Strategjia e re e Bajernit pa Levandovskin, Salihamixhiç: Duam të kopjojmë Liverpulin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2022 | 10:06

Strategjia e re e Bajernit pa Levandovskin, Salihamixhiç: Duam të kopjojmë Liverpulin

Bundesliga do të startojë sonte në mbrëmje edicionin e saj të 60-të me takimin çelës në Frankfurt mes Eintrahtit dhe Bajernit të Mynihut. Bavarezët vijnë si pretendentë absolutë për të ruajtur kurorën falë një merkatoje të zhurmshme dhe tepër cilësore. Por sezoni i ri që nis sonte në mbrëmje do të jetë i veçantë për Bajernin edhe për një arsye tjetër.

NAGELSMAN SALIHAMIXHIC

Pas tetë sezonesh, bavarezët nuk do të kenë në përbërjen e tyre sulmuesin Robert Levandovski, autor i 344 golave në 378 takime me gjigantët e Mynihut. Ndaj, të gjithë kanë ngritur pyetjen se cili do të jetë pasuesi i Levës, ose më saktë zëvendësuesi i polakut në Mynih. Përgjigjen për këtë e ka dhënë drejtori sportiv i kampionëve të Gjermanisë, Hasan Salihamixhiç. Ai ka dhënë një intervistë për të përditshmen gjermane “Süddeutsche Zeitung”, ku ka saktësuar se pa Levën në fushë, bavareëzët do të jenë të detyruar të bëjnë modifikime në modul. E si shembull ai ka marrë Liverpulin dhe Mançester Sitin, dy klube që në 5 sezonet e fundit kanë dominuar futbollin në Angli pa pasur një sulmues pykë.

“Mendoj se Liverpuli dhe Mançester Siti janë dy shembuj mjaft të mirë se si një skuadër e madhe mund të ketë sukses e të dominojë pa një numër 9 në fushë. Ne mund të bëjmë si Liverpuli e si Siti. Unë nuk shoh ndonjë problem serioz në këtë drejtim. Kemi në përbërje lojtarë me aftësi të shkëlqyera sulmuese. Besoj se janë të pakta klubet në Europë që kanë luksin të kenë lojtarë aq të fortë përpara në sulm si Bajerni. Tani i takon trajnerit të shfrytëzojë aftësitë e tyre”, ka thënë Salihamixhiç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"