Partizani, si ia ndryshuan pesë herë “shtëpinë” klubit legjendar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2017 | 21:15

Partizani, si ia ndryshuan pesë herë “shtëpinë” klubit legjendar

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Historia e klubit Partizani, ajo e lidhur me selinë, ndërtesën që në vite ka shërbyer si mjedis të improvizuar për zyra, fjetore, etj., e ka zanafillën që në momentet e krijimit të klubit në vitin 1946. Në harkun e dy dekadave, ato kanë ndryshuar vendin, nga ndërtesat e para të klubit në “Rrugën e Elbasanit”, pastaj tek ish-Banjat Publike të Tiranës, për t’u shpërngulur në “Rrugën e Durrësit”, në krah të ambasadës jugosllave dhe më pas pranë fushës së aviacionit, përballë Shkollës së Partisë.

Pastaj sistemimi përfundimtar me ndërtimin e kompleksit modern pas viteve ’70. Por jo vetëm, pasi ai ka qenë një rrugëtim i përbashkët midis klubit Partizani dhe Ansamblit të Ushtrisë, thuajse nga krijimi i tyre deri në fund të viteve ’60. Si e rikthen Miço Papadhopulli atë periudhë, jetesën sportive, si kanë funksionuar ato mjedise, kohë që ka qenë futbollist protagonist i Partizanit legjendar.

klubi sportiv partizani

E PARA, NË ISH-KAZERMAT USHTARAKE

Kanë qenë disa kazerma të ushtrisë italiane të braktisura, ku pikërisht sot është Shkolla e Gjuhëve të Huaja. Vetëm një ndërtesë njëkatëshe dhe për disa vite klubi e ka pasur selinë aty. Bëhet fjalë për vitet e para të krijimit, menjëherë pas çlirimit të vendit. Shpesh, pas përfundimit të ndeshjeve, tifozët i prisnim futbollistët dhe i shoqëronim deri te klubi, duke i mbajtur edhe çantat. Ndërtesa rrethohej nga një kopsht apo bahçe me qiparis të vendosura para hyrjes.

TRANSFERIMI TEK ISH-BANJAT PUBLIKE TË TIRANËS

Selia e dytë e klubit ka qenë ndërtesa ngjitur dhe që vjen menjëherë pas Postës Qendrore e njohur si Banjat Publike të Tiranës. Është periudha e fundviteve ’40, ku e vendos klubi, edhe këto tip kazermash, jo me kushte komode dhe me pak mundësi qëndrimi e sistemimi për futbollistë e sportistë. Por nuk do të qëndrohet gjatë, pasi një tjetër lëvizje do ta shoqëronte klubin. Si zakonisht lëvizja dhe transferimi do të ishte bashkë me Ansamblin, duke i ndarë mjediset.

partizani ambasada

NDËRTESA TE “RRUGA E DURRËSIT”

Edhe sot nuk ka ndryshuar, madje ruan strukturën, pra është ajo ndërtesë e atyre viteve. Në këtë ndërtesë dykatëshe, që ndodhet përballë murit anësor të ish-ambasadës jugosllave apo përballë kopshtit të fëmijëve, rreth vitit 1950 u vendos klubi i Partizanit dhe aty ka qëndruar gati një dekadë. Gjithmonë në bashkëjetese me Ansamblin e Ushtrisë… Edhe sot banorët e vjetër të zonës, kur i pyesin se ku banojnë, “Te Pallati i Partizanit”, përgjigjen, pasi kështu e kanë quajtur e njohur në vite.

Gjithmonë në katin e parë klubi, zyrat, vendqëndrimi i sportistëve, kryesisht të futbollit dhe në katin e dytë, drejtuesit e Ansamblit dhe ndonjë instrumentist jabanxhi apo dikush që kryente shërbimin ushtarak. Ndarja u bë në fund të viteve ’50 kur klubi u transferua te ndërtesat njëkatëshe te Fusha e Aviacionit dhe Ansambli në krahun tjetër të Tiranës ku bashkë me drejtues, orkestrantë tashmë kishte edhe sallat ku bënin prova.

