Të Rinjtë U-17, Vllaznia e mbyll me goleadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2012 | 12:30

Të Rinjtë U-17, Vllaznia e mbyll me goleadë

Shkodranët, pa mëshirë edhe me Laçin
LAÇI – VLLAZNIA 1-5
GOLAT: Çinari 11′, Dyca 15′, 48′, Raboshta 25′, Ahmeti 68’/ Bardhi 23′
LAÇI: Hoxhaj, Mardhoqi, Dedgjonaj, Lepuri, Thona, Trungshi, Dika, Laska, Bardhi, Lika, Kolthi. Trajner: N.Tarazhi
VLLAZNIA: Sheri, Rustemaj (Gjinaj 60′), Ujkaj (Lushaj 40′), Shkambi, Tahiraga, Krymi, Ahmeti, Myftia, Çinari, Dyca, Rraboshta (Kola 48′). Trajner: E.Çaku
GJYQTARË: Xh.Mema, R.Mersinasi, M.Sadikaj (Tiranë)

Vllaznia e mbyll fazën e parë me një fitore të thellë, 5-1, kundër Laçit. Pas 15 ndeshjesh, kuqeblutë kryesojnë bindshëm me 38 pikë. Sipas kalendarit takimi duhej të luhej në fushën e kurbinasve, por ka ndodhur e kundërta, ai është zhvilluar në Shkodër. Dy stafet teknike kanë gjetur mirëkuptimin për të marrë këtë vendim, nisur nga terrenet e rënduara në Laç. Ndërkohë, në fushë rezistenca e kurbinasve ka zgjatur vetëm 11 minuta, pasi Çinari kaloi në avantazh Vllazninë. Më pas është i zakonshmi Dyca, i cili dyfishon shifrat. Laçi mundohet të reagojë dhe arrin ta shkurtojë diferencën e golave me anë të Bardhit. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-1 për Vllazninë. Me fillimin e 40 minutave të dyta është sërish Dyca që shënon për shkodranët, duke i dhënë siguri skuadrës drejt fitores. Përveç tre golave që mbajnë firmat e dy lojtarëve kryesorë të kësaj skuadre, nuk kanë munguar të shënojnë në këtë sfidë as Raboshta dhe Ahmeti.
Admir Uruçi

Partizani, vetëm “X”
BYLISI – PARTIZANI 1-1
GOLAT: Prifti 13’/ Bermeta 82′
BYLISI: Gjikondi, Pashaj, Hasani, D.Mehmeti, Ferko, Kollozi, Xhafa, Fejzaj, Prifti, Llanaj, K.Mehmeti. Trajner: T.Byzyka
PARTIZANI: Zaimi, Vllacaj, Lila, Bermeta, Bejtja, Vata, Lena, Marku, Sula, Qordja, Hasa. Trajner: A.Duro
GJYQTARË: D.Dosti, G.Halilaj, K.Berberi (Berat)

Bylisi dhe Partizani kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen e fundit të fazës së parë. Edhe pse kanë luajtur shumë më mirë se kundërshtari, përsëri ballshiotët nuk kanë arritur të fitojnë. Deri në minutën e fundit takimi ka qenë 1-0 për Bylisin pas golit të Priftit. Mirëpo, në kohën shtesë, është Bermeta që e shpëton Partizanin nga humbja, duke realizuar një gol që vlejti 1 pikë.
Mikel Mbriçaj

Dinamo bie në Elbasan
ELBASANI – DINAMO 3-0

GOLAT: Arbano 44′ (aut), Tupi 56′, Mema 70′
ELBASANI: Kalemani, Kasa, Suvaria, Gorica, Beqiri, Mema, Bodurri, Bërdufi, Mukja, Hoti, Tupi. (U aktivizuan: Dashi, Lleshanaku, K.Bodurri). Trajner: S.Dalipi
DINAMO: Xhafaj, Arbano, Jaçe, Dedja, Mujollari, Braçaj, Muçmata, Rada, Qato, Arifi, Basha. (U aktivizuan: Shkurta, Nora, Mehja). Trajner: Xh.Lloshi
GJYQTARË: G.Velçani, E.Hatija, Q.Shehaj (Patos)

Elbasani ka arritur të fitojë bindshëm përballë Dinamos në shifrat 3-0. Në takimin përmbyllës të kësaj faze paratërinjtë verdheblu kanë qenë shumë të motivuar. Triumfi ndaj Dinamos bëri që Elbasani ta mbyllë fazën në vendin e katërt, por me pikë të barabarta me blutë, të cilët pozicionohen të tretët. Loja ka qenë totalisht e dominuar nga vendësit, të cilët nga presioni në portën kundërshtare, detyrojnë Arbanon në minutën e 44-t të shkaktojë autogol. Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 1-0. Për dyfishimin e rezultatit mendon Tupi në minutën e 56-të. Ky gol u dha më shumë siguri verdhebluve, të cilët në minutat në vijim luajnë më të qetë, duke e administruar rezultatin. Miqtë nga Tirana, ndonëse përpiqen pak, lënë hapësira prapa dhe Mema në minutën e 70- të shënon golin e tretë për Elbasanin. Në këtë mënyrë verdheblutë e mbyllin me një fitore shumë të rëndësishme. Paraqitja e ekipit të Sabri Dalipit ishte dinjitoze në këtë fazë.
Vladimir Mema

Tirana shpërthen në fundin e fazës
TIRANA – BESA 5-1

GOLAT: Muçollari 40′, Peçi 61′, 79′ (11-m), Halili 64′, Çema 72’/ Lushkja 71′
TIRANA: Hysalliu, Myrtaj, Haxhia, Kopaçi, Kasneci, Muçollari, Doko, Rada, Halili, Jazaj, Lleshi. (U aktivizuan Peçi, Cema, Koldashi). Trajner: L.Sengla
BESA: Curri, Kashami, Arkaxhiu, Kulloli, Osmani, Kapidani, Muzhaqi, Gavardari, Gixho, Rroci, Lushkja. (U aktivizuan Teliti, Qerolli). Trajner: Y.Teliti
GJYQTARË: R.Muska, M.Shazillari, E.Morina (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Arkaxhiu (2), Kullolli, Osmani
KARTON I KUQ: Arkaxhiu

Tirana ka shpartalluar Besën me rezultatin 5-1, në një ndeshje gjatë të cilës nuk mungoi as tensioni. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 në favor të bardhebluve, teksa ka shënuar Muçollari. Epërsia e vendësve ka qenë e padiskutueshme, por kavajasit në 40 minutat e para u mbrojtën mirë. Me fillimin e pjesës së dytë, është Peçi që i dyfishon shifrat, duke ia bërë më të lehtë vazhdimësinë e takimit skuadrës së tij. Tirana dhuron spektakël dhe arrin të shënojë edhe dy herë të tjera. Golin e tretë e realizoi Halili, ndërsa të katërtin Peçi nga pika e bardhë e penalltisë. Për miqtë ka shënuar Lushkja golin e nderit në minutën e 71-të, mirëpo vetëm 60 sekonda më pas ishte Çema që vulosi fitoren e thellë 5-1. Pas këtij trepikëshi, Tirana e mbyll fazën e parë në vendin e tetë, ndërsa Besa është e pesta në renditje. Bardheblutë e trajnerit Sengla nuk kanë bërë atë paraqitje që pritej, por gjithsesi në përbërje të skuadrës ka elementë, të cilët premtojnë shumë.
Erjon Hamitaj

Në Kavajë s’ka fitues
LUSHNJA – SHKËNDIJA E DURRËSIT 2-2
GOLAT: Kapxhiu 21′, Shkurti 31’/ Nezha 10′, Xhakoni 63′
LUSHNJA: Hola, R.Dervishi, Musaku, Çela, Zaimi, Liçka, Shkurti, Jonuzi, Xh.Dervishi, Kapxhiu, Zeqo. Trajner: A.Hysko
SHKËNDIJA E DURRËSIT: Hoxha, Deliallisi, Loha, Konduri, Nezha, Uka, Tufa, Çyrbja, Hyka, Xhakoni, Behari. (U aktivizua edhe Andoni). Trajner: A.Domi
GJYQTARË: L.Çopa, D.Kasa, G.Metani (Kavajë)
KARTONË I VERDHË: Tufa (2);
KARTON I KUQ: Tufa

Lushnja dhe Shkëndija e Durrësit kanë ndarë nga një pikë në fushën asnjanëse të Kavajës. Verdhejeshilët e kanë dominuar takimin, duke zhvilluar një lojë më të bukur, por në fund kjo s’ka mjaftuar për të marrë fitoren. Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë me anë të Nezhës. Kapxhiu barazoi dhe më pas Shkurti dyfishoi rezultatin, Xhakoni vendosi sërish baraspeshën.
Feriz Ferizaj

Shkëndija, forca e dytë e kampionatit
SHKËNDIJA E TIRANËS – FLAMURTARI 2-0
GOLAT: Lila 39′, Kadriu 45′
SHKËNDIJA E TIRANËS: Merdanaj, Ndreu, Biduli, Mema (Bilbili 74′), Lila, Kalaja, Kadriu (Trebicka 56′), Agolli, Ivani, Drizi (Lokaj 67′), Myzyri. Trajner: L.Pinari
FLAMURTARI: Sali, Hoxhaj, Gjinaj, Velaj, Deliaj (Gravani 63′), Koçani, Llambi, Livanaj (Veizi 53′), Sino, Dhrami (Zekaj 48′), Aliaj. Trajner: D.Sadedini
GJYQTARË: A.Stolaj, M.Shabanaj, G.Sulko (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Ivani 34’/ Llambi 51′

Shkëndija e Tiranës ka mposhtur në fushën e saj Flamurtarin me shifrat 2-0, duke e mbyllur fazën e parë në vendin e dytë. Ndeshja është zhvilluar në një terren mjaft të vështirë, ndërkohë që në fillim ka qenë një lojë e qetë, por ka shpërthyer me goditjen e shtyllës pingule të minutës së 13-të nga ana e futbollistit vendës, Ndreu. Vlonjatët në këtë pjesë loje janë munduar më shumë të mbrohen se sa të sulmojnë portën e Shkëndijës. Dyshja Ndreu- Lila në minutën e 39-të shfrytëzoi rreshtimin e gabuar të mbrojtjes vlonjate. Kapiteni Mario Lila shënoi një gol të bukur, duke e çuar ekipin të qetë në pushimin mes pjesëve. Me fillimin e së dytës, skuadra e shkollës së mjeshtërisë sportive e ka zgjidhur shumë shpejt epërsinë e saj, duke shënuar golin e dytë me anë të Kadriut. Skuadra e Pinarit ka pasur edhe mundësi të tjera shënimi, ndërsa Flamurtari ka rrezikuar vetëm një herë me Llambin. Gjithçka u mbyll me rezultatin 2-0.
Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"