Tafili në pikëpyetje ndaj fierakëve, flet trajneri i Tërbunit: Apolonia mundet me… “ushtarë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2022 | 11:00

Tafili në pikëpyetje ndaj fierakëve, flet trajneri i Tërbunit: Apolonia mundet me… “ushtarë”

Tërbuni e pret Apoloninë me mungesa dhe dyshime. Jeton Krasniqi nuk është rikuperuar ende, Ermir Rezi do të mungojë për arsye familjare dhe në pikëpyetje mbetet Alsid Tafili. Shkodrani ka pësuar një dëmtim të lehtë dhe nuk është vendosur nëse do të luajë apo jo. Përtej kësaj situate, Alert Alcani paralajmëron fitoren. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thotë:

alert alcani

“Apolonia nuk është një ekip i lehtë. Vjen pas një fitoreje me Lushnjën dhe ka lojtarë cilësorë, plus që nuk ka më skuadra të dobëta e të forta. Të gjitha luftojnë për t’u pozicionuar sa më lart në klasifikim.

Nëse ne i vlerësojmë të gjitha ekipet siç unë them, atëherë do të ecim gjithnjë me rezultate pozitive. Pavarësisht se kemi mungesa, do të zgjedh formacionin më të mirë.

Nëse lojtarët futen në fushën e lojës për të luajtur me zemër, do të arrijnë te fitorja. Tërbuni këtë ndeshje do ta kalojë me sukses, duke pasur në fushë 11 ushtarë dhe jo oficerë.

Duhet të mos e tolerojnë kundërshtarin dhe as t’i lënë hapësirë, por ta godasin aty ku ta gjejnë të papërgatitur. Kemi respekt për ekipin dhe klubin e Apolonisë.

Edhe ata vijnë me qëllimin për të marrë një fitore, por edhe ne luajmë për të njëjtin qëllim. Do të ndeshemi para tifozërisë sonë dhe nuk duhet t’i zhgënjejmë.

Një fitore do të na mundësojë vendin e parë. Apolonia është një pikë poshtë nesh, ndaj sot pikët janë vendimtare për ne. Barazimi nuk na hyn në punë. Shpresojmë te një gjykim i drejtë”.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"