MAJMUNI QË “ÇMENDI” TIRANËN…

Kjo ndërtesë do të kujtohet edhe për një detaj interesant, tejet të rrallë për kohën. Kur Ansambli i Ushtrisë shkoi për një turne në Vietnam, gjatë qëndrimit atje, i falën një majmun. Në kthim, bashkë me grupin artistik, ata sollën në Tiranë edhe majmunin. Duke qenë se nuk kishin ku ta mbanin, e sistemuan në mjediset e tyre, në katin e dytë të ndërtesës.

Për aq sa jetoi, majmuni ka qenë pjesë e pandarë e ditës për sportistët, artistët dhe banorët. Trajtohej si të ishte një banues normal dhe autokton i atij mjedisi. Shumë kryeqytetas kalonin mesditën aty, duke parë e komunikuar me të. Aq më shumë banorët e Pallatit të Oficerëve, që ishte ngjitur me klubin.

partizani fusha aviacionit

TE FUSHA E AVIACIONIT, QËNDRIMI DHJETËVJEÇAR

Nga qëndrimi pranë ishambasadës jugosllave (në vitet e para pas çlirimit ajo ndërtesë ka shërbyer si Muze i Luftës), klubi i Partizanit transferohet disa qindra metra drejt perëndimit, duke u sistemuar në tri ndërtesa njëkatëshe të ndodhura në zonën që quhej “Fusha e Aviacionit”. Ato ishin ndërtesa italiane dhe kishin shërbyer si fjetore për aviatorët italianë e më pas për ata shqiptarë.

Pranë tyre ishte pista dhe vendi, hambarët ku qëndronin avionët. Deri në fillim të viteve ’70 klubi ushtarak ka qenë aty. Ndërtesat kryenin funksion të shumëfishtë, sepse aty ishin sistemuar sportistë të të gjitha disiplinave sportive thuajse. Këtu mund të përjashtohen vetëm ata të sporteve të rënda, që për mungesë vendi, akomodimi, qëndronin në Shkollën e Bashkuar, ku u garantonin fjetjen, trajtimin ushqimor dhe stërvitjen.

PROJEKTOHET DHE NGRIHET KOMPLEKSI MODERN

Rreth vitit 1972 u hodh ideja nga ushtarakët e lartë për një klub modern të Partizanit. Nga specialistë të njohur të kësaj fushe, ndër ta Spiro Bakëllbashi, u projektua dhe u ndërtua një qendër sportive, me një koncept të ri shumëdimensional. Nga hoteli me disa kate ku qëndronin sportistët e të gjitha disiplinave, dhoma komode, zyrat e klubit, mensa gjigante, magazinat, sallat e forcës, gjimnastikës, të lojërave me dorë, të sporteve të rënda, hapësira të mëdha stërvitjeje në dy kate me kushte tejet e përshtatshme për kohën.

U projektuan edhe fushat e hapura të basketbollit, volejbollit dhe tenisit. Pastaj ajo qendrore e futbollit, ku janë stërvitur nga ekipi i parë deri tek ato të sistemit zinxhir etj. Pranë tyre dushet, tjetër sistem i avancuar për ato vite. Në plot kuptimin e fjalës, një mjedis sportiv ku nuk mungonte asgjë dhe me kushte ideale për sportistë, trajner e drejtues. Si asnjë klub tjetër në Shqipëri. Dhe i tillë ka funksionuar deri në vitet ’90, ndërkohë që Tiranës i ishte shtuar edhe kompleksi “Dinamo”, modern edhe ai një imitim i klubeve perëndimore.

partizani gjermani

NË KËRKIM TË GJURMËVE…..

