Spanja kthehet në ‘Santiago Bernabeu’, një fortesë e pamposhtur për 27 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2024 | 16:35

Spanja kthehet në ‘Santiago Bernabeu’, një fortesë e pamposhtur për 27 vite

Brazili, pesë herë kampioni i botës, pasi pushtoi “Wembley”-n dhe mposhti një nga kandidatët më të mëdhenj për “Euro 2024”, Anglinë, sfidon sonte në mbrëmje Spanjën në fortesën e saj, stadiumin “Santiago Bernabeu”.

spanje brazil

Luhet në një stadium ku “La Roja” ka fituar të gjitha ndeshjet (7) në shekullin e 21-të. Përballja kundër Brazilit do të jetë ndeshja e 50-të e skuadrës spanjolle në stadiumin e Realit të Madridit, dikur stadiumi “Chamartín”, ku ka qenë protagoniste e një historie të gjatë ngjarjesh që kur shënoi fitoren më të madhe në histori në debutimin e saj, një fitore 13-0 kundër Bullgarisë në vitin 1933. Është stadiumi ku Spanja ka vendosur një rekord në historinë e saj të fundit, gjashtë ndeshje radhazi pa pësuar asnjë gol.

Herën e fundit që Spanja iu drejtua fuqisë së “Bernabeut” ishte në qershor 2019 për të vendosur kryesimin e grupit në fushatën kualifikuese në “Euro 2020”. Spanja shpartalloi Suedinë në ditën kur David de Gea ia dorëzoi stafetën Kepa Arrizabalagës. Dy penallti të shënuara nga Serxhio Ramos dhe Alvaro Morata, plus një gol nga Ojarzabal, i dhanë një fitore të pastër Spanjës, që kishte nevojë për gëzim pas dështimit të saj në “Kupën e Botës 2018”. Ishte hera e shtatë që skuadra spanjolle luajti në “Bernabeu” në shekullin e 21- të, pesë ndeshje zyrtare, kundër Danimarkës, dy herë kundër Suedisë, Turqisë dhe Italisë dhe dy miqësore, kundër Anglisë dhe Kolumbisë.

Brazili, i cili ka luajtur për herë të parë në stadiumin “Bernabeu”, me Pele-në në krye, kundër Atletikos së Madridit, dëshiron t’i shtojë emrin skuadrave të mëdha që pushtuan stadiumin e Realit të Madridit kundër skuadrës spanjolle. Së bashku me Anglinë, Italia arriti të fitonte në këtë stadium, duke i shkaktuar humbjen e parë të skuadrës spanjolle në “Chamartín” në vitin 1949 (1-3). Më pas vijuan Argjentina (0-1 në 1952), Franca (1-2 në 1955), Skocia (2-6) në 1963) dhe Gjermania (1-2 në 1982).

“Bernabéu” është një pjesë e pashmangshme e historisë së “La Roja”-s, me një datë të veçantë mbi pjesën tjetër, 21 qershor 1964, kur mposhtën Bashkimin Sovjetik të kohës në finalen e Kampionatit Europian, suksesi i tyre i parë i madh, me golat e Çus Peredas dhe Marselinos. Por ky stadium është i lidhur edhe me disa kujtime për t’u harruar, si ai në Kupën e Botës 1982 që Spanja organizatore u mund në fazën e dytë kundër Gjermanisë Perëndimore (1-2) dhe barazimin pa gola kundër Anglisë që çoi në eliminimin e skuadrës së Hoze Emilio Santamaria.

Për të kuptuar se “Bernabeu është një fortesë, mjafton të kujtojmë se humbja e fundit e Spanjës në këtë stadium daton 27 vite më parë. Ishte në një miqësore të luajtur më 18 shkurt 1987 kundër Anglisë, në festivalin e golave të Gari Lineker, autor i katër golave për “Tre luanët” (2-4). Spanja ka fituar tetë ndeshjet e fundit në “Bernabeu”, të zhvilluara që nga viti 2000, me një bilanc shkatërrues prej 16 golash të shënuar dhe vetëm një kundër.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"