SPECIALE/ Kur Shqipëria fitonte me Danimarkën dhe ndeshja “luhej” në loto

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 22:45

SPECIALE/ Kur Shqipëria fitonte me Danimarkën dhe ndeshja “luhej” në loto

NGA UVIL ZAJMI
Nga tetori 1963 në tetorin 2023. Nga takimet e pazhvilluara me Greqinë në turin e parë, tek ato me Danimarkën në të dytin. Nga fitorja e parë e Kombëtares 1-0 ndaj danezëve në atë të fundit 3-0 ndaj çekëve. Nga goli i parë i Panajot Panos, në ato të fundit të Asanit e Seferit. Nga rezultati i bujshëm në “Qemal Stafa” në shekullin e kaluar, tek ai aktual i përmasave kolosale në “Air Albania”. Midis dy tetorëve kanë kaluar 6 dhjetëvjeçarë.

Para takimit Shqipëri-Danimarkë në “Qemal Stafa”

Para takimit Shqipëri-Danimarkë në “Qemal Stafa”

Çfarë ishin ato takime, ai rezultat në debutimin zyrtar, cilët ishin lojtarët, trajnerët e atyre sfidave, të cilët koha i ka mbuluar me harresë, ndërkohë që shumë prej tyre nuk jetojnë? Si u përgatitën nga ajo vajtje në Kopenhagë, te sfida e kthimit në Tiranë? Nga ndryshimi i stolit, formacionit, atmosfera, si u përcollën nga shtypi sportiv dhe si i rikthen sot për “Panorama Sport”, Mehdi Bushati, protagonist absolut i atyre 180 minutave: “Në takimin me danezët është veshur për herë të parë uniforma kuqezi. Si fitorja ndaj Danimarkës dhe këto me Poloninë e Çekinë, do t’i konsideroja historike për vlerat që përcjellin, ndonëse në kohë të ndryshme. Në të parën kam qenë në fushë, në dy të fundit e kam ndjekur si spektator. Tjetër emocion kam ndier. Më vjen mirë që “Panorama Sport” kujton ato takime, ata futbollistë, drejtues, trajnerë, gazetarë. Pjesa më e madhe nuk jetojnë dhe për ta ruaj kujtime, vlerësime të pazëvendësueshme”.

NGA TURI I PARË NË TË DYTIN PA LUAJTUR
Për “Euro Spanjë 1964”, edicioni i dytë i trofeut më të madh europian me përfaqësuese, 29 janë skuadrat e regjistruara me përjashtim të RF Gjermane, Finlandës dhe Skocisë. 26 prej tyre iu nënshtruan ndeshjeve eliminatore të turit të parë, kurse Bashkimi Sovjetik, si mbajtës i kupës (1960) dhe Austria e Luksemburgu, u kualifikuan direkt për në 16-she dhe do të hyjnë në betejën e turit të dytë. Midis tyre janë Irlanda, Spanja, Suedia, Shqipëria (si rezultat i skualifikimit të Greqisë, sepse kjo e fundit refuzoi të ndeshet me të) si dhe Danimarka. Shorti për në turin çerekfinal do të hidhet në fund të marsit, kur në një numër të saj, gazeta “Sporti” njofton: “Në Amsterdam, UEFA, hodhi shortin e Kupës së Europës, midis Kombeve dhe për 1/8-at e finaleve do të ndeshen: Itali-B. Sovjetik, Austri-Irlanda, Bullgari-Francë, Spanja-Irlanda V., Danimarkë-Shqipëri, etj.

REAGIMI I SHTETIT SHQIPTAR
Në gazetën “Sporti” të 19 janarit 1963, lexojmë: “Kupën e Europës midis kombeve po e ndjekin me interes të madh edhe sportdashësit tanë. Ata, megjithëse nuk patën rastin të shohin ndeshje në turin e parë, për shkak të qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare greke ndaj vendit tonë, po presin me ankth shortin e turit të dytë. Kjo, jo vetëm se do të kenë rastin të shohin përfaqësuesen tonë për herë të parë në një aksion të tillë të madh, por edhe sepse kombëtares sonë do t’i takojë të ndeshet me një nga 15 ekipet më të forta të Europës. Në të njëjtën kohë, ata janë të preokupuar si do të jetë përbërja e kombëtares sonë, si po përgatitet për këtë betejë të madhe, me çfarë sistemi loje do të hyjë ajo në fushë, si dhe shumë probleme të tjera. Këto duhet të preokupojnë seriozisht në radhë të parë Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kolegjiumin e trajnerëve pranë saj, trajnerët, të cilëve u është besuar stërvitja e ekipit kombëtar dhe vetë futbollistët pretendentë, që duhet të vihen në garë midis tyre për të zënë vend në 11-shen që do të veshë kostumin kuqezi për të mbrojtur denjësisht ngjyrat e Republikës sonë Popullore.

