Tare kërkon trofe ndërkombëtarë: Lacio ime, favorite në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 26, 2017 | 10:11

Tare kërkon trofe ndërkombëtarë: Lacio ime, favorite në Europë

Shorti i Montekarlos nuk rezultoi edhe aq i rëndë për Lacion e Igli Tares. Goglat e Montekarlos peshkuan për bardhekaltrit Nisën, belgët e Zultes dhe Vitesen, për një fazë grupesh që mund të kishte rezultuar edhe më e rëndë. Qetësia është një nga virtytet e tij dhe drejtori Igli Tare i tillë shfaqet përpara mediave për të komentuar shortin për skuadrën e tij.

tare shorti

“Na pret një fazë në grupe jo e lehtë me kundërshtarë niveli. Nuk duhet të fshihemi, Lacio pa asnjë dyshim është favorite e këtij grupi”, deklaroi Tare. Liga e Europës nuk është aspak një kompeticion i lehtë dhe Lacio e ka provuar në kurriz. Këtij mendimi i qëndron edhe drejtori sportiv i Lacios kur deklaron: “Rruga drejt trofeut ka shumë vështirësi dhe nuk ka grupe të lehta. Në vitet e fundit diferencat mes klubeve të mëdhenj dhe të vegjël janë reduktuar ndjeshëm, por jemi të vetëdijshëm dhe nuk frikësohemi. Klubi i Lacios është i kënaqur me rivalët që shorti i vendosi përballë”.

Dukshëm vëmendja kryesore mbi këtë grup bie te sfida ndaj Nisës. Djemtë e Lysië Favrë udhëhiqen nga dy njohje të vjetra të Serisë A si Uesli Shnajder dhe Mario Baloteli. Sfida e parë e vlefshme për javën e tretë të ndeshjeve në grup do të zhvillohet në Francë më 19 tetor, ndërsa takimi i “Olimpiko”-s është programuar për 2 nëntor. Kujtojmë se kuqezinjtë u eliminuan nga Napoli në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Kampioneve dhe për Taren janë një kundërshtar që meriton respekt maksimal, sidomos për sa i përket ambicies për kreun e grupit.

igli tare

Edhe për “euroderbin” ndaj SuperMarios, Tare ka bërë një koment duke shpjeguar: “Nisa është një skuadër solide dhe me shumë cilësi në organikën e saj. Sezonin e kaluar luftoi deri në fund për t’u shpallur kampione e Francës, ndërsa nga Liga e Kampioneve doli vetëm sepse pati fatin e keq të përballej me Napolin. Ndaj tyre pres një ndeshje të ndezur”.

Për sa i përket një tjetër kundërshtari në grup si Zulte, Igli Tare bëri një analizë të shkurtër duke saktësuar: “Vitin e kaluar u renditën të gjashtit në kampionatin belg duke rezultuar një surprizë e këndshme. Bëhet fjalë për një ekip solid me të rinj të talentuar që sezonin e fundit fitoi kupën e Belgjikës”.

Igli Tare drejtor

Në lidhje me Vitesen, kundërshtari i fundit në grup, drejtori Tare u shpreh: “Edhe Vitese ka fituar kupën kombëtare në Holandë dhe me aq informacion sa kam di që luajnë një futboll cilësor. Siç thashë, nuk do ta kemi të lehtë, por jemi Lacio dhe duhet të synojmë maksimumin”. Në ndeshjen e parë në shtëpi bardhekaltrit janë të ndëshkuar dhe me shumë mundësi do ta luajnë pa tifozë pasi sezonin e kaluar UEFA e dënoi Lacion për shkak të koreve raciste ndaj një futbollisti të Sparta Pragas. Klubi kryeqytetas do të marrë të gjitha masat dhe do të apelojë vendimin në mënyrë që Lacio të luajë përballë publikut të saj.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"