESA: K.Arkaxhiu, Rrogozhina, Deliu, Çela, Muzhaqi, H.Arkaxhiu, Kashami, Kullolli, Osmani, Rroci, Gixho. Trajner: Y.Teliti
SHKËNDIJA E DURRËSIT: Hoxha, Deliallisi, Laha, Konduri, Nezha, Behari, Uka, Vishkulli, Xhakoni, Shytermeja, Henza. Trajner: A.Domi
GJYQTARË: K.Sheka, T.Kasaj, A.Merdanaj (Vlorë)

Mund të luash shumë më mirë se kundërshtari, por nuk është e thënë të fitosh. Kështu i ka ndodhur dje Besës, e cila megjithëse krijoi disa raste shënimi, nuk arriti të merrte qoftë edhe një pikë ndaj Shkëndijës së Durrësit. Miqtë fituan pas dy golave të Shytermejës. Ngushëllimi i vetëm i Besës ishte ai gol i Rrogozhinës në fund të takimit, që vlejti sa për statistikë.
Feriz Ferizaj

“Poker” i Flamurtarit
FLAMURTARI – DINAMO 4-0
GOLAT: Sino 10′, 25′, Dhrami 40′, Velaj 65′
FLAMURTARI: Rapaj, Hoxha, Velaj, Mehmeti, Gavrani, Deliaj, Koçani, Hysenaj, Hameti, Dhrami, Sino. (U aktivizuan: Zekaj, Dulaj). Trajner: D.Sadedini
DINAMO: Xhafaj, Arbana, Mujollari, Përvataj, Shkurtaj, Rada, Arifaj, Mekaj, Miraka, Nora, Basha. (U aktivizuan: Mersini, Muriaj). Trajner: Xh.Lloshi
GJYQTARË: O.Hysenaj, Q.Shehaj, S.Llanaj (Patos)

Flamurtari e ka shkatërruar Dinamon me rezultatin e thellë 4-0. Dy herë sulmuesi Sino dhe nga një herë Dhrami e Velaj, kanë shënuar në portën e bluve. Pjesa e parë është mbyllur 3-0, teksa vlonjatët kanë dominuar në çdo aspekt. Në 40 minutat e dyta miqtë kanë ndryshuar në lojën e tyre, por gjithsesi pa arritur të shkurtojnë diferencën e golave. Blutë gabuan pa fund në mbrojtje.
Altin Pavllo

“Vetëvrasje” e Elbasanit
ELBASANI – TËRBUNI 1-1
GOLAT: Suvaria 25’/ Bërdufi 79′ (aut)
ELBASANI: Kalemani, Kasa, Suvaria, Gorica, Beqiri, Bërdufi, Alla, Bodurri, Meka, Mema, Topuzi. (U aktivizua: Stojku). Trajner: E.Sqapi
TËRBUNI: Aliaj, Bungu, Mataj, Kapaklija, Hoxhaj, Troshani, Vistaraj, Çokaj, Hasani, Smakaj, Rexha. (U aktivizua: Ulndreaj). Trajner: R.Piraniqi
GJYQTARË: Q.Çopa, G.Metani, D.Kasa (Kavajë)

Elbasani nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 përballë Tërbunit. Goli i Suvarisë në pjesën e parë nuk u mjaftoi vendësve për të marrë tri pikët. Miqtë barazuan me anë të një autogoli të Bërdufit në minutën e 79-të, duke i dhuruar në këtë mënyrë një pikë skuadrës së Tërbunit. Në përgjithësi loja ka qenë e fortë, me vendësit që ishin më të rrezikshëm pranë portës kundërshtare.
Vladimir Mema

Ndoka thyen Partizanin
LAÇI – PARTIZANI 3-0
GOLAT: Ndoka 37′, 50′, 77′
LAÇI: Hoxhaj, Dedgjonaj, Thana, Lika, Bardhi, Dika, Merdhoqi, Kashnjeti, Trungshi, Lepuri, Ndoka. (U aktivizuan: P.Mërdhoqi, Baboçi, A.Bardhi). Trajner: N.Tarazhi
PARTIZANI: Pinari, Bermeta, Qordja, Hasa, Qelimi, Hoda, Shehu, Zeneli, Lila, Zogani, Bejtja. (U aktivizuan: Vlloçaj, Vata, Sulaj). Trajner: A.Duro
GJYQTARË: F.Ibrahimi, R.Mersinasi, M.Sadikaj (Durrës)

Laçi ka arritur të marrë tri pikë mjaft të rëndësishme ndaj Partizanit, duke i mundur të kuqtë me rezultatin 3-0. Heroi i ndeshjes ka qenë Ndokaj, i cili ka arritur të shënojë tre gola. Tri minuta nga përfundimi i pjesës së parë Ndoka ka zhbllokuar rezultatin. Pjesa e dytë ka rezervuar edhe dy gola të tjerë, ku protagonist i takimit ka qenë pa dyshim sulmuesi i ri laçian.
Vladimir Prenga

