Skënderbeu merr një fitore rekord në Kupë. Josa: Ishte formalitet, tani mundim Tiranën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Tetor 2, 2014 | 23:03

Skënderbeu merr një fitore rekord në Kupë. Josa: Ishte formalitet, tani mundim Tiranën

Himara-Skenderbeu 1-10, ndeshje kupe ne KavajeHIMARA – SKËNDERBEU  1-10
GOLAT: Kaçanaj 85′ (11-m) / Abazi 2′, 47′, Lulaj 9′, Berisha 22′, Kame 32′, Martins 51′, Olaynka 54′, 60′, Ribaj 73′, 88′
HIMARA: Sadikllari (Këllçiu 46′), Kaçanaj, Guaci, Hyso (Këndella 46′), Meta, Brozi, Mina, Veshaj (Dhrami 46′), Prifti, Hyska, Limaj. Trajner: Shpëtim Imeraj
SKËNDERBEU: Llapanji, Lulaj, Jashanica, Dimo, Markoni, Berisha, Alikaj, Abazi, Kame, Martins (Ribaj 70′), Sefa (Olaynka 46′). Trajner: Mirel Josa
GJYQTARË: E.Halo (Memaliaj), P.Puto, G.Bimi (Gjirokastër)
KARTON I VERDHË: Veshaj 30′
DELEGAT: Anastas Qesari (Sarandë)
VËZHGUES: Alfred Lamçe (Tiranë)

Historike, Skënderbeu shënon 10 gola brenda një ndeshjeje. Nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e klubit korçar, teksa dje në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Shqipërisë kundër Himarës, bardhekuqtë kanë fituar me shifrat 10-1. Rezultati më i thellë i Skënderbeut në histori deri dy ditë më parë datonte në vitin e largët 1933, kur skuadra korçare u shpall për herë të parë kampione e vendit. Në atë edicion të largët, bardhekuqtë fitonin 9- 1 ndaj Besës, por në dekadat e fundit, ndonëse kanë pasur edhe fitore me shifra të thella, kurrë nuk ka ndodhur me 10 gola. Në takimin e luajtur në fushën asnjanëse të Kavajës, Skënderbeu ka kryer thjesht një formalitet përballë modestëve të Himarës. Ka qenë një ndeshje e gjitha “fairplay”, teksa korçarët nuk e patën të vështirë përballë Himarës së brishtë. Bie në sy shpërthimi i sulmuesve Martins, Ribaj dhe Olaynka që shënuan respektivisht nga një dhe dy gola secili në portën e ekipit himarjot.
Pjesa e parë Korçarët u futën në fushë me një formacion të rinovuar, teksa në stol ishin vetëm dy futbollistë: Ribaj e Olaynka. Tetë titullarë të ekipit kishin zhvilluar seancën stërvitore të paradites dhe kësisoj nuk u aktivizuan nga Josa. Sapo ka nisur takimi, kosovari Abazi, në aksionin e parë, ka depërtuar në zonë dhe ka shënuar. Pas tij do t’i vinte radha talentit Bruno Lulaj që në sytë e trajnerit të U-21 Skënder Gega, shënoi golin e dytë. Më pas Berisha që po shërbente për të tjerët, nuk mund të mos e shënonte emrin në minutën e 22-të, pas një inkursioni personal, ku dribloi tre kundërshtarë dhe goditi mjaft bukur. Në fushë ka vetëm një Skënderbe që bën çfarë të dojë përballë lojtarëve himarjotë, që megjithëse përpiqen shumë, nuk mund të ndalojnë klasin e kampionëve. Kame realizon një eurogol. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 0-4 dhe me dominimin absolut të korçarëve.
Pjesa e dytë Në startin e së dytës, Josa aktivizon Olaynkën dhe Ribajn. Si për koincidencë, takimi rinis me golin e kosovarit Abazi që arriti të shënonte edhe në minutën e 2-të. Ndeshja nuk ka shumë histori, sepse korçarët dominojnë e shënojnë plot 5 herë të tjera. Dy dopieta të Olaynkës e Ribajt dhe goli i Martins plotësojnë fitoren me dy shifra të Skënderbeut. Drejt fundit të takimit miqtë fitojnë një 11-metërsh që kapiteni Kaçanaj e kthen në gol. Këtu mbyllet takimi me goleadën e Skënderbeut përballë modestëve himarjotë që këtë sezon militojnë në Kategorinë e Dytë, teksa drejtohen nga ish-futbollisti vlonjat, Shpëtim Imeraj.

Josa: Ishte formalitet, tani të mundim Tiranën
I pyetur nga “Panorama Sport” pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, fillimisht bëri të ditur se duke nisur nga sot (dje), ai nuk do të fliste për mediat deri pas sfidës me Tiranën. Gjithsesi, lidhur me fitoren me Himarën, ai deklaroi: “Fillimisht, dua të falënderoj miqtë himarjotë për respektin dhe korrektësinë që treguan në fushë. Kuptohet se për ne ishte thjesht kryerja e një formaliteti, të cilin e vlerësuam. Gjithçka bëmë sot (dje), qoftë për stërvitjen e pjesës tjetër të ekipit paradite në Durrës, ashtu edhe loja ndaj Himarës, ishin në funksion të ndeshjes me Tiranën”. Ndërkohë, duke filluar nga portieri Shehi dhe plot 8 titullarë të tjerë, nuk u paraqitën fare në ndeshjen e Kupës, pasi u stërvitën në Durrës paradite.
FERIZ FERIZAJ





www.minuta90.com