Presidenti Takaj del hapur: Po negocioj me Hamdi Salihin për ta sjellë tek Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2014 | 12:00

Presidenti Takaj del hapur: Po negocioj me Hamdi Salihin për ta sjellë tek Skënderbeu

take dhe salihiSkënderbeu vazhdon të ndjekë nga afër pistat për të marrë në ekip një bomber shqiptar. Pak ditë më parë, gjatë një interviste për “Panorama Sport”, vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, deklaroi se është i interesuar për sulmues si Hamdi Salihi, Xhevahir Sukaj apo Edgar Çani, gjithnjë nëse këta të fundit janë të lirë nga klubet e tyre. Dje, në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, kreu i klubit korçar konfirmonte zyrtarisht se është futur në bisedime me Salihin. Ky i fundit vazhdon të jetë ende pa skuadër, ndërkohë që është shprehur se rikthimi në kampionatin shqiptar shikohet si alternativa e fundit. “Jemi në negociata me sulmuesin e Kombëtares, Hamdi Salihi”. Kjo ishte fraza e përdorur nga vetë Takaj në rrjetin social, por e konfirmuar nga presidenti edhe për gazetën dje në mbrëmje. Miqtë e presidentit të Skënderbeut nuk mund të qëndronin pasivë pas këtij njoftimi, duke shpresuar se kjo dëshirë do të bëhet realitet. Aktualisht Salihi, bashkë me menaxherin e tij, janë duke shqyrtuar ofertat. Mësohet se pistat më të mundshme për shkodranin janë aktivizimi në Poloni ose Austri. Gjithsesi, deri më tani nuk ka gjë konkrete për të ardhmen e tij. Ndërkaq, nga burime të sigurta pranë presidentit Takaj mësohet se gjatë javëve të fundit ka pasur kontakte edhe me sulmuesin Edgar Çani, i cili ka dalë jashtë planeve të skuadrës së tij, Karpi. Mirëpo, ai është nën kontratë me Katanian dhe s’ka asnjë shans të lihet i lirë nga klubi italian në formë huazimi te kampionët shqiptarë.

Josa: Merkato? S’na kërcënojnë rivalët
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, mendon se skuadra e tij nuk ndihet e rrezikuar nga rivalët. Duke iu referuar lëvizjeve në merkato të Partizanit, Teutës, Kukësit dhe skuadrave të tjera, trajneri bardhekuq për “Panorama Sport” deklaroi: “Unë jam i përqendruar te lojtarët dhe ekipi im, por sigurish që profesioni na kërkon të hedhim ndonjë sy edhe tek ekipet e tjera. Kundërshtarët tanë do të përpiqen të bëjnë mirë, por ne nuk ndihemi të kërcënuar prej tyre. Ne jemi në një pozicion komod dhe do të punojmë akoma edhe më shumë që në fund të arrijmë të gjitha objektivat që i kemi vendosur vetes. Merkato? Në një mënyrë mund të themi se kemi lëvizur pak, por rezultatet tregojnë vetë për forcën e skuadrës sonë. Në ekip kemi lojtarë mjaft cilësorë në të gjitha repartet, çka na jep siguri për vazhdimësi edhe në fazën tjetër të kampionatit”. Ndërkohë, i pyetur për sulmuesin e Bylisit, Izuçuku, Josa dha këtë përgjigje: “Puna ime është t’i trajnoj sa më mirë lojtarët që kam. Për gjëra të tjera ka njerëz të tjerë në klub që përgjigjen. Unë lojtarin në fjalë e njoh, por nuk kam dijeni që ai mund të bëhet pjesë e skuadrës”.

Skënderbeu, i 178-i në botë
Klubi i Skënderbeut është i 178-i në botë për vitin 2013. Në renditjen që instituti i statistikave publikon çdo fillimviti, skuadra kampione në fuqi e Shqipërisë ka lënë pas emra të njohur si CSKA-ja e Moskës, Kopenhagen etj. Ndërkohë, renditja më e mirë e një klubi shqiptar i përket vitit 1987, kur Tirana u pozicionua e 31-ta në botë pas suksesit në Kupat e Europës. Nga ana tjetër, renditjen e klubeve e kryeson Bajerni i Mynihut, i ndjekur nga Reali i Madridit, Çelsi, Atletiko Madrid dhe Barcelona.

Korçarët, parakontratë me një talent kosovar
Klubi i Skënderbeut mësohet se ka arritur një akord me mesfushorin kosovar të Ferizajt, Ylber Ramadani. Burime të sigurta pranë drejtuesve bëjnë të ditur për “Panorama Sport” se me lojtarin 17-vjeçar është bërë një parakontratë, teksa ai do i bashkohet skuadrës në verën e këtij viti. Në këto kushte, talenti kosovar do e mbyllë sezonin me Ferizajn dhe më pas do të transferohet te Skënderbeu. Në fakt, drejtuesit korçarë kërkuan që ta merrnin Ramadanin që në merkaton e janarit, por kjo nuk u arrit. Tashmë duhet pritur sezoni i ardhshëm për të zyrtarizuar këtë lëvizje, edhe pse të njëjtat burime e cilësojnë si fakt të kryer. Ramadani cilësohet si një nga lojtarët e talentuar të kampionatit, teksa është zbuluar gjatë këtij sezoni. Vetëm 17 vjeç, ai po shkëlqen te skuadra e Ferizajt në Superligë.
LLAZI SARO

REPORTAZH
Dy orë me Skënderbeun në Durrës
Skënderbeu vijon stërvitjen në Durrës në rezidencën e zakonshme. Ndryshe nga ditët e tjera, dje kampionët në fuqi e intensifikuan përgatitjen duke zhvilluar dy seanca në ditë. Ajo e pasdites ishte e një karakteri më të rëndë dhe me më shumë lodhje për lojtarët. Trajneri Mirel Josa, për më shumë se 1 orë e 30 minuta “shtrydhi” futbollistët me ushtrime të ndryshme. Siç edhe ishte parashikuar, rreth orës 15:00 i gjithë grupi i lojtarëve ishte i pranishëm dhe u vendos nën urdhrat e trajnerit. Fillimisht lojtarët vepruan lirshëm individualisht me topin. Atmosfera në grup dukej shumë miqësore, aq sa për disa minuta qendra e shakave mes lojtarëve u bë mesfushori nigerian, Nuredin Orelesi. “Qejfi” merr fund në momentin që trajneri Josa grumbullon ekipin dhe jep udhëzimet për mënyrën se si do të zhvillohej stërvitja. Në fillim lojtarët e nisin me disa veprime në grup me topin dhe më pas starton aplikimi i disa skemave taktike mes lojtarëve. Këta të fundit e kishin disi të vështirë të aplikonin atë që kërkonte trajneri, por që më pas i përfundonin me sukses aksionet. Pas këtij momenti grupi u nda në dy pjesë, ku secili zhvilloi ndeshje stërvitore me lojtarët që kishte në dispozicion. Përveç kapitenit Shkëmbi, spikatën me lëvizjet e tyre edhe Pejiç e Muzaka. Me ushtrime shpejtësie dhe ndeshjen e kontrollit u mbyll seanca e djeshme. Ekipi do të vijojë edhe në ditët e ardhshme të stërvitet me dy seanca në ditë. Më 12 janar, në orën 11:00, skuadra do të niset drejt Romës, për të shkuar më pas në Portugali.
Roland Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"