Shqipëria në një miqësore para takimit me Danimarkën, nga e majta, në këmbë: Pilika, Bushati, Bukoviku, Jashari, Pano. Nga e majta, ulur: A. Mema, Deliallisi, Halili, Topi, Frashëri, Shllaku.

Shqipëria në një miqësore para takimit me Danimarkën, nga e majta, në këmbë: Pilika, Bushati, Bukoviku, Jashari, Pano. Nga e majta, ulur: A. Mema, Deliallisi, Halili, Topi, Frashëri, Shllaku.

NDAJ BULLGARISË, AJO PARAOLIMPIKE
Deri para takimit me danezët, e para me një kundërshtar të futbollit perëndimor, një tjetër sfidë e dyfishtë për kombëtaren, do të jetë ajo kur për Olimpiadën “Tokio 1964”, (edhe në këtë rast një debutim), shorti ka përcaktuar Bullgarinë. Trajnerët Loro Boriçi dhe Myslym Alla kanë grumbulluar: Maliqati, Janku, Topi, Deliallisi, Frashëri, Halili, Papadhopulli, Kasmi, Shllaku, Lilamani, Mema, Bukoviku, Kraja, Vorfi, Pano, Jashari, Bushati, Resmja, Ibërshimi.

Takimi i parë, 2 qershor 1963, ora 17.00, në “Qemal Stafa”, Shqipëri-Bullgari 0-1.
SHQIPËRIA: Maliqati, Deliallisi, Halili, Papadhopulli, Mema, Shllaku, Vorfi, Bushati, Jashari, Pano, Resmja.

Kthimi, 16 qershor, në “Vasil Levski” të Sofjes, Bullgari-Shqipëri 1-0.
SHQIPËRIA: Maliqati, Deliallisi, Halili, Kasmi, Mema, Shllaku, Kraja, Pano, Bukoviku, Jashari, Th. Duro.

DREJT KOPENHAGËS, DEBUTIM ME HUMBJE
Faza e dytë e kampionatit me 12 skuadra, ka kohë që është ndërprerë. Ndërsa Kupën e Republikës e ka fituar 17 Nëntori pas finaleve dramatike me Besën 2-3 në Tiranë dhe 1-0 në Kavajë. Protagonist Ali Mema, pritësi i tre 11-metrave që u japin trofeun kryeqytetasve. Pastaj takimet me Bullgarinë dhe drejt Kopenhagës, ndeshja e parë do të zhvillohet me 29 qershor. Kryetar i delegacionit është Pandi Allabashi, zv/kryetar i KPBFSSH dhe në përbërje janë: Maliqati, Topi, Deliallisi, Halili, Kasmi, Frashëri, A. Mema, Shllaku, Daiu, Kraja, Vorfi, Bushati, Bukoviku, Pano, Duro. Trajner: Loro Boriçi, Myslym Alla. Nuk janë Papadhopulli, Resmja, Ibërshimi, Jashari, Kraja, titullarë në ndeshjen me olimpiken vetëm një muaj më parë, si dhe Dimroçi e F. Andoni. Në numrin vijues, “Sporti”, në vetëm katër radhë, jep njoftimin: “Danimarkë-Shqipëri 4- 0. Pjesa e parë 3-0”. Pa asnjë koment si u zhvillua ai takim. Me 1 korrik, lojtarët u kthyen në atdhe.