Shumë pak ka mbetur. Asgjë nga selia e klubit të parë te Shkolla e Gjuhëve të Huaja, asgjë nga i dyti tashmë i kthyer në një qendër tregu të hapur dhe vetëm ndërtesa e “Rrugës së Durrësit” ka mundur të qëndrojë në këmbë. Po kështu ka mundur të mbijetojë vetëm njëra nga tri ndërtesat e famshme njëkatëshe të fushës së aviacionit, por nuk ekziston fusha e futbollit tek ish-Shkolla e Partisë, as ato të Lojërave me Dorë përreth Pallatit të Sportit. Madje ka mbetur shatërvani, por që nuk funksionon. Por edhe Kompleksi, ai i ndërtuar pas viteve ’70 nuk ka shenjë jete duke humbur pa lënë asnjë gjurmë…

PAPADHOPULLI: TË TJERA KOHË, TË TJERA KUSHTE

Ish-futbollist i Partizanit, kapiten, lojtar i kombëtares që e ka jetuar atë periudhë thotë se atëherë u bë një investim kolosal. Në një rrëfim të shkurtër për “Panorama Sport”, ishpresidenti i FSHF-së i rikthehet asaj kohe: “Në vitet ’60, klubi i Partizanit nga selia pranë ish-ambasadës jugosllave u vendos në 2-3 ndërtesa njëkatëshe brenda një oborri të madh shumë pranë fushë së aviacionit. Ishte një mjedis komod dhe ndryshe nga ku kishte qenë. Në ndërtesën e mesit ishin vendosur zyrat ku qëndronte edhe shefi i klubit. Pastaj salla e lojërave, me një bilardo ku luhej karambol nga të gjithë, sportistë, gjeneralë, ushtarakë, ushtarë etj. Vite më vonë aty u vendos edhe televizori. Në ndërtesën tjetër ishte fjetorja, e cila shihte nga pista. Nga krahu i murit rrethues, në krah të ‘Rrugës së Durrësit’ dhe stacionit të autobusit të Laprakës ishin mensa dhe magazinat. Në anën jugore ishte një pishinë e vogël, por që nuk funksiononte dhe shfrytëzohej. Në mes të këtij oborri të madh, nga ana veriore ishte një shatërvan. Fundi i murit rrethues nga perëndimi ishte kufiri i ndarës i klubit me repartin e aviacionit ku qëndronin avionë dhe ruhej me ushtarë”.

mico partizani

KU STËRVITESHIN SKUADRAT?

Për stërvitjen e skuadrës ka shërbyer fusha e futbollit ngjitur me Shkollën e Partisë. Ajo fillimisht ishte një fushë e hapur, por me dimensione normale. Pastaj u rrethua dhe për shumë vite aty është stërvitur skuadra e parë. Pas stërvitjes, lojtarët vinin në klub, ku ishin dushet. Madje edhe kur u ndërtua ndërtesa e re moderne, stërvitja e skuadrës ka vazhduar aty, pasi fusha e futbollit përfundoi me vonesë. Ndërkohë, për Lojërat me Dorë kanë shërbyer dhe funksiononin fusha e basketbollit, volejbollit, tenisit që ishin pranë klubit në anën jugore të tij.

PASTAJ PALLATI I SPORTIT?

Ai u ndërtua në vitin 1963 dhe ka shërbyer për të gjitha aktivitetet, por aty janë stërvitur në fillim edhe basketbollistët e volejbollistët e Partizanit. Por edhe kanë fjetur në mjediset e brendshme të tij, kur grumbulloheshin apo në prag të sfidave të rëndësishme. Pallati i Sportit ishte dhuratë e Ushtrisë për Rininë e Tiranës, madje aty në hyrjen kryesore në krahun e djathtë të derës së tribunës B ka qenë edhe një pllakatë. Vite më vonë, në vijim të tij nga pjesa veriore, si shtesë u ndërtuan një mjedis fjetjeje, mensa e re dhe për një kohë aty kanë qenë edhe zyrat e klubit, si dhe disa dushe, një fushë tenisi dhe një basketbolli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"