Turbina, tani e treta
TURBINA – LUFTËTARI 4-0

GOLAT: Tata 25′, Gica 60′, 75′, D.Bilali 77′
TURBINA: Qosja, Kullolli, Mezini, Duraku, F.Bilali, D.Bilali, Sollaku, Ballkoçi, Idrizi, Halili, Tata. (U aktivizuan: Gica, Lika, Hoxholli, Zuna). Trajner: F.Bilali
LUFTËTARI: Roko, Matushi, Hina, Peçi, Vasi, Koshi, Buxaj, Puci, Braho, Nano, Hyka. (U aktivizuan: Llandaniti, Halo, Mahmutaj). Trajner: A.Çulli
GJYQTARË: A.Zdrava, E.Shkodrani, E.Gjoni (Elbasan)

Turbina ka bërë “poker” përballë gjirokastritëve. Loja është dominuar nga vendësit. Gica realizoi një dopietë, ndërsa fitoren e hipotekoi Tata dhe Bilali me nga një gol. Në fushë ka pasur vetëm një skuadër, ndërsa Luftëtari, edhe pse ka bërë të pamundurën, nuk ka arritur ta përballojë dot furinë e cërrikasve. Pas kësaj fitoreje në shtëpi, Turbina ngjitet në vendin e tretë.
Vladimir Mema

Në Berat s’ka fitues
TOMORI – KASTRIOTI 2-2
GOLAT: Buba 31′, Hoxha 68’/ Ziti 25′, Shani 78′
TOMORI: Shehu, Dodoveci, Hoxha, Gremshi, Selamaj, Rustaj, Elezi, Vrioni, Buba, Dragoti, Koroni. Trajner: B.Fatia
KASTRIOTI: Reçi, Cela, Tupi, Demerxhiu, Kali, Alla, Xhaferri, Vogli, Ziti, Shani, Cani. Trajner: Sh.Rustami
GJYQTARË: Sh.Balliu, E.Qama, Xh.Olldashi (Poliçan)

Mbyllet në paqe takimi mes Tomorit dhe Kastriotit. Interesant ishte fakti që skuadrën krutane e drejtonte ish-futbollisti i Tomorit, Shkëlzen Rustami. Të parët janë miqtë nga Kruja që shënojnë me sulmuesin Ziti. Reagimi i vendësve vjen vetëm pas pesë minutave me Bubën, i cili brenda zonës realizon. Pjesën e dytë janë beratasit që e nisin me gol, por Kastrioti barazon në fund.
Elton Çela

Olimpiku bën tris
SHKUMBINI – OLIMPIKU 0-3

GOLAT: Gjeçi 10′, 78′, Spahiu 17′
SHKUMBINI: Rrushi, Kosta, Ballhysa, Gjuzi, Gjini, Elezi, Balliu, Sulkja, Saja, Jashari, Lluca. Trajner: Ç.Saja
OLIMPIKU: Prençi, Bushi, Gani, Grori, Muçollari, Reka, Prifti, Gjalpi, Gjeçi, Spahiu, Shima. (U aktivizuan: Hoxha, Gjipali, Reçi). Trajner: I.Qurku
GJYQTARË: E.Bodeci, E.Danaj, I.Çani (Elbasan)

Olimpiku ka arritur një fitore të pastër në Peqin. Kryeqytetasit e kanë gjetur shpejt golin me anë të Gjeçit dhe më pas është Spahiu që dyfishon shifrat. Në pjesën e dytë peqinasit u munduan që të ndryshojnë diçka, por pa rezultat. Madje Shkumbini u ndëshkua në fund edhe me golin e tretë, që kishte për autor sërish Gjeçin. Olimpiku forcon pozitat në vendin e dytë.
Fatmir Ahmeti

Hap fals i Kukësit
KUKËSI – BUTRINTI 1-1
GOLAT: Breçani 22’/ Pa.Ahmeti 65′
KUKËSI: Vengu, Cena, Gërmizi, Lleshi, Muja (Pashaj 65′), Cengu, Sulmataj, Istrefi, Ngjeçi, Demhasa, Breçani. Trajner: A.Bela
BUTRINTI: Kuçi, Pe.Ahmeti, Grembi, Sadikaj, Çipa, Zotaj, Braculla, Iljazi, Hoxha (Llambro 56′), Stefani (Pa.Ahmeti 64′), Dadaj. Trajner: L.Risti
GJYQTARË: E.Veseli, E.Burgu, G.Vogli (Fushë-Krujë)

Udhëtimi i gjatë nga Saranda në Kukës u është shpërblyer më një pikë 17-vjeçarëve të Butrintit. Vendësit kanë krijuar volum të madh loje, duke pasur raste të shumta shënimi, por që nuk i kanë shfrytëzuar si duhet. Breçani ka shënuar në pjesën e parë, por ai dhe shokët e tij nuk kanë mundur më ta gjejnë rrugën e rrjetës. Nga ana tjetër, Butrinti ka barazuar me Pano Ahmetin.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"