“Të gjithë jemi fajtorë”, sekretari Ribaj: Në Elbasan për pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2024 | 0:15

“Të gjithë jemi fajtorë”, sekretari Ribaj: Në Elbasan për pikë

Sekretari i klubit vlonjat, Andi Ribaj, për “Panorama Sport” u shpreh se për situatën aktuale të Flamurtarit, të gjithë janë fajtorë. Barazimin me Besën e cilëson të shëmtuar. Por, thotë se nga kreu nisën të largoheshin që në Fier.

ribaj

“E filluam vitin e ri me tri ndeshje. Në Fier bëmë një ndeshje të mirë, por morëm një barazim që na largoi disi nga kreu. Pastaj u eliminuam në Kupë. Brenda një jave ndodhën tri rezultate të çuditshme. Por ndeshja e fundit me Besën ishte shumë e shëmtuar.

Nuk bëmë ato që kishim përgatitur në stërvitje. Nuk është se është një problem, apo janë dy apo tre fajtorë. Jemi të gjithë që duhet të mbajmë përgjegjësi. Na ka vendosur presidenti në këtë punë dhe të gjithë duhet që të marrim përgjegjësitë tona, si nga drejtuesit ashtu edhe nga lojtarët. Aktualisht po punojmë duke stërvitur ekipin dhe jemi në fushë unë, drejtor Ferko dhe Lejdi Liçaj.

Po punojmë edhe me përgatitësit e portierëve Birçe dhe Dine, deri sa të vijë trajneri i ri”, u shpreh Ribaj pak orë para se të emërohej stafi i ri teknik. Sa i përket transfertës së Elbasanit, Ribaj u shpreh: “Ndeshja e radhës është me Elbasanin. Është një përballje shumë e fortë. Ata kryesojnë dhe janë shkëputur nga ne me disa pikë, por do të shkojmë të marrim pikët maksimale”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"