Kampionati është rikthyer, Partizani dominues është kampion për të tretin vit radhazi. Në shtator, në turin e parë të Kupës së Kampioneve, Partizani në vitin e dytë të konkurrimit është eliminuar nga Spartak i Plovdit 1-0/ 1-3, Ndërkohë që më 22 shtator nis faza e parë e sezonit 1963-1964. Kjo është atmosfera futbollistike në prag të takimit të dytë me Danimarkën më 30 tetor në Tiranë.

Kopenhagen, 29 tetor 1963, “Idraetsparken stadium”, ora 17:30.
DANIMARKË – SHQIPËRI 4-0 (3-0)

GOLAT: 16’ (pen) J. Petersen, 23’ O. Madsen, 35’ E. Clausen, 50’ H. Enoksen.
DANIMARKA: E. Sorrensen, B. Hansen, J.J. Hansen, K. Johansen, B. Larsen, J. Petersen, O. Sorensen, P. Bruun, E. Clausen, H. Enoksn, O. Madesen (kap).
Trajner: P. Petresen
SHQIPËRIA: S. Maliqati, F. Deliallisi (kap), F. Frashëri, S. Halili, M. Bushati, G. Kasmi, L. Shllaku, L. Vorfi, P. Bukoviku, Th. Duro, P. Pano,
Trajner: L. Boriçi
GJYQTAR: Einar Bostrom
SPEKTATORË: 26.460.

Ky është 90-minutëshi i parë, formacioni i parë, rezultati, humbja e parë në ndeshjen e parë për Kupën e Europës me përfaqësuese.

NDESHJA E DYTË, ROKADË NË STOLIN KUQEZI
Para saj ka një lëvizje në stol: Trajner është Zyber Konçi, bashkë me Loro Boriçin. Futbollistët e grumbulluar janë: Topi, Dimroçi (Besa), Qoshja, Bushati, Pilika (Dinamo), Deliallisi, Bukoviku, Frashëri, Ndini, Shllaku, Andoni, Pano, Jashari, Zaho (Partizani) E. Ibërshimi (Labinoti); Halili, Kasmi, A. Mema (17 Nëntori) Vaso (Skënderbeu). Skuadra zhvilloi disa takime miqësore dhe fitoi 4- 1 me Labinotin (Bukoviku (2), Shllaku, A. Mema dhe një takim tjetër me Partizanin, 1-1 (Zaho, A. Mema). Kombëtarja daneze që vjen për herë të parë në Tiranë, mbërrin në kryeqytetin shqiptar ditën e hënë dhe akomodohet në hotelin “Dajti”. Skuadrën e shoqërojnë një grup gazetarësh dhe një ekip i televizionit. Po te “Dajti” janë edhe arbitrat maltezë. Për të ndjekur takimin, me avionin e ekipit është edhe Ebe Shvarc, zv/presidenti i FIFA-s.

Tiranë, e mërkurë, 30 tetor 1963, ora 14:30 në “Qemal Stafa”
SHQIPËRI-DANIMARKË 1-0 (1-0).
GOLI:
Pano 3’
SHQIPËRIA: Topi, Deliallisi (kap), Frashëri, Halili, Mema, Bushati, Shllaku, Zaho, Bukoviku, Ibërshimi, Pano.
Trajner: Z. Konçi. (Rezerva: M. Qoshja, T. Vaso, M. Ndini, Jashari, Pilika, Dimroçi, F. Andoni)
DANIMARKA: E. Sorensen, B. Hansen, J.J Johansen, K. Johansen, J. Medsen, J. Petersen, O. Sorrensen, C. Bertelsen. J. Danielsen, O. Medsen (kap), K. Thorst.
Trajner: P. Petersen.
GJYQTARË: Jozef M. Casar kryesor, Pol Bone, Arturo Lentini (Maltë), të tre të FIFA-s.
SPEKTATORË: 27.765.

Për herë të parë një sfidë zyrtare në stadiumin kombëtar përballë një skuadre të njohur të futbollit perëndimor. Ky është formacioni në atë debutim europian në Tiranë, që trajneri Zyber Konçi do të nxjerrë në fushë, që nga ai në Kopenhagë ka disa ndryshime: Nuk luajnë Maliqati, Kasmi, Vorfi, Duro, por në portë Topi, mesfushë A. Mema, Zaho dhe Ibërshimi. Ndeshja transmetohej në “Radio Tirana” nën komentin e Anton Mazrekut, Skifter Këlliçit, dhe që ndiqet në të gjithë Shqipërinë. Interesimi është i jashtëzakonshëm, kohë e mirë, freskët, me një shi të lehtë para fillimit të ndeshjes.

