Eliminimi nga Liga e Konferencës, Martini merr vendimin për lojtarët e Vllaznisë
Eliminimi që në turin e parë të UEFA Conference League ka mbyllur para kohe aventurën europiane të Vllaznisë për këtë sezon.

Pas disfatës ndaj Malishevës, kuqeblutë tashmë do ta zhvendosin të gjithë fokusin te kampionati, ndërsa përpara rifillimit të punës do të kenë mundësinë të shkëputen për disa ditë nga fusha e blertë. Nga sa mësohet, trajneri Edi Martini, në bashkëpunim me stafin teknik, do t’u japë futbollistëve disa ditë pushim.
Duke qenë se Vllaznia nuk do të zhvillojë asnjë ndeshje zyrtare deri në startin e kampionatit, më 22 gusht, është vendosur që skuadra të përfitojë nga kjo periudhë për të rikuperuar energjitë, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë psikologjik. Një vendim i tillë vjen pas një vere shumë intensive për kuqeblutë.
Faza përgatitore ka qenë e ngjeshur, me stërvitje të përditshme, grumbullimin në Slloveni, disa ndeshje miqësore dhe më pas dy sfidat zyrtare ndaj Malishevës. I gjithë ky cikël ka konsumuar jo pak energji te futbollistët, ndaj pushimi konsiderohet i domosdoshëm për të nisur me freski pjesën e mbetur të sezonit. Pas përfundimit të pushimeve, skuadra do të rikthehet në Shkodër për të rinisur përgatitjet me intensitet të plotë.
Martini pritet të punojë për të korrigjuar problemet që u evidentuan në ndeshjet e fundit, sidomos pas eliminimit europian, me synimin që Vllaznia të paraqitet shumë më konkurruese në kampionat. Tashmë objektivi i vetëm i kuqebluve mbetet edicioni i ri i Superiores. Me më shumë se një muaj në dispozicion deri në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit, stafi teknik do të ketë kohën e nevojshme për të rikuperuar grupin, për të përmirësuar aspektet që lanë për të dëshiruar dhe për ta paraqitur Vllazninë në formën më të mirë të mundshme në nisjen e kampionatit.
PANORAMASPORT.AL













