Te Kastrioti nuk kanë më shpresa, nis eksodi i lojtarëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2019 | 14:55

Te Kastrioti nuk kanë më shpresa, nis eksodi i lojtarëve

Kastrioti zbriti dje sërish në fushë, por ajo që u pa nuk ishte një seancë stërvitore si të tjerat, por një seancë stërvitore ku më shumë shihej zhgënjimi që i kishte kapluar të gjithë, si te stafi teknik dhe te lojtarët, të cilët kanë zhvilluar dy faza perfekte. Skuadra një javë para mbylljes së sezonit po vuan rezultatet e dy fazave të para dhe kjo bëri që Kastrioti të jetë thuajse në Kategorinë e Parë.

kastrioti

Shanset për qëndrim tani janë thuajse të pamundura,ndonëse matematikisht nuk është mbyllur. Lojtarët kryesorë, kryesisht atyre që iu përfundon kontrata, kanë nisur të mendojnë largimin, ndërsa ka edhe nga ata të tjerët, kryesisht të huajt, që kanë prerë biletat për t’u kthyer në vendlindjet e tyre.

Në seancën e djeshme mungonin disa lojtarë dhe gazeta ka mundur të sigurojë në mënyrë ekskluzive se shkodrani Arlind Kalaja e ka mbyllur përfundimisht me Kastriotin. Mesfushori me tipare sulmuese zhvilloi një gjysmë sezoni thuajse perfekt me krutanët, ndërsa pak javë më parë pati një dëmtim dhe tashmë, edhe pse i rikuperuar plotësisht, e ka mbyllur zyrtarisht me krutanët, duke qenë se ishte në huazim. Krahas tij, janë edhe disa lojtarë të tjerë që e kanë mbyllur me Kastriotin dhe bëhet fjalë për dy mesfushorët, Albert Caca dhe Erlind Koreshi. Të dy gjatë këtij sezoni nuk kanë pasur hapësirat e nevojshme të aktivizimit dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore e shkëputjes së bashkëpunimit me Kastriotin. Në ditët në vijim pritet që nga krutanët të ketë të tjera largime të rëndësishme.

JAVA E FUNDIT– Sfida e fundit ndaj Kukësit do të luhet thjesht për të respektuar garën, pasi krutanët janë të ndërgjegjshëm se nuk kanë më shanse për të qëndruar në Superiore. Këtë gjë e transmetoi më së miri gjendja e trajnerit Devolli pas përfundimit të javës së 35-të të Superiores. Nga ajo që u pa dje në stërvitje, stafi teknik ka menduar që për këtë sfidë t’u japë minuta lojtarëve që nuk kanë pasur hapësirat e nevojshme gjatë kampionatit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"