Faqja e parë e “Sporti Popullor” pas takimit

Faqja e parë e “Sporti Popullor” pas takimit

Duke iu referuar shkrimit te “Sporti”, nga Arshi Seferi dhe Ismet Bellova, informohemi: “Shqipëria luan 4-2-4, dhe takimi nis me presion kuqezi që konkretizohet ende pa kaluar tre minuta: Pano, me shpejtësi dhe në mënyrë të befasishme, gjuan me forcë nga larg, dhe topi përfundon në të djathtë të portierit në rrjetën daneze nga porta veriore, 1-0. Në të 22’, Bushati bëri një inkursion të shkëlqyer nëpër radhët e mbrojtjes daneze, gjuajti me shumë forcë, topi u përplas në shtyllë transversal dhe u kthye te këmbët e Ibërshimit, i pambuluar 7-8 metra përballë portës, në pozicion shumë të mirë shënimi. Dhe, kur 30 mijë shikuesit ngrihen në këmbë për golin e dytë, Ibërshimi shuton jashtë. Në të 35’, Bushati godet shtyllën.

Bushati duke goditur traversën Faqja e parë e “Sporti

Bushati duke goditur traversën

Pjesa e dytë nis me një rast mirë për Bushatin, por në çastin e gjuajtjes, ndërhyn njëri nga mbrojtësit që e devijon topin në korne. Në të 55’, një kombinim Pano-Bushati e vendos Zahon në pozicion të volitshëm shënimi, por ky nuk godet mirë. Bushati, megjithëse ishte më aktiv se të tjerët, në vijën sulmuese, edhe kësaj radhe e mbajti topin shumë nëpër këmbë”, shkruan gazeta.

ZYBER KONÇI: FITORJA DUHET TË ISHTE MË E THELLË
Pas ndeshjes, trajneri Zyber Konçi do të deklaronte: “Më mirë punoi mbrojtja, e cila u dallua si në luftën për topin e parë edhe në mbulimin e kundërshtarëve. Prisnim më shumë, sidomos nga Pano, pas golit. Dy krahët i patëm problem që gjatë grumbullimit e deri në ndeshje. Duheshin zëvendësuar lojtarët që luanin në këto vende (Jashari, i cili ishte jashtë forme), Kraja (i sëmurë) dhe Vorfi (me masë ndëshkimore nga ana e KKFS). U detyruam të vendosnim Ibërshimin e Zahon. I pari e kreu detyrën, kurse i dyti nuk dha maksimumin. Për lojën e dobët të tyre ndikuan edhe thirrjet pa vend të tifozëve. Fitorja duhet të ishte më e thellë dhe këtij qëllimi do t’i arrihej nëse vija sulmuese do të paraqitej më luftarake, më kompakte dhe më e qartë para portës”.

LOTOSPORTI, FITUESI ME REZULTAT EKZAKT
“Sporti” informon: “Me rastin e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit midis skuadrës kombëtare të Shqipërisë dhe asaj të Danimarkës, Komisioni i Lotosportit shpalli një konkurs special, duke ftuar amatorët e tij të provojnë aftësitë, që ndryshe nga 1,X,2 këtë herë duke parashikuar rezultatin ekzakt të takimit. Lotaria speciale kushtuar kësaj përballjeje tërhoqi vëmendjen e qindra sportdashësve, veçanërisht në kryeqytet, të cilët u dalluan për pjesëmarrje të gjerë. Përkundrazi, nga rrethet u bë një punë e dobët në këtë drejtim dhe në adresë të Lotosportit erdhën shumë pak skeda. Nga skedat e mbërritura, 27 amatorë u shprehën për fitoren 1-0, pra e gjetën rezultatin ekzakt. Disa prej tyre janë: Dh. Diamanti, J. Lamani, M. Kau, M. Poci, H. Duli, I. Sukaj, A. Kaba, Ll. Polena, I. Pepo, S. Minga, për të cilët do të ketë çmime të posaçme”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"