Sulmuesi vlonjat larg Flamurtarit: Jam gati për të shkuar te Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2018 | 21:59

Sulmuesi vlonjat larg Flamurtarit: Jam gati për të shkuar te Skënderbeu

Ardit Hoxhaj do të rikthehet në Korçë. E ndërsa e mbylli sezonin si i huazuar te Flamurtari, vlonjati është telefonuar nga drejtuesit e Skënderbeut, ku dhe është nën kontratë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hoxhaj flet për gjithçka ndërsa nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në Vlorë, gjithnjë nëse mes dy klubeve do të ketë akord.

ardit hoxhaj

Sulmuesi i talentuar është nën kontratë edhe për një vit me korçarët, prandaj dhe dëshiron të luajë me fanellën bardhekuqe.

Ardit, pse dështoi Flamurtari këtë sezon?

Ekipi fillimisht kishte një ecuri të mirë dhe ishim të ekuilibruar. Pas janarit në kampionatin tonë ndodh që ekipet të forcohen dhe është shumë e vështirë të marrësh pikë. Ne bëmë disa afrime dhe e rritëm shumë konkurrencën në sulm, pasi vetëm mesfushorë të djathtë u bëmë 4-5 lojtarë. Kjo e rrit edhe presionin te lojtarët. Edhe në mbrojtje u larguan lojtarë me peshë, edhe pse nuk luanin rregullisht. Pas dy rezultateve negative që bëmë, ekipi u fut në një ngërç psikologjik shumë të vështirë për të dalë. Disa herë na kanë penalizuar gabimet e arbitrave dhe u bë mjaft e vështirë situata, gjë që solli edhe mospjesëmarrjen tonë në Kupat e Europës.

Te Flamurtari keni qenë i huazuar. Si jeni ndier gjatë sezonit?

Isha i huazuar këtë vit te Flamurtari. Ndjehem krenar që kam përfaqësuar fanellën e ekipit të vendlindjes. Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua dhe kam dhënë maksimumin sa herë që kam qenë në fushën e lojës, por edhe kur nuk kam luajtur kam mbështetur djemtë, duke ruajtur dhe harmoninë në ekip.

Ardit Hoxhaj

Cila do të jetë e ardhmja juaj?

Këto ditë nuk kam pasur asnjë bisedë me asnjë ekip shqiptar. Kam pasur një bisedë vetëm me drejtuesit e Skënderbeut. Ata më kanë komunikuar që do grumbullohem me ekipin kur të fillojnë stërvitjen, pasi kanë plane me mua.

Nuk do të dëshironit të qëndronit te Flamurtari?

Këtë vit do preferoj një ekip që të luaj rregullisht. Kur isha 21-vjeç, te Bylisi luaja rregullisht dhe shënova 8 gola si mesfushor krahu dhe atë vit kisha shumë oferta si brenda dhe jashtë vendit. Më pas kisha luhatje, sepse nuk kam luajtur rregullisht. Prandaj këtë vit dua një ekip që të luaj rregullisht. Nëse te Flamurtari ka ndonjë projekt që më përshtatet, pse jo, do ulesha me drejtuesit e Flamurtarit dhe Skënderbeut për të gjetur një zgjidhje, pasi janë ata që vendosin.

flamurtari

Çfarë këshille do t’i jepnit klubit vlonjat?

Mendoj se do jetë gjë e mirë që Flamurtari të ruajë pjesën më të madhe të grupit dhe të bëjë disa përforcime cilësore që të bëjnë diferencën. Është shumë e vështirë të ndërtosh ekip nga e para vit për vit. Mendoj se Flamurtari i ka hedhur themelet për të ndërtuar një ekip konkurrues për sezonin që vjen, gjithnjë nëse do të ruajë grupin.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"