Nga merkato e Steauas së Bukureshtit te Partizani, Sidibe rilind nën drejtimin e trajnerit të ri
Sekou Sidibe po jeton një moment të rëndësishëm në karrierën e tij. Sulmuesi belg me origjinë nga Bregu i Fildishtë është një nga lojtarët e Partizanit dhe në sezonin e ri do të drejtohet nga trajneri rumun Florin Bratu, i cili ka marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës së kuqe. Sidibe ishte shumë pranë një transferimi te FCSB në shtator të vitit 2024, por marrëveshja dështoi për shkak të kërkesave financiare të lojtarit dhe agjentit të tij.

Presidenti i klubit rumun, Gigi Becali, zbuloi në atë kohë arsyet e mosrealizimit të transferimit. “Kam folur me Mititelun dhe i thashë se do ta merrja unë. I ofrova një pagë prej 10 mijë eurosh në muaj. Ai kërkonte edhe bonus në firmë, 12 mijë euro pagë dhe rritje prej 2 mijë eurosh çdo vit. Madje bllokova edhe numrin e agjentit të tij, sepse kërkonte edhe ai para”, deklaronte Becali për mediat rumune.
Pas asaj aventure të dështuar, Sidibe vijoi karrierën në Belgjikë te RAAL La Louvière, ndërsa në janar të vitit 2026 firmosi me Partizanin. Që nga mbërritja në Tiranë, 24-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës.
Ai ka zhvilluar 17 ndeshje me fanellën e të kuqve, duke shënuar katër gola dhe dhuruar tre asistime, paraqitje që i kanë rritur edhe vlerën në treg, e cila aktualisht vlerësohet rreth 350 mijë euro. Para se të transferohej në Shqipëri, Sidibe kishte luajtur për FCU 1948 Craiova në Rumani, ku qëndroi nga vera e vitit 2021, përpara se të rikthehej në Belgjikë.
Sipas të dhënave të platformave të specializuara, Sidibe ka kontratë me Partizanin deri më 30 qershor 2027 dhe konsiderohet një lojtar polivalent, i aftë të luajë me të dyja këmbët. Tashmë, nën drejtimin e Florin Bratut, mesfushori belg synon të konfirmojë formën e mirë dhe të bëhet një nga pikat kyçe të Partizanit në sezonin e ri.
ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL













